Kurrë nuk e kisha menduar që jeta ime do të merrte rrjedhën që ka marrë tani. Kam jetuar në një qytet të vogël, por me një familje me zemër shumë të madhe. Në moshën 5-vjeçare u përballa me një sëmundje shumë të rëndë dhe të pashërushme për kushtet që ishin në Shqipëri. Në atë kohë, mjekësia nuk kishte avancuar si në kohët e sotme dhe mjekët e mirë ishin shumë të rrallë. Kur fillova të kisha simptomat e para të sëmundjes, prindërit e mi nuk e menduan se do të ishte diçka e rëndë, ndaj dhe nuk i dhanë shumë rëndësi, duke menduar se do të më kalonte. Unë kisha vazhdimisht dhimbje në pjesën e mesit dhe kështu, prindërit filluan të shqetësohen dhe më çuan në spitalin e qytetit ku jetoja.
Atje bëra disa analiza dhe mjekët dolën në konkluzionin se unë kisha probleme me veshkat. Në atë periudhë bëja vazhdimisht analiza, por ishte e kotë, pasi nuk kisha asnjë përmirësim. Familja ime vendosi të më çonte në Tiranë. Atje jetonte edhe njëri nga xhaxhallarët e mi. Fillimisht shkova thjesht për t’u vizituar, por doktorët këmbëngulën që unë të shtrohesha në spital, pasi gjendja ime shëndetësore ishte përkeqësuar shumë. U shtrova dhe që atë ditë nisi “tortura” për mua. Që nga ajo ditë, spitali u bë shtëpia ime e përhershme.
Ndenja e shtruar rreth një vit, por nuk kisha asnjë përmirësim. Përkundrazi, gjendja ime shëndetësore sa vinte e përkeqësohej. Unë duhet t’i nënshtrohesha patjetër një operacioni, sepse të dyja veshkat e mia nuk ishin funksionale. Në atë kohë, nuk kishte mjete dhe kushte të duhura për të kryer një operacion aq të vështirë, kështu që doktori që më kishte vizituar gjatë gjithë asaj kohe, i hoqi shpresat se unë mund të shërohesha në Shqipëri. Ai tha se vetëm në Itali mund të bëja një operacion aq të vështirë. Isha shumë e vogël dhe nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte me mua.
Shihja vetëm sytë e përlotur të prindërve të mi, që nuk u larguan asnjë çast prej meje, edhe pse motra dhe vëllai kishin shumë nevojë për ta, pasi ishin edhe më të vegjël. Kur i shihja të përlotur, frikësohesha pasi mendoja se do vdisja dhe unë kisha shumë dëshirë që të jetoja. Doja të isha edhe unë si të gjithë moshatarët e mi. Kisha dëshirë të luaja me shoqet, por isha e destinuar të luaja vetëm me lodrat që sillte Kryqi i Kuq në spital. Tashmë, ato ishin bërë shoqëria ime e vetme. Prindërit e mi po mundoheshin të gjenin një zgjidhje se si mund të më çonin në Itali. Në atë kohë ishte shumë e vështirë për të dalë jashtë shtetit, thuajse e pamundur, pasi nuk jepeshin viza. Xhaxhai që kisha në Tiranë kishte një shok që udhëtonte shpesh jashtë shtetit. Ai merrej me tregti, madje merrte edhe familjen me vete. Kishte një djalë në moshën time.
Ata vendosën që të më transformonin si djalë. Më prenë flokët, më veshën rrobat e tij dhe kështu, unë u hoqa si djali i tyre, në mënyrë që policia të mos dyshonte dhe unë të shkoja në Itali me ta. Atje do të më priste xhaxhai tjetër që jetonte atje. Fillova të qaja sepse nuk doja të shkoja pa prindërit e mi. Kisha shumë nevojë për ta, madje fillova të mendoja se nuk do t’i shihja më kurrë. Desha, s’desha unë, ajo punë u bë. U nisëm për në Itali së bashku me burrin dhe gruan që më shoqëronin.
Kur po kontrollonin dokumentet, nxorën pasaportat dhe unë u prezantova si djali i tyre. Nuk patëm probleme. Mbërritëm në Bari, ku më priste xhaxhai. U ndjeva shumë e lehtësuar kur e pashë. Ata më lanë me të dhe u larguan. Që të nesërmen shkova në spital për të bërë të gjitha analizat nga e para. Unë i kisha humbur shpresat se do të shërohesha. Isha lodhur nga gjilpërat dhe ilaçet e shumta. Doktorët vendosën të bëja menjëherë një ndërhyrje kirurgjikale. Më vendosën një aparat në veshkë, që funksiononte duke u karikuar me korent. Nuk e kisha menduar kurrë se jeta ime do të varej nga një fije korenti. Mendova se aq ishte operacioni dhe unë do të kthehesha sërish te familja ime, por nuk qe kështu.
