Ministria e Arsimit reagoi rreth kushteve të vështira në të cilat ndjekin mësimin nxënësit e shkollës fillore Skënderbeu në Xhepçisht të Tetovës.
Ministri Arbër Ademi iu bëri thirrje drejtuesit të shkollës dhe Komunës së Tetovës që të ndërmarrin masa urgjente për mënjanimin e rreziqeve ndaj të cilave janë ekspozuar rreth 300 nxënës.
Problem kryesor në këtë shkollë përbën rrjedhja e ujit në llambat elektrike pasi nxënësit rrezikojnë të goditen nga rryma elektrike.
Kemi rënë në kontakt edhe me drejtorin e shkollës edhe me autoritetet lokale që të ndërmarrin gjitha masat e domosdoshme për të ruajtur shëndetin e fëmijëve tanë dhe njëkohësisht është detyrim i gjitha institucioneve tona në vend që të vlerësojnë rrezikun me të cilin përballen nxënësit në këtë shkollë dhe të ndërmarrin masa konkrete”. – tha Arbër Ademi, Ministër i Arsimit
Por thirrja e Ministrit Ademi hasi në vesh të shurdhër. As sektori i arsimit në Komunën e Tetovës dhe as drejtoria e shkollës nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për zgjidhjen e problemit. Përgjegjësi i arsimit i komunës së Tetovës, Ahmed Qazimi madje ka refuzuar edhe ta komentojë këtë situatë të krijuar në shkollën fillore Skënderbeu, ndërsa drejtori i shkollës, Naim Kurtishi, arsyetohet se ka njoftuar institucionet për problemet.
E kemi paraqitur në gjitha instancat flas edhe me shkrim të gjithë janë të informuar sa i përket kulmit që pikon. Unë nuk e di dhe nuk jam përgjegjës përse kanë hasur në vesh të shurdhër”. – u shpreh Naim Kurtishi. Drejtor i Sh.F. Skënderbeu.