Bashkimi Demokratik për Integrim fushatën e vet në kuadër të zgjedhjeve presidenciale sot pasdite e ka mbajtur në komunën e Kërçovës, me ç’rast kryetari i shtabit komunal Urim Ahmeti në fjalimin e tij tha se vota e dhënë për kandidatin konsensual do të thotë stop për kthimin prapa të proceseve eurointegruese dhe anëtarësimin në NATO dhe BE dhe me këtë do të fitojë konsesualiteti si koncept të krijimit të politikës shqiptare.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti para banorëve të komunës së Kërçovës potencoi se përkrahja për kandidatin e përbashkët konsensual nuk shkon vetëm në përkrahjen e qytetarëve shqiptarë, por të gjithë qytetarëve, e para së gjithash në dobi të vetë shtetit, pasi ky shtet ka ardhmëri vetëm me ardhmëri të mirë dhe transparente mes dy partive të cilat kanë legjitimitet.
“Nuk duhet t’i lodhim njerëzit me patriotizma pa mbulesë. Kaloi ajo kohë, tani është koha e materalizmit, kohës së instalimit të vlerave, sundimit të së drejtës, reformave në gjyqësi, ekonomi përparimtare, shëndetësi dhe arsim cilësor dhe shërbime më të mira, administratë më të përgatitur publike dhe shtetërore, pasi vetëm ashtu shkohet në Evropë. Nuk ndërpritet migrimi nëse merremi me fraza të zbrazëta, me patriotizëm, të cilit i ka kaluar koha. Nëse dëshirojmë të jetojmë dhe punojmë në këtë vend, t’i instalojmë dhe të punojmë në këto vlera, pasi Evropa është para derës sonë”, tha mes tjerash Ahmeti.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se i japin përparësi konceptit të ri që e instaloi BDI-ja dhe lideri Ahmeti dhe në bazë të këtij koncepti, siç tha, funksionon edhe BE-ja edhe NATO-ja.
“Pikërisht për këtë shkak ne e pranuam dhe e përkrahim idenë për konsensualitet”, tha Bekteshi.
Zëvendës kryeministri Bujar Osmani theksoi se BDI-ja është parti bashkëkohore politike, e cila ka kaluar me sukses disa pengesa.
“Ne si të tillë jemi të bindur në këtë koncept bashkëkohor që e promovojmë dhe se vendosja e përbashkët është në bazë si konsensualitet mes dy familjeve të mëdha”, tha Osmani.
Para të pranishmive fjalim mbajti edhe kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili u përqëndrua në kundërpërgjigjen drejt Ziadin Selës, të cilin i porositi se “nuk janë në pubertet politik dhe nuk do ta gënjejnë pçopullin me misione të pamundura”.
“Për këtë shkak të bëj thirrje të na bashkangjitesh në këtë rrugën tonë, të cilën ne bashkarisht e promovojmë”, tha mes tjerash Dehari.