Ballina Aktualitet Ka ndërruar jetë mësuesja ime e parë

Ka ndërruar jetë mësuesja ime e parë

Rean Saiti

Ka ndërruar jetë mësuesja ime e parë, veterania e arsimit shqip, Mysherefe Sadullai. Duke e shikuar këtë fotografi nga viti i largët 1978, padashtas në kujtime të mjegulluara mu kujtua dita e parë e shkollës. Mu kujtuan gëzimet se po fillonim një proces të rëndësishëm në jetën tonë, por edhe sytë tanë të frikësuar, kur për herë të parë, u ulëm në bankat shkollore. Dhe, atëherë na priti ajo, mësuesja Mysherefe e cila me një shikim foli shumëçka. Të njëjtin çast të gjithë tashmë e dinim se do të kemi përkrahjen e saj. Që atëherë filloi gjithçka. Me buzëqeshjen e saj hyjmë në jetën e re…jetën e nxënësit.

Ajo na mësoi gjithçka. Shkrim-leximin, matematikën, natyrën, shoqërinë, edukimin. Por, mbi të gjitha – na mësoi të jemi njerëz. Prej saj mësuam se respekti dhe dashuria janë bazamenti i ciklit jetësor. Katër vitet e para, të vështira, të jetës shkollore i shndërroi në “parajsë” për ne. Mbaj mend se të gjithë jemi prekur shumë kur erdhi çasti i ndarjes dhe ajo mori një gjeneratë tjetër. Madje, ishim xheloz ndaj atyre, se përse na morën mësuesen. Para disa viteve, rastësisht e takova në fshatin tim.

Ndjeva se kishte një ndjenjë krenarie për gjeneratën time, veçanërisht për mua. Nuk e lëshoi rastin që me zërin e saj “qortues” edhe njëherë të më këshillojë…”Ta ruani e ta mbroni gjuhën shqipe, gjithkund ku bukës i thonë bukë e ujit-ujë, veçanërisht ju të mediave”. Të falënderojmë për gjithçka Mësuesja Mysherefe. Perëndia të dhashtë të gjitha bekimet, Familjes ngushëllimin e durimin. Kurse Ne, të vazhdojmë misionin e saj fisnik….