“Lagjja e Trimave” është një nga rastet më të mëdha të historisë moderne të Maqedonisë që është kualifikuar nga Gjykata Themelore e Maqedonisë si terrorizëm, ku si pasojë e së njëjtës kanë humbur jetën 8 policë dhe 37 të tjerë janë plagosur, ndërkaq nga pala tjetër që kanë luftuar me forcat policore janë vrarë 10 persona. Sot mbushen plot katër vjet nga ngjarjet e armatosura, edhe pse ka vendim gjyqësor me të cilën janë dënuar grupi i “Kumanovës”, ende nuk është e pastër e vërteta – nuk dihen porositësit, njofton Portalb.mk.
Më 2 nëntor të vitit të kaluar, dy vjet dhe pesë muaj pas ngjarjeve të 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në lagjen e Kumanovës “Lagjja e Trimave”, dhe një vit e tetë muaj pas fillimit të gjykimit më 8 shkurt të vitit 2016-të, Gjykata Themelore i ka shqiptuar vendimet e shkallës së parë kundër të akuzuarve.
Shtatë persona u dënuan me burg të përjetshëm për terrorizëm dhe organizim terrorist për ngjarjet në “Lagjen e Trimave”, 13 persona u dënuan me nga 40 vjet burg, gjashtë me nga 20 vjet, një me 18 vjet, dy me nga 14 vjet, dy me nga 13 vjet dhe me nga 12 vjet. 4 pdej të akuzuarve janë liruar.
Një dit më pas u shqiptua dënim me burg të përjetshëm edhe për të akuzuarin tjetër, Sulejman Osmani, për të cilin gjykimi ishte kryer ndaras nga grupi për shkak se fillimisht nuk ka qenë i kapshëm për organet e rendit.
Për shkak vendimeve ka pasur protesta në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri.
7 muaj pas dorëzimit të ankesës për vendimin e Gjykatës Penale të Shkupit për rastin “Lagjja e Trimave – Kumanova”, lënda ka arritur në Gjykatën e Apelit, e cila më 16 dhe 17 maj duhet të mbajë seancë publike për shqyrtimin e ankesave të të dënuarve.
Pas vendimit të Gjykatës Penale edhe partia në pushtet BDI, por edhe lideri i saj, Ali Ahmeti, e kanë përsëritur qëndrimin se kërkojnë grup ekspertësh ndërkombëtar që ta sqarojnë tërë rastin, ndërkaq edhe kryeministri Zoran Zaev, ka deklaruar se patjetër duhet që të ketë ekspertë ndërkombëtarë që ta sqarojë rastin për të cilin LSDM ka thënë se është e konstruuar nga VMRO-DPMNE.
Hetim ndërkombëtar është kërkuar edhe nga Aleanca për Shqiptarët, është paralajmëruar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. Më herët ka pasur kërkesë të ngjashme edhe nga ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë, Behxhet Shala, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti slloven Borut Pahor, thirrje të tilla ka pasur edhe nga eurodeputetët, zyra e të Drejtave të Njeriut në OKB, Kosovë, Shqipëri, figura të tjera politike dhe ekspertëve për çështjet e brendshme.
Megjithatë, nuk ka kurrfarë informate se çfarë po bëhet me hetimin ndërkombëtar.
Për pastrimin e rastit, BDI ka kërkuar dhe më pas është formuar edhe Komisioni Anketues, por përveç seancës konstituive, ende nuk ka bërë asgjë, ndërkaq avokatët e të akuzuarve nuk janë kërkuar që të eventualisht të japin dëshmi apo materiale.
Ministria e Financave të Kosovës e ka realizuar vendimin e Qeverisë së 10 tetorit të vitit 2017 dhe më 7 shkurt të këtij viti 29 familjeve të të rëndëve dhe dënuarve për ngjarjet e “Lagjes së Trimave” u ka ndarë nga 10.000 euro.
Në lidhje me ngjarjet më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në opinion vazhdimisht janë shpërndarë shumë spekulime. Megjithatë pjesëmarrësit në luftime edhe pse janë dënuar, porositësit e ngjarjes ende ende nuk i ka parë drita e drejtësisë, përcjellë Portalb.mk.
Deri më tani është e njohur:
Kanë vdekur 8 pjesëtarë të njësiteve speciale të Maqedonisë, ndërkaq 37 janë lënduar;
Grupi i Kumanovës ka numëruar mbi 40 anëtarë;
Në luftimet me policinë, janë vrarë 10 anëtarë të grupit;
Pas luftimeve, policisë i janë dorëzuar 28 anëtarë të grupit;
Si udhëheqës të grupit theksohet të kenë qenë, Muhamed Krasniqi i ashtuquajtur komandat Malisheva, Mirsad Ndreca – komandat NATO, Sami Ukshini – komandant Sokoli, Beg Rizaj – komandat Begu dhe Dem Shehu – komandant Juniku;
Grupi më shumë se gjashtë muaj ka qenë i ndjekur nga shërbimet sekrete të Maqedonisë;
I njëjti grup është përgjegjës për sulmin në Stacionin Policor të Goshnicës më 21 prill të vitit 2015;
Grupi ka planifikuar të sulmojë pika civile dhe shtetërore;
Në rrethinën e fshatit Brezë, në një bunker në hapësirë të hapur është gjetur armatimi i vjedhur nga Stacioni Policor në Goshincë (vendin e ka treguar njëri nga të arrestuarit në aksionin në Kumanovë, (Sulejman Osmani), i cili fillimisht, sipas mediave u ka ikur forcave policore, ndërkaq më pas i njëjti është kapur;
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se ka marrë pjesë në bisedimet për dorëzim të grupit;
Njëri prej të arrestuarve ka qenë i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (kompetentët e kanë konfirmuar këtë informatë pasi mediat i kanë pyetur);
Shërbimi Sekret i Maqedonisë ka informuar se për ngjarjet në Goshincë dhe Kumanovë “në lidhje me qëllimet e grupit, kapacitetet e tyre, bazat logjistik, kursit të aksionit të armikut”, ata kanë informuar më herët në korniza të kompetencave të tyre, në pajtueshmëri më ligjin për Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.
Spekulime:
Përfaqësuesit e shërbimeve sekrete të Maqedonisë kanë kontaktuar me anëtarët e grupit disa muaj përpara ngjarjeve të 9 dhe 10 majit;
Agjencia e Kundërzbulimit të Kosovës e ka informuar presidenten e atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Isa Mustafa për incident eventual në Kumanovë;
Përmenden emra të disa politikanëve, agjentëve dhe funksionarëve për përzierje në incidentin e Kumanovës;
Policia nëpërmjet bisedave të përgjuara ka zbuluar se grupi i Kumanovës ka planifikuar që ta sulmojë burgun e Kosovës në Podujevë dhe t’i lirojë dy persona;
Luftimet në Kumanovë kanë qenë të skenuara, gjegjësisht grupi nuk është dashur të luftojë, por vetëm të gjuajë në ajër, ndërkaq më pas i njëjti është tradhtuar dhe ka ardhur deri te incidenti;
Planet për Kumanovën janë bërë në një automjet “BMW” në Ferizaj;
Një natë përpara aksionit janë evakuuar 70% e popullatës nga “Lagjja e Trimave”;
Situata ka dalë nga kontrolli kur anëtarët e grupit kanë filluar të gjuajnë ndaj policisë.
Më poshtë mund ta shihni videon e publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme gjatë aksionit:
Fotografitë në vijim tregojnë dëmin e shkaktuar në shtëpitë e banorëve: