Pas gjashtë muajsh kërkimi është arrestuar njeri nga personat me rrezikshmëri me të lartë që dyshohet të këtë qenë i përfshirë në disa raste të grabitjeve të armatosura në Kosovë.
Fjala është për 27 vjeçarin nga Vushtrria Leotrim Latifin, i cili është arrestuar nga Policia e Malit të Zi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Kështu kanë bërë të ditur për “Gazeta Blic” burime brenda Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas të njëjtave burime, Latifi pritet që gjatë ditëve në vijim të ekstradohet në vendlindje nga shteti malazez.
“Policia e Kosovës në partneritet me Policinë e Malit të Zi, ka arrestuar të shumëkërkuarin Leotrim Latifin, i cili dyshohet të këtë qenë i përfshirë në disa grabitje të armatosura në vend. I njëjti aktualisht ndodhet në një nga burgjet malazeze, ndërsa pas pak ditësh pritet të ekstradohet në Kosovë./em>”, konfirmojnë burimet brenda MD-së.
Ndryshe, Latifi ndodhej në arrati në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor që nga 16 tetori i vitit të kaluar, ku së bashku me Kastriot Shalën dhe Ridvan Ademin, për të cilët akoma nuk dihet se ku ndodhen, kanë kryer veprat penale në bashkëkryerje – grabitje, grabitje në tentativë, vrasje e rëndë në tentativë si dhe armëmbajtje pa leje.
Për gjatë kohës sa ndodhej në arrati Latifaj, disa herë ishte paraqitur drejtpërdrejt në rrjetin shoqëror “Facebook” duke u tallur me Policinë e Kosovës.
Vendet për të cilat Prokuroria pretendon se të dyshuarit nën kërcënim të armëve kanë grabitur janë: “Teb Bankë”, “Kep Bankë”, “NLB Bankë”, “Slovenia Petrol”, “Hib Petrol”, “Star Club”, “Star Kazino”, “Cazino Star”, “Albi Mall”, kazino “ACT”, bastore “ACT”, kazino “Eurogame”, kazino “Las Vegas”, “IP Petrol”, kazino “Cojota”, lokali “Apex Club”, “Lloto Sport”, si dhe motel “Flamingo”.
Policia e Kosovës pati premtuar edhe 5 mijë euro shpërblim për këdo që do të bënte të njohur vendndodhjen e tyre.