Banorët e fshatit Cërnivërv të Komunës së Studeniçanit kanë thënë sot për TV ALSAT se gati 5 ditë janë të ngujuar dhe nuk mund të dalin nga fshati, për shkak të rrugës së bllokuar nga bora. Në bisedë telefonike, ata deklarojnë se kanë mbetur edhe pa energji elektrike dhe me rrugë të bllokuara.
Banori Sabedin Baftjari në bisedën telefonike, ka thënë se i kanë njoftuar edhe autoritetet komunale, të cilat, sipas tij, vazhdimisht po u thonë se po përpiqen që ti zhbllokojnë rrugët dhe se kanë probleme me makineritë.
Banorët thonë se në fshat kanë shumë njerëz të sëmurë të cilët nuk mund tu japin ndihmë mjekësore, por edhe rezervat ushqimore i kanë nga fundit.
Në bisedë me kryetarin e Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, ai tha se rruga është bllokuar këto dy ose tre ditët e fundit kur ka pasur reshje bore.
Sadiki shtoi se vazhdimisht po bëjnë përpjekje dhe që gjatë ditës së sotme rruga do të jetë e hapur.
Edhe pse banorët e Cërnivërvit thanë se kanë njoftuar edhe organet tjera për hallin e tyre, nga Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim thonë se nuk kanë marrë ndonjë njoftim që duhet të intervenojnë dikund. Nga kjo drejtori madje shtuan se ata nuk mund të ndërhyjnë pa pasur kërkesë nga Komuna përkatëse, e cila duhet të njoftojë këtë institucion në momentet ku nuk mund të zgjidh vetë problemin.