Ballina Aktualitet Lajme Lëmshi sirian edhe më i mpleksur pas 8 vitesh lufte

Lëmshi sirian edhe më i mpleksur pas 8 vitesh lufte

Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të tërhequr trupat nga Siria ka krijuar situatë cilësisht të re në vend, por edhe në rajon. Pikëpyetja e parë që është shtruar brenda vetë politikës amerikane është se çfarë do të ndodhë me kurdët të cilët kontrollojnë 1/3 e territorit sirian dhe kanë qenë aleatët më të mirë të SHBA deri më tani. Në një shkrim të vetin në fund të dhjetorit 2018, gazeta e njohur “The Washington Post” merrej pikërishtme këtë çështje. Turqia e Erdoganit është armiku kryesor i çdo aspirate politike kurde dhe ka arsye të vetat, historike dhe gjeopolitike për këtë. Ndonëse përbetohet se ajo nuk ka gjë me kurdët, por me Partinë Popullorte të Kurdistanit dhe degëzimin e saj sirian, Unioni Demokratik Kurd i Sirisë, suksesi politik i kësaj të fundit dhe I degës ushtarake të saj, Njësitë e Mbrojtjes Popullore(YPG) e shndërrojnë të gjithë panoramën në optikën turke.

Gazeta shton se pas njoftimit të Trump për tërheqjen, senatori i njohur republikan, Lindsay Graham zhvilloi një takim me presidentin për të marrë garanci se kurdët nuk do të braktisen, se SHBA do të kërkojë patjetër garanci për ta. Kjo është një çështje shumë e ndjeshme sepse e vendos SHBA-në në pozitën e padinjitetshme të braktisjes së një aleati. Në terren mendohet se YPG kanë të angazhuar 7000-11000  trupa që kanë përvojë të madhe në luftime, kontrollojnë territor të madh dhe kanë hedhur farën e një strukture parashtetërore.

Por a do të mjaftojë kjo? Çfarë garancish mund të ofrojë SHBA për aleatët e vet? Një sinjal ka ardhur nga Franca. Media të ndryshme kanë folur për kontakte mes të dërguarve francezë dhe kurdëve çka ka provoluar tensione të reja në raportet franko-turke, edhe kështu jotë qeta për shkak të çështjes armene.

Tërheqja e amerikanëve ka edhe një tjetër implikim që e vendos politikën e jashtme të saj në pozita kontradiktore. Konkretisht ra në sy së fundmi angazhimi i SHBA për të reduktuar influencën iraniane dhe për të bashkuar rreth vetes partnerët europianë në krijimin e një fronti kundër Teheranit zyrtar. Samiti i Varshavës ku mori pjesë sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo kishte si temë kryesore pikërisht Iranin. Mirëpo ndërkohë që Shtëpia e Bardhë mobilizon energjitë në këtë drejtim, ajo largohet nga Siria, ku Irani është njjë ndër aktorët kryesorë dhe që në doktrinën e vet të sigurisë e konsideron këtë vend si pjesë thelbësore të politikës së parandalimit, pra mbrojtjes nga çdo izolim gjeopolitik.

Irani nuk është vetëm aktor në terren, as edhe përmes milicisë Shiite të Hezbollahut në Liban, që së fundmi përmes sekretarit të vet të Përgjithshëm, Hasan Nasrallah, ka shtuar kërcënimet direkte ndaj Izraelit. Irani është pjesë e strukturës garantuese të Sirisë, siç quhet marrëveshja e Astanas mes Rusisë, Turqisë dhe Teheranit zyrtar. Në datën 14 shkurt, tre presidentët e këtyre vendeve u takuan në Astana për të vendosur se çfarë do të bëhet më tej, ndërkohë që Siria ka krijuar dhe vënë në punë një komitet për kushtetutën e re.

Në prononcimet e veta, presidenti iranian, Hasan Rouhani dhe ai rus, Vladimir Putin u kujdesën që të nënvizojnë se kurdët duhet të jenë pjesë e sovranitetit të ardhshëm sirian dhe se ata nuk mund të konsiderohen si terroristë. Ka madje dyshime se SHBA nuk do të tërhiqet realisht, se në njëfarë mënyre apo në një tjetër do t’i mbajë të angazhuar kurdët që kërkojnë shtetin e tyre. Ata përbëjnë ndoshta faktorin më ndërlikues në rajon, kur vjen puna te formulimi i kushteve të paqes. Dhe sa më e ndërlikuar situata, aq më shumë duket sikur fiton terren Assadi dhe aq më të nevojshëm bëhen iranianët.

