Nga Neshat Mehmedi
Katundet në Malësin e Sharrit ende mbajnë gjallë të kaluarën tonë që nga lashtësitë, me anë të festave të motmotit, e riteve të shumta, që nëpërmjet tyre tregojmë lashtësinë tonë në këto troje, tregojmë rënjët tona të moçme Iliro – Pellazge, tregojmë se jemi autokton në këto vendbanime. Pra nëpërmjet këtyre tregojmë se jemi popull me kulturë të moçme e shumë të pasur. Për këtë duhet të falenderojmë stërgjyshërit, gjyshërit, prindërit, rininë tonë që me mjaftë fanatizëm, sakrificë e dashuri të zjarrtë i ruajtën dhe na i sollën deri në ditët e sotme.
Pa marrë parasyshë luftën e paparë dhe të egër, e të pamëshirëshme të armiqëve të shumtë të popullit tonë, që kishin një qëllim të përbashkët asimilimin, dëbimin dhe pastrimin etnik si dhe zhdukjen e popullit shqiptarë nga këto troje bashkë me gjuhën, përshëndetjet, historin, kulturën, festat e motmotit, ritet, zakonet, veshmbathjet, pagëzimin e fëmijëve, toponimeve, riteve… Pra duke na e pastruar trurin dhe imponuar urejtjen ndërvëllazërore, duke na imponuar histori të rejshme, vëllezër të rejshëm, heroj të rejshëm, kulturë të rejshme, tradita të rejshme, gjuhë të rejshme, përshëndetje të rejshme, shkurtë për të na çveshur e lënë lakuriq nga e kaluara jonë e lavdishme. Një popull që ska kulturë, tradita, festa të motmotit, rite, … ai nuk i din rrënjët e veta dhe ska të ardhme – pra shuhet.
Dita e verës është një traditë e lashtë pagane –mbarëshqiptare dhe festohet me një mori ritesh (me praktika te ndryshme) në trojet tona: në Shqipëri, në Strugë, … po edhe në Malësinë e Sharrit. Sidomos në katundet Bozovcë, Veshallë, Brodec, Vejcë, Shipkovicë, Lisec, Gajre, … Poashtu Dita e Verës festohet në Novosellë, Sellcë e Keçe, Orviç, Ollovjan… Në përgjithësi ritet përafërsisht janë të njejta, por ka dallime të vogëla në mënyrat e shfaqjes së tyre, një thënje e popullit thotë: “Katund e adet”.
Dita e Verës as në këto katunde nuk e ka atë gjallëri të dikurshme, në përjashtim të katundit Novosellë të Tetovës, që kjo festë festohet me një gjallëri më të madhe nga të dy gjinitë, meshkujt dhe femërat. Në zbehjen e kësaj feste sot ndikon migrimi dhe emigrimi i popullatës nga katundet drejtë qytetit të Tetovës, dhe shteteve perendimore, si në Itali, Gjermani, Zvicër … Poashtu ndikojnë negativishtë në zbehje të këtyre festave edhe rënja drastike e natalitetit si dhe martesat e vonshme – mungesa e fëmijëve.
Kurse Prof. Dr. Vebi Bexhetit e trajton shumëmirë“Ashtu si shumë festa tjera me rrënjë nga periudha të hershme pagane, edhe dita e verës, vit për viti vjen duke u zbehur, si rezultat i shumë faktorëve që karakterizonin periudha të caktuara historike, pa përjashtuar edhe rrethanat e dryshme religjioze të besimeve monoteiste që festave pagane tentonin tu mveshin edhe ngjyrime fetare, apo ndonjëfarë mënyre t’i luftonin ata” Marrë nga revista Skupi, vëllimi 16, Dita e verës në Strugë ( Tribunë shkencore 14.03.2016) faq. 41
Për ditën e verës shkruan i pari Faik Konica; “Ç’është Dita e Verës? / Është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës, dhe vazhdon Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetëra të racës s’onë. Nuk i bëjën dëm njeriu. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpitë. Në një vënt ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtë, djelmuria dhe vajëzat kanë një rasë të rallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shie poetike të hollë e të rrallë”.
