Ballina Aktualitet Opinione Rrëfimi i aromave të pesë dhjetëvjetëshave

Rrëfimi i aromave të pesë dhjetëvjetëshave

Nga Veton Surroi

Kur të ndërrohet viti, mprihni shqisat. Do të ketë aromë diçkaje, diçkaje që do të shënojë një dhjetëvjetësh të tërë.

Ky është një rrëfim i shpejtë – i ndarë në pesë dhjetëvjetësha – një rrëfim për kohën, aromat e saj.

1968

Isha 7 vjeç atë ditë nëntori të vitit 1968. Kthehesha prej shkollës dhe nga oxhaku i ëmbëltores “Bleta” dilte aroma e tullumbave të sapopjekur, që përzihej me aromën e gështenjave të pjekura përballë kafenesë “Gajret”, të gështenjave që na i blinte baba Flakës dhe mua. Vëmendja nga aroma u zëvendësua shumë shpejt me brohoritjet e masës, diçka që kisha dëgjuar vetëm në stadium futbolli. Masa e madhe që brohoriste nuk ishte në stadium, por në shkallët e Teatrit, në rrugën përballë e madje edhe mbi një autobus të kuq të transportit urban. Kishte shumë flamuj dhe pastaj kishte shumë milicë, dhe pastaj shumë tollovi. Mua dhe shokun tim të klasës na mori ngutazi për dore një gazetar që banonte në ndërtesën ku banoja unë, dhe nëpër rrugica e oborre shtëpish prapa hotelit “Bozhur” na solli në shtëpi. Ngjarja me brohoritje, flamuj dhe milicë –do ta kuptoj atë ditë- quhej demonstratë. Të rriturit, me vite të tëra kur e përmendnin këtë fjalë, ulnin zërin dhe shikonin anash mos po i dëgjonte kush. Atë ditë gazetari që më kapi për dore sikur më paralajmëroi se ashtu do të më kapte gazetaria, por nuk do të ma lëshonte më.

1978

Me 10 vjet më shumë kreva gjimnazin. Testin për pranim në Universitetin e Meksikës e bëra në stadiumin “Azteca”. Stadiumi zë 100 mijë shikues; aq ishim të ulur duke mbushur pyetësorin e gjatë. Vinte erë djerse; aso që lëshojnë 100 mijë trupa kur kuptojnë se ky është moment kthese për ardhmërinë. “Fakulteti i filozofisë dhe letërsisë”, u thashë shokëve të mi të rinj të mëhallës në Meksikë,kur më pyetën se ku u regjistrova. – Mirë, mirë këto që të pëlqejnë, por a ke regjistruar edhe diçka që të jep me hangër?

1988

Dhjetë vjet më pas u lind Rea. Nata para se të lindte u bë e qetë dhe e ngrohtë. Netët më herët nuk i vëreja; kisha hyrë në telashe me pushtetin për shkak të shkrimeve të mia në gazetën “Rilindja” dhe më rrezikohej vendi i punës. Por natën para se të lindte Rea fryu jugu, solli me vete erë lule shege. Më 21 dhjetor të atij viti nuk kishte erë tjetër pos akullit. Toka dhe qielli ishin krejtësisht të ngrirë, aq të ngrirë sa atë natë ëndërrova vetëm akull. Të nesërmen na lajmëruan se trupi i babës ndodhej i ngrirë, në morg, në Spanjë. Qe një vit lindjeje e vdekjeje, njëkohësisht.

1998

Ndjeva përzierje të çuditshme erërash ndërsa rrija ulur në rrugë, duke pritur ndërhyrjen e njësive speciale të policisë ndaj meje dhe mijëra protestuesve të tjerë, që kishim dalë atë ditë kundër masakrave që po i bënte policia serbe në Drenicë e vise të tjera të vendit. Vinte erë djerse dhe qetësie, aso djerse dhe aso qetësie që paralajmërojnë që kurrgjë më nuk do të jetë si më parë. Goditjet e policëve ishin mekanike, mirë të ushtruara, si të kishin një koreografi të veten. Shqelmat kërkonin pjesët e buta përreth shpinës, shkopinjtë dhe kondakët kokën. Goditjet kanë aftësi që të tërheqin vëmendjen e të gjitha shqisave; nuk dëgjova ndonjë kërcëllitje ndërsa ma thyen krahun. Kah fundi i atij viti, sekretari i Jashtëm Britanik, Robin Cook, më thirri në telefon dhe tha se së shpejti do të organizohet një konferencë për Kosovën. Më tha që donte që unë të merrja pjesë. Ditën e fundit të atij viti dolën në shesh të gjitha armët që ua kishte dhënë ushtria dhe policia fqinjëve tanë serbë. Çdo armë shtiu atë natë në Prishtinë ndërsa ndërrohej viti. Vinte erë baruti dhe frike se ndoshta do të bëhej vonë për të ndalur luftën.

2008

Dhjetë vjet më pas dola nga salla e Kuvendit pas shpalljes së Pavarësisë së vendit. U futa në turmën e njerëzve që kishin dalë për të festuar, mu aty ku para dyzet vjetësh vinte era e tullumbave të ëmbëltores që nuk është më. Ndjeva erën e gështenjave që m’i qëronte babai, ndonëse nuk ishin duke u pjekur kund.

2018

Qe erë vere, erë korriku në Ditë të Flamurit ndërsa varrosej në Prizren djali i hallës, Bujar Gjurgjeala. Lexoi më 2 korrik të vitit 1990 Deklaratën e njerëzve si ai, që kishin dashur të mësonin e punonin, të krijonin ardhmëri për vete dhe familjet e veta- ardhmëri që u ndërpre me okupimin e Serbisë. E lexoi Deklaratën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ashtu siç ishte i bindur se mendonin të gjithë: me vendosmëri. Dhe ndjeva erën e jugut të luleve të shegës, kur Rea më tregoi se ishte shtatzënë; për të plotësuar bindjen se ciklet e lindjeve nuk ndërpriten nga ato të vdekjeve. Ky ishte rrëfimi për aromat, për erërat që shfaqen e shkojnë, ndonjëherë rishfaqen, çdo dhjetë vjet. E shënova si përkujtim jo aq për pashmangshmërinë e ecjes së kohës sa për të rikapur ato detaje që duan të ikin nga kujtesa. Kur të ndërrohet viti, mprihni shqisat. Do të ketë aromë diçkaje, diçkaje që do të shënojë një dhjetëvjetësh të tërë./Koha.net