Akuzat e kohëve të fundit ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, kanë arritur kulmin ditën e sotme, ku Senati i Universitetit ka kërkuar dorëheqjen e tij.
Me kërkesë të studentëve të Universitetit, është zhvilluar sot një takim mes tij dhe senatit akademik, ku rektori është akuzuar për shkelje flagrante të ligjit, para së gjithash, për uzurpimin e ambienteve të disa fakulteteve, duke mos lejuar zhvillimin e mësimit në auditore.
Shkeljet sipas auditit të ministrisë
Në fakt, prej më shumë se një viti, Koni akuzohet për shkelje administrative pas një kontrolli nga Ministria e Arsimit në Universitetin e Tiranës në periudhën shkurt-mars 2018.
Sipas raportit, Rektori Koni ka kryer shkelje përmes bllokimit të procedurës së protokollimit duke shkaktuar kaos në ushtrimin e funksioneve drejtuese, pra ka vepruar jashtë kompetencave që i jep ligji.
Duke qenë se Rektori Koni është përgjegjës për të mbajtur dokumentacionin e rregullt për mbledhjet e zhvilluara me fakultetet, bënë që vendimet e marra nga senati akademik të jenë të pavlefshme.
Ministria e Arsimit thotë gjithashtu se Rektori Koni ka marrë nën kontroll fizik dhomën e serverit, por sipas akteve të brendshme të UT, bllokimi i sistemit informatik përbën shkelje shumë të rëndë, pasi informacioni që përmban serveri është i rëndësisë së veçantë pasi në këtë sistem janë hedhur informacione të mbrojtura me ligj për studentët.
Një nga pasojat e këtij veprimi, sipas MASR është edhe fakti që nuk janë hedhur notat e studentëve dhe nuk është bërë as publikimi i tyre.
Sipas auditit, Koni ka kapërcyer kompetencat, duke ushtruar funksionet e bordit të administrimit të UT dhe të administratorit.
Kërcënimi i Shullazit!?
Akademiku Mynyr Koni ka pasur një histori të çuditshme edhe me ligjin, ku disa muaj më parë ishte përballë Emiliano Shullazit në sallën e gjyqit. Rreth dy vjet më parë, kur rektori i Universitetit të Tiranës garonte në zgjedhjet për rektor, publikisht u tha se ishte kërcënuar nga Shullazi për t’u tërhequr nga kandidimi.
Por në dëshminë e tij para togave të zeza, duke rrëfyer si ka ndodhur kërcënimi vetëm për 10 sekonda, rektori Koni tregoi se nuk i kishte dalluar ata që e kërcënuan. Personi i akuzuar asokohe nga prokuroria Emiljano Shullazi, i pranishëm në sallë, pyeti dëshmitarin Koni. “Personat që ju thatë se ju kishin kërcënuar, si ju thanë që isha unë? Se kuptoj ku është kërcënimi këtu? Unë i them 3 herë në ditë drejtorit të burgut jep dorëheqjen se, nuk je për atë punë dhe ai prapë nuk reagon…ku është kërcënimi këtu?!!!
Reagimi i Ramës
Pak ditë më parë, ishte kryeministri Edi Rama ai ashpërsoi gjuhën ndaj Rektorit Koni, pas akuzave që ky i fundit adresoi në drejtim të tij.
Në një postim në “Twitter ai shkruan: “Zoti Rektor i UT, unë e mëshiroj pafytyrësinë Tuaj të dyfytyrtë dhe reagimin Tuaj tipik për burrat rrëshqanorë!
Sidoqoftë, shtoi Rama, “unë shumë shpejt do të jem auditor më auditor,ku shpresoj të keni kurajon të m’i thoni në sy veshëgjatësitë e shkruara në reagimin Tuaj që flet vetë për Ju”.
Gazeta Shqip