Kjo festë edhe pse është pagane s’është kundër askujt dhe nuk e dëmton asnjë njeri e as popullin dhe as relegjionet, thjesht është pasuri e madhe kulturore e kombëtare. Dita e verës është festë e gëzimit, e gjallërimit, solidarizimit dhe pjellores.
Është e gëzimit sepse më së shumti i gëzohen fëmijët, … (blegëtorët, lavërtarët, kopshtarët …) presin me padurim të vëndojnë penjtë, të dalin nëpër katund e të kërkojnë (lipin mish, vezë, para…), ndërsa nënat tona bujare e dorëdhëna, presin me shumë gëzim të gjithë grupmoshat që të trokasin e të thërrasin në dyertë e shtëpive të tyre, e këta nëna bujare e zemër bardha i lumturojnë fëmijët me lloj – lloj dhurata të bukura e shumë domethënse për vet jetën dhe përtrirjen. Simbolika e gjithë kësaj feste është veza. Pra veza është simbol i përtrirjes dhe pjellores, ku gjithëçka ringjallet në natyrë, ku dimrit i themi lamtumirë me rite e këngë të bukura.
Po ku ka më mire se të gjallrojnë udhët e katundit pikërisht nga këta voglush e nga kjo rini që simbolizojnë këngën e bilbilave e vet bilbilat, që i japin jetë natyrës dhe vetë katundit, çdo pragu të shtëpie me atë zërin e bukur të tyre në kor;
A do na daritniiiiiiiii
Ky është solidariteti më i madh që e gjejmë ende në meset tona familjare e të çdo shtëpie, kjo flet shumë për vlerat tona kombëtare e humanizmin e ruajtur, e përcjellur me mjaftë fanatizëm ndër shekuj deri në ditët e sotme
VENDOSJA E PENJËVE DHE RITI
Sipas etnolgut Prof. Dr. Izaim Murtezani, verorja te shqiptarët e Maqedonisë Veriore njihej me emërtime të ndryshme; “Martinkë (nga emri i muajit Mars) në fshatrat toske të Strugës, silmikeshë në disa fshatra të Gostivarit, skilmiresh në disa fshatra të Dervenit të Shkupit, linik në Kalishtë të Gostivarit, verojkë në fshatrat e Prespës, peçat në fshatin Patishkë të Shkupit e kështu me rradhë”. Marrë nga revista Skupi, vëllimi 16, Dita e verës në Strugë (Tribunë shkencore 14.03.2016) faq. 11
Sot në katundin Novosellë ka gjallëri më të madhe në krahasim me katundet tjera, kjo festë fillon shtatë ditë përpara Ditës së Verës, me vendosjen e penjëve të bardhë dhe të kuq në të dy duartë te fëmijët, kurse në qafë në Novosellë nuk vëndojnë penjë. Të rriturit penjtë i vëndojnë vetëm në njërën dorë, pra në dorën e djathtë pa dallim moshe e gjinie.
Penjtë i përgatitin vajzat e reja dhe vajzat e fejuara – nuset që janë nën nishane (nër nishane) – pra që janë të fejuara, pejtë i dredhin në shtizë, boshtë ose furkë terma (përpjetë) të bardhin me të kuqin bashkë dhe jua dërgojnë të afërmëve të të fejuarit, kurse kunatave, zollvave penj me të qendisur e me ngjyra; të bardhë, të kuqe dhe të gjelbërtë. Pejtë zakonisht të Novosellës; Sellcës së Keçe, Orviçit dhe Ollovjanit i kanë vëndu ditën e shtunë, të Bozovcës ditën e enjte, të Veshallës ditën e hënë, … dhe në të njejtën ditë që i kanë vendosur, në të njejtën ditë i kanë hequr.
