Kuvendi në Maqedoni miratoi pak ditë më parë ndryshimet kushtetuese që sollën edhe miratimin e emrit të ri të Maqedonisë, por në të njëjtën kohë i hapi rrugë edhe miratimit të ligjit për gjuhën shqipe.
Dy ditë më parë, ky ligj u botua edhe në Fletoren Zyrtare dhe hyri në fuqi menjëherë. Për të folur për këto zhvillime tejet të rëndësishme ishte i ftuar në “A2 Sot” Bilal Kasami, kreu i Partisë Besa në Maqedoni.
Ndër të tjera, Kasami u shpreh se pavarësisht këtij ligji, sërish gjuhë zyrtare në Maqedoni do të jetë gjuha maqedonase, kurse gjuha shqipe do të jetë në përdorim zyrtar. “Në çdo institucion do të flitet edhe shqip”, sqaroi Kasami.
Gjuha shqipe do të përdoret në uniformën e policisë, por jo në atë të ushtrisë. “Deri tani kaq ishte mundësia e politikës, ndërsa më tej duhet të synojmë që gjuha shqipe të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase”, tha Kasami.