Në një analizë publikuar në Al-Monitor, vihet në dukje kaosi i politikës së jashtme amerikane qoftë edhe duke vlerësuar synimet e saj kundër Iranit të cilat nuk dua të marrin në konsideratë situatën në Teheran.

Ka shenja se disa prej liderëve të Iranit mund të kenë dëshirë që të bisedojnë për një reduktim të pranisë së Iranit në Siri. Ata mund të shpallin se e fituan luftën duke e mbajtur në pushtet Assadin dhe duke u riangazhuar brenda vendit. Por ata do të kenë nevojë për një dorë që të kompensojnë pasojat e sanksioneve, ndoshta për sistemin e shkëmbimit që lejon transaksione direkte financier me Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Francën. Një hap i parë duhet të ishte tërheqja e Hezbollahut nga Siria…

shkruhet në artikull që shton se politika e sanksioneve po dëmton çdo opsion për rindërtimin e Sriisë dhe tranzicionin e saj, që nga mënyra sesi do të realizohet do të pëërcaktojë edhe rolin e Iranit. Kjo merr tjetër vlerë sidomos në kushtet kur presidenti sirian nuk ka shumë mundësi manovrimi. Ka komente se Rusia dhe Irani janë pajtuar me qëndrimin e tij në pushtet, por kanë kandidatë të tjerë gati. Si Rusia, ashtu edhe Irani e dinë që Assad është në dijeni të kësaj situate dhe evoluimi i saj do të diktojë stabilitetin dhe të ardhmen. Nëse presidenti sirian do të varet përherë e më shumë prej tyre, atëherë Teherani do të ketë më shumë zë në rajon, ndonëse p.sh vendet arabe kanë hapur derën që Siria të jetë sërish pjesë e LIgës Arabe.

Një tjetër çështje që ka shumë rëndësi është formula e zgjidhjes së situatës. Parimi: Kushtetutë e re, zgjedhje të lira dhe të ndershme, është teorik, në mos i idealizuar. Kjo për shkak se në momentin që Rusia dhe Irani flasin për nevojën e përfaqësimit të kurdëve, kjo hap problemin me Turqinë, por mundet që të krijojë eventualisht humbje edhe për SHBA-në, teksa aleatët e tyre të dikurshëm do të përshtaten me rrethanat e reja.

Në një intervistë për gazetën turke, “Hurryiet”, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, është shprehur se kushdo që do të flasë për Sirinë dhe të ardhmen e saj, duhet të flasë me Asadin. Sa për shqetësimet e Turqisë, Rusia ka nxjerrë nga mënga asin e vet: ajo ka referuar marrëveshjen e vitit 1998 të Adanasë, mes dy ish-presidentëve, Hafez Assad dhe Sulejman Demirel. Duke pranuar se kërkesa turke për një zonë sigurie në kufi mund të merret parasysh, Peskov ka theksuar se marrëveshja e Adanasë përbën një bazë të mirë juridike për të trajtuar shqetësimet e Ankarasë pasi ajo lejon ndërhyrje ndërkufitare. Sa  ipërket terrorizmit ai më së shumti paraqitet problematik në zonën turke të sigurisë, në Idlib, çka është vënë në dukje edhe në Astana.

tha Peskov.

Për momentin Rusia duket se do të shmangë diskutimin e problemit kurd në Siri, ndërkohë që Assad mund ta ketë më të thjeshtë se Erdogan për t’i pajtuar ata në shtetin e tij. Por të gjithë theksojnë se sa Moska, as Irani nuk do të lejojnë për asnjë çast që presidenti sirian të arrijë fitoret e veta pa ta, për shkak se në këtë mënyrë do të hiqte nga duart mundësi të mëdha manovrimi dhe më e rëndësishmja kontratat për rindërtimin e vendit.

Nga ky lëmsh i madh sjellja e SHBA-së ngjan më e palexueshmja dhe më pa rezultat. Largimi është opsioni që krijon një boshllëk që do të mbushet. Se me çfarë atë do ta përcaktojë sot për sot Rusia, por më vonë edhe kjo mund të kontestohet për sa kohë që në Siri prej disa vitesh ka disa forca që qëndrojnë në terren dhe janë të gatshëm për shumëçka. Perëndimi bëri lëmshin dhe mbolli shkatërrimin pasi kishte premtuar pranverën dhe demokracinë. Sot sirianët presin se çfarë do të vendosin fuqitë e huaja – për herë të parë pas shumë kohësh jo nga Perëndimi – ndërkohë që edhe kurdët mbeten në rrugë. Vështirë se mund të ketë politikë më të keqe sesa kaq dhe që patjetër do të lërë gjurmë për një kohë të gjatë.