Secila ngjyrë ka kuptimin në vete; Penjtë e bardhë dhe të kuqë i vëndojnë, sepse ngjyra e bardhë simbolizon jetën e pastër dhe pa probleme shëndetësore dhe harmonin paqësore që duhet të mbretëroj gjatë tërë vitit në familje dhe në mes të anëtarëve. Pra të mos u ndodhë as një sëmundje, apo ndonjë e ligë, si per vete ashtu dhe per antarët e familjes të ngusht dhe asaj më të gjërë. Ndërsa e kuqja simbolizon shëndetin e mirë apo të fortë dhe të gjithë duan që të duken në pamje të kuq si molla e të fortë si thana. Ngjyra e gjelbërt simbolizon ardhjen e pranverës dhe ikjen e dimrit, sepse natyra fillon të mbushet me gjelbrim, drithrat në arat e lëruara e të mbjellura mugullojnë, malet gjelbërojnë, drunjtë frutor lulëzojnë, … pra gjallëron jeta e re në natyrë, ose më mirë me thënë natyra po pjellë gjithçka, llojet e ndryshme të bimëve, të luleve, … gjallesat u lejohet të dalin në natyrë dhe temperaturat e ulta e humbin fuqinë, …
Jo rastësisht Dita e Verës sipas Prof. Dr. Hamit Xhaferit; “Është konsideruar si dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindëte krishterimi. Dikur Dita e Verës është kremtuar në këtë trevë (Uskanë – Korçovë) kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, 14 mars”. Marrë nga revista Skupi, vëllimi 16, Dita e verës në Strugë (Tribunë shkencore 14.03.2016) faq. 53
Nëse penjtë u këputen nga dora fëmijëve apo të rriturëve është llogaritur si shenjë e keqe, pra ai person gjatë vitit mund të ketë shëndet të ligë, problem të tjera në mardhëniet familjare e në shoqëri…, nëna e vajzës apo djalit ose vet personi i ka marr penjët dhe i ka vëndu në një dru të njomë, qoftë trëndafil, jorgovan apo pemë, duke menduar se gjithë të ligat i tërheq pema, sepse vetë këta drunjë kanë komplet veti shëruese – mjekuese.
ADETET …
Ardhjen e Ditës së Verës më me gëzim e presin fëmijët, të rinjët pa dallim gjinie, nënat … Djemtë të cilët kanë qen në gurbet, dy a tre ditë përpara kanë ardhur në katund për me qen në këtë festë, ndërsa fëmijët e grupë moshave të ndryshme të dy gjinive dalin në grupe dhe kërkojnë (lipin) nëpër katund, gjinia mashkullore veçmas, vajzat veçmas. Kërkojnë rregullisht të shtunën dhe të dielën e javës së pare, kryesisht të vegjëlit, pavarsisht se cila datë i bie. Me vete marrin nga një shportë, në mungesë të shportës marrin nga një kusi dhe përfundi i fusin miell që vezët që do i marrin si dhuratë mos ju thehen. Shkojnë derë më derë të çdo shtëpie duke thënë:
– A do na daritniiiiiiiii?
Kështu e përsëritin derisa e zonja e shtëpisë të del me një kokër veze, apo para në dorë për me ju dorëdhën dhuratën.
Të shtunë e javës së parë të Ditës së Verës më 04 Mars 2018 ndodha në Novosellë, më shoqëroi veprimtari dhe i palodhuri, mësuesi Rizvan Islami. Nëpër rrugët e katundit takova disa grupe të ndryshme duke kerkuar (lipur) nëpër katund, kryesisht fëmijë të vegjël, femrat veç, djemtë veç, pra nxënës të shkollës. Secili grup kishte nga një fëmijë që mbante kovën në dorë dhe një tjetër që mbante kuletën – portofolion në dorë. Në fund të kovës kishin vendosur miell me qëllim që vezët mos u thehen.
