Është 101 vjeç dhe ende vazhdon të punojë si blegtor. Ky është Mete Lako nga Dukati. Prej 80 vitesh ai merret me rritjen e bagëtive.
Meten e gjen çdo ditë në stanin e tij në malin e Dukatit duke pastruar dhe ushqyer bagëtinë.
Ndonëse është një terren i vështirë për moshën e tij, blegtori 101 vjeçar e bën në këmbë rrugën deri në stan dhe shkopi që mban në dorë pothuajse nuk e ndihmon fare, pasi ai ndihet ende fizikisht i fortë.
“Me bagëti jam marrë, ato kam shkollë, ato më ushqejnë. Mirëpo ky brez i ri qesh me këtë”-thotë ai para kamerave.
Në stanin që ai dhe djali i tij kanë, rriten mbi 500 kokë dhi, dhe sa herë moshatari hyn për të pastruar ose ushqyer, kecat e njohin dhe i vinë nga pas , pasi ai i ushqen çdo ditë.
“Nuk kam pasur shumë, kemi pasur lopë, pela dhe unë vij ndonjëherë për merak i shoh”-thotë ai më tej.
Edhe pse vitet që ka mbi shpinë kanë bërë punën e vet, Metja ka një kujtesë për t’u pasur zili. Ai tregon se si kjo punë e ka mbajtur të fortë dhe ende aktiv.
“Ushqimi më i parë është kjo,(bagëtia). Edhe cigaren e kam pirë, por nga pak, se është dhe i mirë , por është dhe i keq”-vazhdon ai.
Plaku 101 vjeçar ka pesë fëmijë dhe jeton me djalin e vogël. Ai thotë se jetëgjatësia e tij është e lidhur me ajrin e pastër si dhe qumështin e dhisë që ka konsumuar për ditë.
Metja thotë se të gjitha malet përqark nga Karaburuni dhe deri në Llogora i ka shkelur me këmbë dhe me bagëti prej shumë vitesh deri sa doli në pension, por edhe tani ai e do shumë profesionin e tij të cilin ia ka lënë trashëgim nipit të tij .