Doktorët thanë se unë nuk mund të largohesha që aty, pasi duhet të bëja vazhdimisht analiza dhe përveç kësaj, nuk mund të shkoja në Shqipëri. Jeta ime varej nga një fije korenti dhe nëse atje do të mungonte energjia elektrike, qoftë edhe vetëm për një orë, unë nuk do të jetoja më. Është e çuditshme për dikë që e dëgjon, por është shumë e vërtetë. Kështu, nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër veç të dëgjoja këshillat e mjekëve. Me prindërit e mi flisja çdo javë dhe më kishte marrë malli shumë për ta.
Pjesën më të madhe të kohës e kaloja te xhaxhai, por edhe atje nuk mund të rrija gjithë kohën, sepse ai ishte në punë dhe nuk mund të qendronte gjatë gjithë kohës me mua. Kështu, xhaxhai vendosi të më linte për disa orë në një manastir me murgesha, të cilat ishin pjesë e spitalit ku vizitohesha unë. Atje, të gjitha murgeshat kujdeseshin për mua, m’i plotësonin të gjitha. Kisha shumë shokë edhe shoqe, por nuk mund të flisja dot me ta, pasi nuk dija gjuhën. Kaluan tre vjet dhe tashmë isha edhe më e rritur. Gjithçka kishte ndryshuar për mua. Tashmë kisha një jetë të re. Kishte ardhur koha të bëja një transplant veshke. Doktorët vendosën që transplantin të ma bënin pa para, duke qenë se unë isha pjesë e manastirit, por ajo që kushtonte shumë ishte veshka që duhej blerë. Prindërit e mi nuk kishin para për të paguar. Veshka ishte shumë e shtrenjtë dhe askush nuk kishte aq para sa për ta blerë.
Një ditë, te murgeshat ku rrija unë dhe shumë fëmijë të tjerë, erdhi një çift për të adoptuar një fëmijë dhe më zgjodhën mua. Ata premtuan se do të merreshin me të gjitha shpenzimet e mia dhe mua s’do të më mungonte asgjë, sepse ata do të përgjigjeshin për gjithçka. Ndjehesha shumë keq sepse kujtoja se nuk do t’i shihja më kurrë prindërit e mi, motrën dhe vëllanë. Qaja fshehtas, edhe pse e dija që nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër. Familja që më adoptoi kishte edhe një djalë tjetër të adoptuar dhe silleshin shumë mirë me mua.
Më lejonin të shkoja te xhaxhai sa herë të doja, m’i plotësonin të gjitha, si në të veshur, ashtu edhe në të ngrënë. Erdhi dita kur do të kryeja operacionin. Ishte një operacion shumë i vështirë, sa mundësia për të jetuar ishte shumë e vogël. Operacioni zgjati 4 orë dhe të gjithë prisnin me padurim momentin kur unë të zgjohesha, sidomos xhaxhai, i cili ishte shumë i shqetësuar, madje nuk u kishte treguar as prindërve të mi që unë isha futur në operacion. Pas shumë orësh unë u zgjova dhe të gjithë u gëzuan. Kaluan disa ditë dhe unë tashmë kisha një veshkë timen, pa ata kordonat me korent që më kishin shoqëruar vitet e fundit. Ndjehesha tjetër njeri, tërësisht e re.
Isha shumë e lumtur që edhe unë tashmë kisha veshkë të shëndetshme dhe kjo falë familjes që më adoptoi. Tashmë për mua kishte nisur një jetë e re. Nuk kisha më dëshirë të kthehesha në Shqipëri, aty kisha krijuar shoqëri, kisha filluar shkollën, kisha një familje që nuk më linte asgjë mangut. U mësova me atë jetë. Sigurisht që malli më merrte shumë për familjen time, edhe pse kisha shumë vite pa i parë. Vendosa të kthehem për t’i takuar dhe për ata ishte një ëndërr që më panë pas 7 vjetësh, tërësisht të ndryshuar.
Ndjeja mall, por vetëm për atë kohë që mbaja mend sepse pjesën më të madhe të kohës e kisha kaluar në Itali dhe nga Shqipëria kujtoja shumë pak gjëra, por nuk do ta harroj kurrë sakrificën e prindërve të mi, madje as të prindërve adoptues sepse për mua, që të dyja janë shumë të rëndësishme, sepse më dhanë atë që unë kisha aq shumë dëshirë… jetën!