Të shtunën dhe të dielën e javës së dytë të ditës së verës që mund të bie 10, 11. Marsi, dalin dhe lipin kryesisht të rriturit nëpër katund, kuptohet djemtë veçmas dhe vajzatë veçmas. Grupit të djemëve i prin një djal i veshur me gëzof të kthyer mbrapshtë, në mes vëndon kumbona, fytyrën ia lyejnë me ngjyrën e zezë, pra me gjacë – gacë.
Ky person sipas vendasëve në Novosellë e ka emrin “Arap”. “Arapi” e ka edhe bashkëshorten që i prin grupit, me vete kanë edhe tre gomerë, njërit nga këta gomerët i ka hipur “Arapi”, që ia tërheq një djal i ri, të dytit i ka hipur plaka, po ashtu ia tërheq një djal, ndërsa të tretit gomar i vëndojnë dy pale dujçi, mbi samar i vën sanxhakun të përforcuar mirë me torkuzë – litar e mbi sanxhak e vëndojnë një kosh më të madhë se shporta, edhe këtë e përforcojnë me litarë për sanxhaku dhe samari, ndërsa në fundë i shtrojnë kashtë të tërshërës apo të elbit, sepse vezët e dhuruara mos ju thehen, pas secilës renditje të vezëve kanë shtruar kashtë, edhe këtë e tërheq një djalë. Këta të rriturit kanë shkuar pas Arapit dhe plakës së tij shtëpi më shtëpi duke trokitur derë më derë e duke thënë njëri nga grupi;
A do na daritniiiiii?
Këtë e kanë përsëritur disa herë, derisa e zonja e shtëpisë të ju dhëroj një dhuratë të përgatitur enkas për këtë ditë, si dhuratë ju kanë dhuruar varësisht nga pasuria familjare që kanë patur, por smbet familje pa dhuruar diçka; vezë, miell, sheqer, misër, groshë, mishë, qepë, patate, tlyn, pastërmë, …
Çfarë është simbolika e sanxhakut dhe e koshit?
Arat e mbjellura me grurë, elb, thekër, tërshër… në kohën e korrjes të japin rendimente shumë të larta e cilësore, por edhe kokrën ta bëjnë si veza të madhe, ashtu si mbushet kollaj koshi me vezë, ashtu të mbushen kollaj hambarët dhe koshat me drithë. Gjithashtu edhe sanxhaku gjatë tërë vitit kalendarik kur mos mbetet as një ditë pa pjekë bukë, mantije, flija, ëmbëlsira, …
Kështu ky grup i të rriturëve ka shkuar shtëpi në shtëpi prej mengjesit deri në ora dhjetë paradite. Pastaj bashkërisht shkojnë dhe e shkarkojnë të gjithë materialin ushqimor të grumbulluar në atë shtëpi ku e kanë caktuar vet grupi, sepse vullnetarisht ka thën Betimi “këtë vit do e përgatisim ushqimin te shpoja jeme (shtëpia ime)”. Grupi kthehet përsëri me vazhduar lipjen nga ato shtëpi të mbetura, kurse në shtëpin ku i kanë lënë produktet ushqimore açojtë vëndojnë kazanin me groshë për ta zjerrë dhe përgatitjen e hallvës. Pasi të përgatitet ushqim nga açojtë – gjellëbërësit, aty afër mbrëmjes të gjithë katundarët e Novosellës do të hanë ushqim. Të gjithë pjesëmarrësit nga shtëpitë e tyre secili me vete marrin nga një lugë dhe copë buke.
Pasi përfundon lipja në tërë katundin dhe ngrënia e ushqimit produktet e tepruara i kanë shitur aty personit që ka qen më i pasur për me i mbuluar harxhimet që i kanë shfrytëzuar në ushqim. (I ka bler produktet ushqimore vetëm e vetëm me ju ndihmuar edhe pse nuk I janë nevojitur).
