Ballina Aktualitet Lajme Lamtumirë Alajdin, shoku im i betejave të përbashkëta!

Lamtumirë Alajdin, shoku im i betejave të përbashkëta!

Nga Vebi BEXHETI

Të nderuar miq, shokë, vëllezër e motra, një cingërimë jo e zakonshme telefoni e mëngjesit të sotëm ma solli lajmin pikëllues për ndarjen nga jeta të Alajdin Demirit, njeriut që tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare, intelektualit që kurrë nuk u zhagit per toke por që eci gjithmonë vertikalisht dhe kryelartë duke i përballuar të gjitha stuhitë që jeta ia solli përpara.

Ai u bëri ballë të gjitha sfidave që deshën ta mposhtin, por ishte i pandalshëm, rebel i vërtetë , që nuk e pranonte humbjen, duke e synuar lirinë e vërtetë, atë liri që do vinte një ditë.

Miq e vëllezër, ikja e tij e parakohshme me plot plane për zgjidhjen përfundimtare të çështjes kombëtare, na ka prekur thellë të gjithve, duke na lënë të jetojmë me kujtimet për te dhe veprimtarinë e vërtetë të kauzës sonë. Me te, edhe në burg jetohej mirë, edhe kur liria për jetë mungonte, ai e krijonte ate duke folur e analizuar fenomenet që lidheshin me fatin historik tonin.Ai ishte një luftëtarë i pakompromis, që kurrë nuk e pranonte humbjen; edhe atëherë kur diferencojej e përzihej nga puna, edhe atëherë kur si Kryetar Komune e mbronte Flamurin, edhe atëherë kur ishte në debate televizive në mes hijenash albanofobë, duke i mposhtur poltikisht, sepse ai kishte guxim, njohuri dhe gjente argumente të pakapëcyeshme lehtë për të gjithë ata që donin të na shihnin të mjerë dhe të shtrirë për toke.

I dashur shoku im, Alajdin, gjithmonë kur shkruaja, doja që të m’i lexosh shkrimet, që mëpastaj t’i komentonim bashkë, ndërsa këtë të sotmin e shkruaj për ty, për ta lexuar të tjerët, që ndoshta do preken emocionalisht, por besoj se edhe do mburren njëkohësisht me veprën tënde aftdhetare, që për to do mbetet amaneti i fundit.

Lamtumirë shoku im i betejave të pëbashkëta, njeriu i papërkulur e gjithmonë luftarak, po e mbyll këtë shkrim më këto vargje të Azem Shkrelit:
Asnjë kokë ulur se ia rrëzoni lisat,
As një lot, se ia shterrni krojet,
I lumi ky, ç’farë vdekje!

https://youtu.be/o4UHTtHUz2E