Shumicë prej dy të tretave për miratimin e ndryshimeve kushtetuese ende nuk ka, deklaroi sonte kryeministri Zoran Zaev në intervistën për Tv Sitel dhe shtoi se kjo do të dihet në vetë aktin e votimit. Megjithatë shprehu besim se tërë procesi do të kalojë edhe në Maqedonisë, por edhe në Greqinë fqinje, sepse dy vendet dëshirojnë përfundimisht që t’i jepet fund kontestit prej tre dekadave.
Sqaroi se secili amendament konfirmohet me shumicë të thjeshtë, më pas hapet debati i përgjithshëm, pastaj debati për tekstet dhe secili amendament individualisht votohet me shumicë prej dy të tretave. Pastaj votohet për të gjitha amendamentet së bashku me shumicën prej dy të tretave dhe në fund hapet ligji kushtetues, për miratimin e të cilit gjithashtu është e nevojshme shumicë prej dy të tretave.
Theksoi se tërë procesi i ndryshimeve kushtetuese, të cilat rrjedhin nga Marrëveshja e Prespës është inkluziv. Theksoi se kërkesat e Aleancës për Shqiptarët ishin nga aspekti teknik dhe ato janë pranuar, ndërsa lidhur me kërkesat tjera, për të cilat bisedohet, sqaroi se po kërkohet zgjidhja më e mirë për qytetarët me prejardhje shqiptare.
“Lidhur me pjesën tjetër për të cilën bisedohet absolutisht kërkohet zgjidhje, sepspe në shtetësi shkruan maqedonas/qytetar i Republikës së Maqedonisë Veriore , të mos nominohen si maqedonas ose se janë shqiptarë dhe megjithatë janë qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore ose deri më tani Republikës së Maqedonisë . Në një konstelacion të tillë besoj se do të gjejmë një zgjidhje, këtu kërkohet mënyra”, theksoi Zaev.
Lidhur me pakënaqësinë e atyre të cilët protestojnë, opozita, qytetarët nga diaspora dhe nëse kthehet mbrapa sërish do ta pranojë Marrëveshjen, Zaev u përgjigj se Maqedonia 27 vite ka tentuar që të zgjidhet çështja dhe se nga ai këndvështrim tani përfundimisht është bërë tentim që të mbyllet kjo çështje.
“Do të kemi një shtet të njohur nga të gjithë, popull, të cilin më askush nuk e konteston, gjuhë maqedonase të njohur nga të gjithë, diçka për çka kanë luftuar paraardhësit tanë. Më në fund nuk kemi çështje bilaterale të hapur me askënd”, thotë ai dhe shton se është i paktë numri i atyre qytetarëve të cilët kundërshtojnë, ndërsa opozita e cila nuk e pranon këtë zgjidhje nuk ofron asnjë alternativë.
Me Marrëveshjen, shtoi Zaev, mbrohet Maqedonia në një kohë kur zgjidhen çështjet e Ballkanit. Përmendi se me të vendi mbrohet edhe ekonomikisht. “Pa BE nuk ka rritje ekonomike dhe progres. Të gjithë e dinë se as për mua, as për cilin do tjetër nuk do të ekzistojë shans i dytë, nëse këtë e lëshojmë”, shtoi ai dhe theksoi se për Maqedoninë përveç NATO dhe BE nuk ka alternativë tjetër.
Shfaqi bindje se tërë procesi rreth Marrëveshjes do të përfundojë edhe në Greqi, duke shtuar se edhe ai vend dëshiron t’i japë fund kontestit dhjetëvjeçar. “Nga vetë zgjidhja e deri më sot tregtia me Greqinë është rritur për 18,7 për qind, eksporti rritet për 16,4 për qind. Kemi përfitime serioze që në paralajmërimin e Marrëveshjes, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi”, theksoi kryeministri.