Të njejtat rite dhe adete i kanë praktikuar edhe banorët e Sellcës Keçe, Orviçit dhe të Ollovjanit, sikurse në katundin Novosellë. Është mirë për me theksuar se kur ju kanë munguar gomerët Orviçit dhe Ollovjanit i kanë marrë nga Novosella për këtë ditë. Deri në vitet 1993 në Novosellë dhe më herët në katundet tjera kanë gjallëruar rrugët dhe katundet, ndërsa tani vetëm në Novosellë gjallron kjo festë.
Po të njejtën ditë dalin dhe lipin edhe caucat (vajzat) e Novosellës nëpër katund në disa grupe sipas mohallëve – lagjeve: Desit e mohalës poshtme me Desit e mohallës Epër shkojnë bashkë, mohalla e Marmetit me mohallën e Çaprit shkojnë bashkë, mohalla e Marshit, mohalla e Shtekët dhe Këtën Reke shkojnë secila në grup në vete. Vajzat beqare sipas mohallëve shkojnë nëpër krejt katundin për me lip, ndërsa ato vajzatë që janë të fejuara dalin dhe lipin vetëm në mohallën e vet bashkë me vajzat tjera derisa ta përfundojnë mohallën. Rrugëve këndojnë këngë të bukura të fejesës, martesës, beqarisë të përcjellura me dajre – defë. Në secilën derë trokasin dhe njëra nga vajzat thot;
– A do na daritniiiiiiiii!
Këtë e kanë përsëritur disa herë, derisa e zonja e shtëpisë të ju dhëroj një dhuratë të përgatitur enkas për këtë ditë, si dhuratë ju kanë dhuruar varësisht nga pasuria familjare që kanë patur, por ska mbet familje pa dhuruar diçka; vezë, miell, sheqer, misër, groshë, mishë, qepë, patate, tlyn, pastërmë, … Ka patur raste të shpeshta ku zonjat e shtëpisë para se me u dhënë dhuratën ju kanë thënë vajzave ma këndoni djalin; që e ka patur beqar, të fejuar, në gurbet, …
Vajzat për me ia bërë qejfin zonjës së shtëpisë kanë kënduar këngë të ngjajshme si këto;
e kimi ni mollë e ni dardhë e ni ftue
o e kimi gjalin tonë pa fejue
ene pa fejue nuk e lana
ene nasen ma të majrë do ja xhajna
ani do ja xhajna nji sherete
ene çajo nana do ja zgjedhe vet
nana gjalit o po bajke be
pasha gjalin o pasha malin
o ma ka marr lulja o bashin e gjalit këndoi: B. A.
ni mollë e ni dardhë e ni ftue
e kimi gjalin tonë pa martue
ene pa martue nuk e lejna
nase pi Tetove do i zana
ene do tja zana ni qibare
do ja zgjedhe motra e madhe
ene do ja zana ni sherete
do ja zgjedhe nanae vete këndoi: A. A.
oj lulie pllami I bardhë
a t’ka thane nana udhë e mbarë
udhë e mbarë nana mka thane
lot për façe mi kanë dal
vaj – vaj udha e mbarë nana mka thane
lot për façe mi kanë zan
o nanë – o nanë ku ije taj
pse më prune në këtë shpaj këndoi: Xh. I.
Pasi i këndojnë djalin, zonja e shtëpisë ua jep dhuratën që e ka ndarë enkasë përë këto. Grupi i vajzave vazhdon derë më derë deri në shtëpin e fundit duke kërkuar e kënduar.
Me produktet e grumbulluara përgatitin ushqim në shtëpin e njërës nga shoqet. Kurse ditëve të tjera vetëm këndojnë nëpër rrugët e katundit deri më 14 mars.
Caucat e Novosellës gjatë përcjelljes së ditës së Verës, me dajre e këngë, Nusja me dullak të kuq simbol i përtrirjes – pjellores i kësaj dite
Ditën e Verës vajzatë e katundit grumbullohen bashkë, një vajzës ia vëndojnë dullakun e kuq të nuseve dhe e hipin në gomarë dhe shkojnë nëpër muhallët e katundit për me e përcjellur ditën e verës me lloj – lloj këngë të ndryshme të përcjellura me dajre…
Ky rit vazhdon njejtë sikur në dasmat origjinale, po këtu e veçanta është se pjesëmarrës janë vetëm gjinia femrore, kryesisht cauca beqare dhe të fejuara – që janë nën nishane.
