Policia e Elbasanit del me deklaratë pas djegies së dy makinave mbrëmjen e lënë pas. Bëhet fjalë për makinën tip Volswagen me targa AA 595 KP, e cila rezulton në pronësi të Hysen Hasekiut dhe si pasojë e zjarrit ka pësuar dëmtime të pjesshme edhe makina tip Skoda, me targa AA 702 DL, në pronësi të Bledar Hoxhës.
Uniformat blu të Elbasanit kanë finalizuar operacionin e koduar “Zjarrvënësi” duke vënë në pranga në kushtet e flagrancës Mario Toçi, pak pasi dogji dy automjetet, në orët e vona të mbrëmjes së të hënës.
Ndërkohë nga hetimet e kryera prej disa muajsh në lidhje me zbardhjen e djegies së disa automjeteve të tjera të ndodhura më parë në vende të ndryshme të qytetit të Elbasanit, rezultoi se Mario Toçi i cili njihej ndryshe edhe si Englent Toçi, dyshohet edhe për gjashtë ngjarje të tjera.
-Më 12 shkurt, në lagjen “Aqif Pasha”, Elbasan, dyshohet se ka djegur mjetin i cili ishte i parkuar.
-Më 14 shkurt, në lagjen “Visarion Xhuvani”, Elbasan, dyshohet se ka djegur mjetin i cili ishte i parkuar.
-Më 9 prill, në lagjen “Aqif Pasha”, Elbasan, dyshohet se ky shtetas ka tentuar të djeg një mjet.
-Më 10 gusht, në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, Elbasan, ka djegur mjetin i cili ishte i parkuar para banesës.
-Më 21 nëntor 2018, në lagjen “Partizani”, Elbasan, dyshohet se ka djegur pjesërisht mjeti i cili ishte i parkuar në rrugë.
-Më datë 19 dhjetor 2018, në lagjen “Beqir Dardha” , Elbasan, dyshohet se ka djegur mjetin i cili ishte i parkuar para banesës.
Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.