Policia e Vlorës jep informacion lidhur me dy turistët belgë të cilët u deklaruan të humbur qysh prej pasdites së të enjtes në Llogara.
Bëhet me dije se ditën e djeshme, rreth orës 15:30, dy turistë të huaj belgë kanë telefonuar Sallën Operative Vlorë dhe kanë kërkuar ndihmë se kishin humbur në një zonë të thellë malore të Himarës.
Pas marrjes së informacionit, shërbimet e policisë Himarë kanë organizuar punën kërkimore për gjetjen e këtyre dy shtetasve duke u shpërndarë në terren rreth 15 forca policie.
Lokalizimi i tyre ka qenë tepër i vështirë pasi kushtet e këtij terreni janë tepër të thepisura dhe të thyera duke vështirësuar kështu komunikimin dhe gjetjen e tyre.
Pas 20 orë kërkimesh intensive në këtë zonë shkëmbore është bërë e mundur gjetja e çiftit, gati në majë të një mali midis fshatrave Vranisht dhe Iljaz të Himarës.
Ata kishin qenë duke ecur në këmbë me qëllim eksplorimin e turizmit malor të këtyre zonave.
Për shkak të terrenit të vështirë kishin ngatërruar rrugën e kthimit dhe për këtë kërkuan ndihmën e policisë.
Bëhet me dije turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po bëhet transporti i tyre pranë hotelit bazë në të cilin ata po qëndrojnë.
https://youtu.be/UKrmwzE81Dw