Njëra nga vajzat bëhet nuse dhe ia vën duvakun e kuq në kokë. Kur bënë me dalur nga shtëpia nis e qan me zë sa më të lartë, ashtu ngjajshëm sikur dimri në ditët e fundit që egërsohet më shumë, … vajzat e pranishme të gjithë i merr ngrajkë(pershendetjes) duke qarë sipas zakonit. Pas përfundimit të marrjes ngrajkë e ndihmojnë me hip në gomar. Gomarin e tërheq një vajzë dhe dy të tjera e mbajnë për krhau nusen, ndërsa të tjerat e luajnë rolin e përcjellseve.
Këngët i këndojnë caucat ashtu sikur të bëhet dasëm e vërtet me lloj – lloj këngësh të bukura, pikërishtë të dasmave, e une do i përmendi disa këngë që i japin madhështin kësaj feste të bukurë këta malësorë e malësore të katundit Novosellë;
1. kush të përcoll nase njer te mullajni
çaj volla deri musteçe majni
kush të përcoll nase njer te veni keç
çaj vollaj deri barkin si qimet këndoi; Z. I Novosellë
2. ulurojn ballonet o për mbaj shpaj
mori nase lule kur dot zdripim taj
për midis të lëmës luën ago baba
bajna dhandër gjalin ton, me të dal para
për midis të lëmës luën hankonen’ja
bajna dhandër gjalin ton, tët pres ted era këndoi; Z. I Novosellë
3. da bajmë dhandër gjalin ton
n’kraje të shkallës
a dot gjaje dhandëraja more gjli babës
da bajmë dhandër gjalin ton
n’kraje të lames
a dot gjaje dhandëraja more gjli nanës
da bajmë dhandër gjalin ton
me nji tar me lule
a do begjenisish taj mori nase lule këndoi; Z. I Novosellë
4. aman oj mahalla e kallajnxhinve
a do bani bukë petkaxhive
a do boni ju be dera
a tu bajan vet
do va çoje gjali shokët e vet
ene shokët e gjalit kur do najsin
krejtë me pishtolla do krajsin
mohallën e nases do e bastajsin këndoi; Z. I Novosellë
5. do ta zam kulaçin me maje
more volla der a ke naje
do ta zam kulaçin me di(dy) vet
ene do ta ham me treçin vet
çagje posht te dilte fjaka
u përlashin qaka e qaka
çagje posht te dilte tajmi
u përlajshin maca e majni këndoi; Z. I Novosellë
6. taj u bane nase tu ka
gjalin da bajna dhëndër me sevda
taj do bahesh nase tuj vajta
gjalin da bajna dhëndër tu kënda
mori nasja jonë trëndafili bardhë
në këtë famile majrë se na ke ardhë
majrë se na ke ardh oj lule mori
t’na bajsh çaj e kafe, e tna bajsh sagji
majrë se na ke ardh oj lule saj zezë
t’na bajsh çaj e kafe, se do na vajnë mbesat mori
maj rë se na ke ardh mori lulja e bardhë
t’na bajsh çaj e kafe, se do na vajnë hallat mori këndoi; Z. I Novosellë
Është me rëndësi shumë të madhe të përmendet si për etnologët, për historianët, … se banorët e katundit Orviç dhe Ollovjanë edhe pse flasin në gjuhën sllave ata këngët edhe sot i këndojnë shqip, ashtu si i kanë kënduar të parat e tyre; stërgjyshet, gjyshet, nënat, motrat, … gjatë dasmave, festave të motmotit, … Këta banorë ritet, adetet, zakonet, traditat, veshmbathjen i kanë të përbashkëta me tonat, kjo është me shumë interes, sepse kjo të çon tek rrënjët, te origjina e vërtet e tyre shqiptare, …
Këto janë këngët që i ka kënduar një orviçase e martuar në katundin Novosellë;
