Nga Artur ZHEJI
Presidenti kinez Xi Jinping, me turin e tij Europian solli në sipërfaqe një parashtrim dhe një iluzion të ri në kontinentin kolosal, që mbiquhet Euro-Azia…
Ai zbarkoi në Romë e më pas në Paris, me një dosje plot projekte dhe me parakontrata të gatshme që tringëllojnë qindra miliarda dollarë, në një Europë të tronditur nga kriza ekonomike dhe të tronditur, nga doktrina Trump, “America First!”, e cila e vendos Bashkimin Europian në plan të dytë.
Projekti kinez, është madhështor për nga përmasat dhe i frikshëm për nga pasojat, një projekt që vetëm kinezët mund ta ëndërojnë dhe vetëm kinezët mund ta financojnë me surplusin e tyre gjigantesk financiar.
Projekti kinez është emërtuar nga ata: Rruga e Mëndafshit. Por ndërsa 500 vite më parë “Rruga e Mëndafshit”, perceptuar dhe ndërtuar nga italiani Marko Polo, ishte një rrugë karvanesh që sillnin mëndafshet e çmueshme kineze në Europë, projekti i sotëm është është pak të themi i krahasueshëm vetëm me Murin e Madh kinez.
Bëhet fjalë për mijëra kilometra hekurudhë, nga Kina nëpër Siberi, bëhet fjalë për porte të reja në boshtin që lidh Kinën me Europën e pasur, bëhet fjalë për fjalë për platforma magazinimi të kontenjerëve kinezë, në përmasa qytetesh, ku shpërthimi i largët ekonomik kinez, ka zgjedhur të pushtojë Europën në mënyrë të përgjithshme.
Mbas taksave të forta të SHBA, ndaj mallrave kineze, të kërkuara dhe të zbatuara nga administrata Trump, Xi Jimping, presidenti kinez dhe qeveria e tij ambicioze në përmasa planetare, sapo bëri një lëvizje gjeniale gjeopolitike dhe gjeoekonomike, në Bashkimin Europian, të rraskapitur nga mungesa e një perspektive ekonomike madhore.
“Goditjen e parë”, Republika Popullore e Kinës, e dha në Republikën Italiane, duke nënshkruar një marrëveshje të posaçme me kryeministrin Italian, Konte, që parashikon ndër të tjera, konçesione aksionere, për dy portet strategjike italiane, në Trieste dhe në Gjenovë, nga ku kinezët synojnë të depërtojnë në zemër të Europës me mallrat e tyre të pafundme.
Qeveria italiane, e shpërfilli në mënyrë të habitshme paralajmërimin serioz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë drejtim, duke sfiduar në të njejtën kohë edhe presidentin francez Makron dhe kancelaren gjermane Merkel. Sepse italianët, shohin te marrëdhënia e re me Kinën, një dalje të mundshme nga tuneli raskapitës i krizës së tyre ekonomike shumëvjeçare, qoftë kjo edhe si një luftë tregëtare ndaj partnerëve të tjerë. Xi Jinping, gjeti të gatshme hallkën më të brishtë të Bashkimit Europian, Italinë, e cila për herë të parë në historinë e pasluftës së Dytë Botërore, u tregua moskokëçarëse ndaj amerikanëve dhe rreziqeve të paralajmëruara nga kjo marrëveshje.
Porse kinezët, nuk u ndalën këtu, Xi Jimping shkoi vetëtimthi nga Roma në Paris, ku Makron, thirri si partnerë dhe si dëshmimtarë të takimit me presidentin kinez, kancelaren gjermane Merkel dhe presidentin e BE, Junker. Pa shumë fjalë, por me një “çek prej 35 miliardë dollarë” në dorë, Xi Jimping, kontraktoi me shumëkombëshen europiane Airbus, plot 300 aeroplanë për flotën ajrore kineze, duke i dhënë një goditje të madhe, kompanisë së madhe amerikane Boing, deri dje, klienete kryesore e Kinës.
Ky veprim financiar kaq joshës, në periudhë krize, e ka nervozuar tej mase Uashingtonin, që ndjehet krejtësisht i mënjanuar, sëpari nga Italia, por me rradhë edhe nga vendet e tjera të BE. Parashikohet se me këto investime , që në harkun e një 10 vjeçari, mund të mbrrijnë në mijëra miliardë dollarë, dhe angazhimet territoriale të Rrugës së Mëndafshit, si porte, hekurudha dhe platformat e magazinimit të përmasave të pazakonta dhe milionahektarëshe, vjen nga pas, një ushtri e tërë me specialistë dhe punëtorë kinezë, që edhe kjo llogaritet disa milionëshe, duke prishur çdo ekulibër të sotëm gjeopolitik, madje shpejt edhe demografik në Europë.
Jemi kështu në një luftë të vërtetë tregëtare nga njera anë dhe në një luftë të ftohtë të deklaruar, SHBA-Kinë, nga na tjetër…
Për tu kthyer në hallet e mëdha, të shtëpisë sonë të vogël, të shtetit të vogël dhe të varfër të Evropës, Shqipërisë, mund të kuptohet fare mirë se sa qesharake është dhe do të jetë, vëmendja amerikane apo europiane, për Tiranën e trazuar të vitit 2019.
Një kokëçarje shqiptare pra, thjesht e bezdisur, e krahasueshme me pickimin e mizave të kalit, kur karroca ka ngecur në llucë. Apo në mesin e një lufte tregëtare dhe jo vetëm, ndërmjet Bashkimit Europian, SHBA-ve dhe Kinës, si partnere e re, që zbarkon në Europë e ngarkuar me miliarda dollar dhe me formulën magjike ekonomike të zgjidhjes së krizës ekonomike europiane.
Në këto rrethana, mund të përcaktohemi krejt vetëm dhe as qeveria e as opozita, nuk mund të mbështetet tek ndërkombëtarët, në një ndërhyrje konstruktive, në mbrojtje të demokracisë apo të halleve tona të brendëshme politike.
Ose në rastin më të keq, do të trajtohemi si një fshat poterexhinjsh, që për zgjidhjen e halleve tona parësore, do të ngarkohen disa diplomatë të dorës së tretë, me dhimbje koke, me ulçera në stomak apo me hemoroide të acaruara.
Por ky edhe do të jetë rasti, që shqiptarët të zgjedhin, në një rast të afërt, nëse kanë një besnikëri reale dhe ideale, ndaj SHBA-ve, që nuk janë sot, në ditët e veta më të mira, në raportet ekonomike dhe gjeopolitike me Bashkimin Europian…