Dalja e njollave kafe në fytyrë është një ndër shqetësimet e shpeshta dermatologjike, më të cilat përballen me shpesh femrat e moshës riprodhuese. Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon se kjo gjendje e cila në gjuhën mjekësore njihet si melasma tek meshkujt nuk është e shpeshtë, sikundër ndodh tek femrat. Në vijim të shkrimit mjekja tregon faktorët që ndikojnë në shfaqjen e këtyre njollave, si dhe kujdesin që duhet të tregojmë për parandalimin dhe trajtimin e tyre. Sipas mjekes, trajtimi shpesh herë është i vështirë pasi zgjat në kohë dhe kërkon mjaft durim. Ndërkohë që për të reduktuar shtimin e këtyre njollave trajtimi duhet t’i besohet mjekut specialist dermatolog dhe jo përdorimit të kremrave të marrë nëpër farmaci pa asnjë lloj rekomandimi.
Çfarë kuptojmë me melasma dhe ku shfaqen më shpesh?
Melasma është një njollë shumë e zakonshme në ngjyrë kafe, ose blu e lehtë në gri që zakonisht shfaqet në gratë e moshës riprodhuese (20-50 vjeç). Për meshkujt nuk është e zakonshme. Melasma shfaqet shpesh në zonën e faqeve (mollëzat e faqeve), në ballë, në zonën sipër buzës së sipërme dhe në mjekër.
Çfarë e shkakton melasmën?
Shkaku i vërtetë, në fakt mbetet ende i panjohur. Megjithatë njihen sot shumë faktorë që e favorizojnë atë. Drita e diellit konsiderohet si faktori më i rëndësishëm që prodhon melasmën, veçanërisht në individë me një predispozitë gjenetike ndaj kësaj gjendjeje. Studimet kanë treguar se individët e predispozuar, në mënyrë tipike zhvillojnë melasma gjatë muajve të verës, kur dielli është më intensiv. Në dimër, pigmentimi në melasma tenton të zbehet.
Melasma shfaqet gjatë shtatzanisë?
Kur melasma ndodh gjatë shtatzënisë, ajo quhet gjithashtu “chloasma”(ose maske e shtatzanisë). Gratë shtatzëna përjetojnë rritjen e nivelit të hormoneve estrogjen, progesterone, por edhe hormone të tjera gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë që stimulojnë “melanocitet”. Melanocitet janë qeliza në lëkurë që depozitojnë pigmentin. Megjithatë, mendohet se melasma e shtatzanisë shkaktohet më tepër nga prania e niveleve të rritura të progesteronit dhe jo për shkak të estrogjenit dhe hormoneve të tjera.
Po terapitë zëvendësuese ç’ndikim kanë?
Studimet kanë treguar se gratë në periudhën postmenopauzë që marrin terapinë zëvendësuese të progesteronit kanë më shumë gjasa të zhvillojnë melasma. Ndërsa gratë që marrin terapi zëvendësuese me estrogjen duhet të kenë më pak gjasa për të zhvilluar melasma.
Si ndikon faktori gjenetik?
Po ashtu edhe produktet ose trajtimet që irritojnë lëkurën mund të shkaktojnë një rritje të prodhimit të melaninës (pigment i lëkurës) dhe të përshpejtojnë simptomat e melasmës. Njerëzit me një predispozitë gjenetike ose histori të njohur familjare për melasma kanë një rrezik në rritje për ta zhvilluar atë. Metoda të rëndësishme parandalimi për këta individë përfshijnë shmangien e diellit dhe aplikimin e kremrave shtesë për të shmangur prodhimin e tepërt të pigmentit ngjyrues. Gjithashtu, duhet të përmendim se njerëzit me lëkurë ngjyrë ulliri, ose të errët, si për shembull individët hispanikë, aziatikë dhe ata të Lindjes së Mesme, kanë incidencë më të larta të melasmës.
Si prezantohet melasma?