gjali jonë i ëmbël si oriz me tëmbël
epja dorën babës se na bëhesh dhëndër
dorën ja kam dhën përhajrë ma ka ba
e gjozofsh nasen o biri babës mu mka thane këndoi; Sh. A
Kravata e kuçe me pajka të zeza
O Agon Aga urime martesën
Urime martesën e u trashigofshi
Sbashku me Egzonën jetën e kalofshi këndoi; Sh. A
Po mo bon havaja fak a fak
Mori fak e fak
Ndalu moj hava ene pak
Mori ene pak se dasmën e Agon ages e kimi merak
Mori e bëjmë për merak këndoi; Sh. A
Pasi vajzat përfundojnë shëtitjen nëpër katund, nga grupi ndahen pesë vajza dhe dalin para tyre sikurse të jenë përgjofshit(pritësit) ose krushqit e djalit dhe I përshëndetin përcjellësit të gjithë një nga një dhe marrin nuse nga përcjellsit. Këtu përfundon dasma dhe vajzat shpërndahen nëpër shtëpit e tyre. Pra nusja është njëri nga ritet që simbolizon ditën e verës.
Kroni Madh në Novosellë
Katundi Novosellë ka këto kroje; Kroni Madh, Kroni Marshie dhe Kroni Torbës dhe gratë – zonjat e shtëpis kanë shfritëzuar këto kroje për të mbushur ujë. Në këtë ditë secila grua është munduar të shkoj sa më herët te këta kroje për me mbushur ujë, në gjigim të bakrit dhe mbrenda futin lule nëse ka, në mungesë të tyre futin kullos dhe presin degë shelnesh. Me ujë spërkatin lamën (oborin), dyertë, enët, fëmijët, kafshët, … Uji është kushtë elementar për jetën e të gjithë gjallesave, pra uji ka aftësin pas humbjes së vetëdijes, me anë të lagëjes me ujë të kthelloj apo relaksoj trupin dhe mendjen.
I lagin me ujë që gjatë tërë vitit të ketë ujë të bollshëm e të ketë edhe rreshje të shiut. Ndërsa shelçet (shelnet), i vëndojnë nëpër derë, sepse shelnja është një ndër bimët drurore që zen më shpejt në tokë dhe rritet shpejtë, ashtu si shelnja që zenë kollaj në tokë, ashtu nuset e reja të mbeten kollaj shtatëzëna dhe të posalindurit e tyre të rriten kollaj (lehtë) e pa vështërsi jetësore, ashtu si shelnja që zen kollaj ashtu fara në arat e lëruara të zëne (mugullojnë), kollaj dhe të lashtat (drithërat) të rriten shpejtë, ashtu si izbet (oda të erta për ruajtjen e bylmetit), me shekat e bylmetit të mbushen kollaj si shelçja që rritet kollaj e shpejtë, …
Në këtë ditë nënat, apo nuset e reja vëndojnë me zier koka kollomoçi me fojë, bëjnë gurabija dhe gatuajnë fli, ashtu si renditen shtresat e flisë në tepsi, ashtu të renditen punët me rradhë në shtëpi e në fushë gjatë tërë vitit.
Ashtu si e duanë këtë ëmbëlsirë, ashtu të duan diellin dhe rrezet e tij, ashtu si janë të forta kokrat e misrit ashtu të bëhen të fortë edhe fëmijët e tyre.
Para mbrëmjes i presin pejtë nga duartë jo si në katundet tjera të malësisë, por vetëm skajin e perit dhe e shkatllojnë dhe kështu veprojnë me të gjithë antarët tjerë të familjes. Penjtë e hequr i lagin me ujë dhe i vëndojnë ashtu të shkatëlluar në trëndafil, në jorgovan apo në ndonjë dru peme frutorë. Pra secila familje pejtë e hequr i vëndojnë në kopshtet e tyre.