Pjetër Matusha është një nga të paktët artistë të cilët vazhdojnë ende sot të kultivojnë me besnikëri traditën e instrumentit të lahutës, i cili konsiderohet si një simbol etnik. Prej gjysëm shekulli i pandarë prej lahutës, Pjetër Matusha si një raspod i vërtetë dhe i pasionuar ka interpretuar për shumë vite me radhë eposin legjendar dhe ka krijuar vargje epike historike të cilat i ka ndërthurrur së bashku me shumë origjinalitet.
I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan Matusha tregoi se lahutën e ka mësuar që në moshën 13- vjeçare. Deri më 1981 Pjetër Matusha ka marrë pjesë thuajse në të gjitha festivalet folklorike. Sot, Matusha është në pension dhe është vlerësuar me çmime të shumta gjatë jetës së tij, brenda dhe jashtë vendit. Fundvitin që sapo lamë pas, lahuta është futur në listën e trashëgimisë së UNESCO-S dhe njihet si trashëgimni e Serbisë.
“Lahutën e kam nisur që në moshën 13-vjeçare, e kam trashëgimni nga gjyshi sepse babin nuk e kam njohur. Kur e kam mësuar lahutën nuk ka patur drita fare, por e kam patur qejf. Ky instrument është shumë i vjetër, ka vetëm një tel. Më ka ardhur shumë keq që lahuta është shpallur trashëgimni e Serbisë”, tha Matusha./tvklan.al