Enver Robelli
Fjala më e dëgjuar gjatë gjithë ditës së sotme në Radio Beograd ishte «spasiba». Erdhi Vladimir Putini në Beograd dhe homologut të tij, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, gati iu zu fryma duke klithur «spasiba», «spasiba», «spasiba». Shumë herë u falënderua Putini gjatë të enjtes për përkrahjen e Serbisë, për mbështetjen e Serbisë, për nxitjen e bashkëpunimit, për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare, për respektin që tregon për «popullin e vogël serb», siç tha Vuçiqi me një modesti teatrale.
Radio Beogradi emetoi edhe kronikë nga katundi Putinovo, i cili gjendet në komunën e Medvegjës, në kufi me Kosovën. Për nder të presidentit rus ky fshat më 2017 e ka ndërruar emrin nga Agjinci në Putinovo. Sikur ky budallallëk të mos mjaftonte, në sheshin e fshatit është hapur edhe një kafehane. Ajo quhet: Krim. Familjet Petrushiq, Delibashiq dhe Petronijeviq, të cilat jetojnë në Putinovo, janë të bindura se Krimeja i takon Rusisë dhe Kosova Serbisë. Për të besuar më lehtë në përrallën se Kosova na qenkësh Serbi bujqit e Putinovës kanë pjekur edhe raki, të cilën e quajnë «Putinovaça». Në veri të Serbisë, në fshatin Banstol, pritet të inaugurohet një kishë për nder të Putinit.
Në Beograd Vladimir Putinit iu dhurua një këlysh, i cili nga politikanët serbë u prezantua si qen i Sharrit. Duart e dy presidentëve, Putinit e Vuçiqit, u shtrinë mbi lëkurën e qenit të mbajtur mirë. Një argat i Putinit (apo mos ishte i Vuçiqit?) ia derdhi në dorë presidentit rus një grumbull më mëlmesa për ta ushqyer qenin. Argatë të tjerë vrapuan që ky moment historik të filmohet me telefona mobilë. Së paku 100 herë Radio Beogradi (dhe televizioni publik RTS) njoftuan se Putini i kishte akorduar Vuçiqit dekoratën e Aleksandër Nevskit, një teneqe ruse të rezervuar kryesisht për autokratë prorusë nga Kaukazi.
People in Tetovo Are Becoming Rich Thanks to This Bitcoin System
Për Vuçiqin ishte një vizitë e mirëseardhur. I gjendur nën presionin e opozitës dhe shoqërisë civile, e cila ka organizuar disa demonstrata të mëdha javëve të fundit, Vuçiq mobilizoi mbështetësit e tij dhe mijëra prej tyre i solli me autobusë në Beograd. Mediat e kontrolluara nga Vuçiqi bënë të ditur se 130 mijë serbë iu falënderuan Putinit para Katedrales së Shën Savës. Putin vërtet është i popullarizuar në Serbi, ku ekzistojnë pritje jorealiste për ndihmë nga «nëna Rusi», dhe nën rrezatimin e popullaritetit të Putinit dëshiron të ngrohet pak edhe Vuçiqi.
Para ardhjes në Beograd Putin i dha një të ashtuquajtur intervistë gazetës «Politika». Këto intervista zhvillohen kështu: redaktorët vrasin mendjen me ditë të tëra për të formuluar pyetjet, i dërgojnë në Kremlin, pastaj ndonjë zyrtar që ka mjaft kohë përgjigjet disi. Putin kritikoi politikën e Amerikës dhe disa vendeve perëndimore ndaj Ballkanit. Presidenti rus vajtoi dhe pyeti se përse Kosovës iu lejua themelimi i ushtrisë së vet, përse Mali i Zi hyri në NATO dhe përse i njëjti fat e pret tash edhe Maqedoninë. Përgjigjja jozyrtare nga Prishtina, Shkupi dhe Podgorica mund të jetë kjo: për shkak se askush nuk dëshiron të ketë punë me një shtet autokratik si Rusia, i cili nuk ngurron të destabilizojë shtete, të ndërhyjë në zgjedhje në vende të tjera dhe të eliminojë kundërshtarë politikë kudo në botë.
Po Kosova? Putin tha se Rusia e ndan shqetësimin e Serbisë për Kosovën. Shtoi edhe se Moska përkrahë një zgjidhje për të cilën pajtohen të dy palët. E përmendi edhe letrën e zverdhur të Rezolutës 1244 dhe pyeti se ku janë policët dhe kufitarët që do të duhej të ishin në Kosovë, sipas kësaj Rezolute. Nuk janë. Nuk do të jenë. Dhe Putin e di këtë. Siç e di edhe Vuçiqi. Vizita e Putinit në Beograd ishte një shou politik. Me shumë simbolikë dhe pak përmbajtje. Një masazh për Vuçiqin, i cili kishte mobilizuar krejt potencialin propagandistik për të treguar se sa aleate e fuqishme e Rusisë është Serbia. Nga kjo vizitë s’mbetet gjë tjetër përveç se disa «Spasiba», një qen dhe një dekoratë./Dialogplus.ch