Siç e përmenda edhe më lart, melasma shfaqet si një njollë ose hiperpigmentim kryesisht në fytyrë. Janë identifikuar tre lloje të modeleve të zakonshme të fytyrës. Modeli centrofacial (në qendër të fytyrës) që përfshin ballin, faqet, buzën e sipërme, hundën dhe mjekrën. Modeli malar përfshin pjesën tjetër të faqeve (përveç mollëzave, si dhe modeli mandibular është specifik për nofullën e poshtme. Anët e sipërme të qafës mund të përfshihen më pak në melasma dhe më rrallë pjesët e tjera të trupit (rrallë mund të shfaqet në parakrahë). Melasma prek më tepër shtresat sipërfaqësore të lëkurës dhe identifikohet me praninë e tepërt të pigmentit melaninë në to.
Si trajtohet melasma?
Në fakt trajtimi nuk është aq i thjeshtë dhe kërkon kohë. Për trajtimin e këtyre njollave që shfaqen kryesisht në fytyrë duhet të merrni kontakt me mjekun specialist dermatolog, pasi mjekimi është i zgjatur dhe nuk zgjidhet duke blerë në farmaci kremëra të parekomanduara nga mjeku. Për trajtimin e saj përdoren kremëra me komponentë të ndryshëm (përzierje komponentësh medicinal) që përshkruhen nga mjeku specialist. Kombinimi me kremrat me faktor mbrojtës (SPF) ndaj diellit ka dhënë rezultate të mira. Sot përdoren gjerësisht edhe teknikat e mikrodermabrasionit (me vakuum). Nuk është se ka garanci absolute në rezultatet e trajtimit të melasmës. Madje, në disa raste kur trajtimet janë tepër të ashpra, melasma mund të nxitet, ose të përkeqësohet.
A ndihmon në trajtim terapia me laser?
Përsa i përket terapisë me laser ajo nuk mbetet zgjedhja kryesore për të trajtuar melasmën, pasi rezultatet tregojnë se ato japin vetëm përmirësime të përkohshme.
Po në lidhje me kremrat çfarë mund të këshillojmë?
Mjaft e rëndësishme për personat që marrin terapi për melasmën është që ata të minimizojnë ekspozimin ndaj rrezeve të diellit. Rekomandohen të përdoren kremëra mbrojtës me faktorë të paktën 50 (SPF). Këta përmbajnë bllokues si oksid zinku dhe oksid titaniumi që realizojnë njëkohësisht mbrojtjen UVA dhe UVB. Gratë shtatzëna ose nënat që ushqejnë fëmijët me gji mund të kenë nevojë të ndërpresin gjatë kësaj periudhe terapinë e melasmës (edhe kremrat) për shkak të rreziqeve të mundshme për zhvillimin e fetusit dhe të porsalindurit
A mund të parandalohet melasma?
Ndonjëherë melasma mund të parandalohet duke shmangur ekspozimin e fytyrës në diell, por në shumicën e rasteve parandalimi është i vështirë. Individët që kanë një histori familjarë të melasmës duhet të marrin masa paraprake shtesë dhe në këto raste mënyra më e mirë për të parandaluar fillimin e melasmës, por edhe plakjen e parakohshme është shmangia (sa të jetë e mundur) e rrezeve të Diellit. Nëse ekspozimi ndaj rrezeve të diellit nuk mund të shmanget, atëherë duhet të përdoren kapele, syze dielli dhe kremërat mbrojtës që përmendëm më lart.
Cila është prognoza e melasmës?
Megjithëse melasma ka tendencë të jetë një çrregullim kronik me ulje dhe ngritje periodike, për shumicën e rasteve prognoza është e mirë. Ashtu si melasma zhvillohet ngadalë, ashtu edhe shërimi tenton të jetë i ngadalshëm. Zhdukja graduale e njollave të errëta bazohet në kombinimin e duhur të teknikave të trajtimit në përshtatje me individualitetin e lëkurës. Rastet kur melasma nuk i përgjigjet me sukses mjekimit janë për shkak të ekspozimit të tepërt të rrezeve të diellit.