Një prej shqetësimeve kryesore në rradhët e gazetarëve në Shqipëri mbeten kushtet e punës. Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, Unioni i Gazetarëve por dhe vetë gazetarët raportojnë probleme që lidhen më së shumti me mungesën e kontratës së punës, pagesat në bankë dhe kesh më qëllim shmangien e detyrimeve fiskale nga pronarët si dhe vonesat në pagesa. Institucionet përgjegjëse për kontrollet si Inspektoriati i Punës apo Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raportojnë kontrolle dhe konstatime të këtyre problemeve, por në një masë shumë më të ulët nga ato që raportojnë organizatat jo qeveritare. Disa institucione po bëjnë përpjekje të gjejnë mundësi ligjore të reja për t’u ardhur në ndihmë gazetarëve.
Gazetarët në Shqipëri punojnë në një situatë që vlerësohet mjaft problematike nga vetë ata, nga shoqatat e gazetarëve, por dhe institucionet shtetërore që kryejnë inspektime në lidhje me respektimin e kodit të punës. Në Shqipëri ushtrojnë profesionin e gazetarit 3200 persona nga 6200 punonjës që ka në tërësinë e vet i gjithë spektri mediatiak, duke përfshirë televzionet radiot, mediat on line, mediat print, apo ato periodike, paltformat dixhitale dhe ato kabllore.
Një sondazh i publikuar në fillim të muajit maj nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi me 800 gazetarë, vë në dukje se rreth 17 përqind e të anketuarvedeklarojnë se nuk kanë një kontratë pune. Dhe duke përfshirë dhe të punësuarit në mediat jashtë Tiranës shifra shkon në 31 përqind. Sondazhi evidenton se afro 9 përqind kanë vonesa në marrjen e pagës madje dhe disa mujore.
Një prej shqetësimeve të thella që ka shoqëruar gazetarët ndër vite është puna në të zezë. Sipas sondazhit të IDRA, rreth 61 përqind e të anketuarve pranojnë se kanë punuar në të zezë të paktën njëherë në jetën e tyre. Shumica e gazetarëve të nivelit të lartë pohojnë se në fillim të karrierës së tyre ata kanë punuar në tregun informal.
“Në këtë katrahurë që ngaviti 1990 e deri më sot, faji është i shtetit nuk është i yni. Na janë mohuar sigurimet shoqërore. I kemi derdhur, na janë mbajtur dhe kur shkojmë i verifikojmë, na del që ata nuk i kanë derdhur. 10 vite punë më mungojnë”- thotë Xhovani Shyti, gazetar dhe sekretar i përgjithshëm i Unionit të Gazetarëve Shqiptar.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i krijuar 13 vjet më parë e ka denoncuar publikisht këtë skandal, pas falimentimit të një televizioni. Pronarët i kishin mbajtur kontributet por nuk i kishin derdhur ato në thesarin e Inistitutit të sigurimeve shoqërore.
“Ky skandal nga informacioni paraprak që ne kemi si Union i gazetarëve mund të jetë shumë herë më i madh. Kjo do të thotë se shumë prej mediave, përfshi dhe media kombëtare, kontributet e mbajtura ndër vite për punonjësit dhe sidomos gazetarët, nuk i kanë derdhur në thesarin e Institutit të Sigurimeve. Për këtë ne kërkojmë transparencë, sepse siç e dimë çdo e dhënë për individët e punësuar është e mbrojtur nga ligji për të dhënat personale”– shprehet Aleksandër Çipa, Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptar.
Unioni i gazetarëve ka marrë disa nisma edhe për hartimin e kontratës kolektive, e cila pati sukses dhe u aplikua në masën 75 përqind deri në vitin 2013, duke ulur ndjeshëm informalitetin në media. Pas vitit 2013 Unioni raporton se situata është përkeqësuar sërish. E ndërsa IDRA thotë sipas sondazhit se 17 përqind e gazetarëve nuk kishin kontratë pune, Inspekatoriati i punës raporton shifra shumë herë më të ulëta, pas inspektimit të kryer në fund të vitit 2018.
“Kemi bërë 204 inspektime në 88 subjekte që zhvillojnë aktivitetin ekonomik në këtë sektor. 3004 punonjës kanë qënë pjesë e punonjësve të evidentuar. 37 punonjës janë evidentuar pa kontrata pune, ose 1.2 përqind e totalit. Gjendja që ne konstatojmë është ajo me letra zyrtare që ne marrin pranë subjekteve. Prandaj them që ne na ndihmon shumë denoncimi që bëjnë punonjësit. Informaliteti gri në media është shumë i madh por e kemi të pamundur, unë them prap që pa ndidhmën tuaj nuk mund të shkojmë atje ku duhet”– u shpreh Arben Seferi Drejtor i Inspektoriatit shtetërortë Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
Një prej shqetësimeve masive mes gazetarëve lidhet me sigurimet bazuar në pagë minimale dhe jo mbi pagën e vërtetë. Sondazhi i IDRA që u publikua në ditën ndërekombëtare të lirisë së medias vë në dukje se 74 përqind e gazetarëvee marrin pagën të plotë në bankë. Ndërkohë që 1 në 10 të anketuar thanë se e marrin pagën e tyre në dorë dhe 1 në 7 marrin vetëm një pjesë me para në dorë.
“Organet kompetente nuk duhet thjesht të mjaftohen me ato që raportojnë pronarët. Ai nëse derdh 240 mijë të vjetra në bankë është në rregull më ligjin. Pjesën tjetër ta jep kesh. Këta thonë që ti e ke pranuar atë. Unë jam dakort. E kam pranuar. Por ka patur një interes më të madh se sa kjo marrëveshja e momentit. Ka qenë familja”– pohon Xhovani Shyti gazetar.
“Gjatë vitit 2018 ka paturn një inisiativë me mbështetjen edhe tëkomisionit të medias në Kuvend, por edhe me disa institucione të tjera që janë faktor kryesor të kësaj fushe si me Inspektoriatin Shtetëror të punës, apo më drejtorinë e sigurimeve dhe të tatimeve për të bashkuar sinergjitë dhe për të gjetur zgjidhjet për mbrojtje ligjore gazetarëve”- thotë Urim Bajrami, Këshilli i ankesave në AMA.
Drejtoria e përgjithshme e tatimeve i tha Zërit të Amerikës se administrata e këtij institucioni kryen kontrolle sipas indicieve të riskut. Në fushën e medias disa prej këtyre indicieve lidhen me:
1-Mosdeklarimin e pagës reale të punonjësve krahasuar me mesataren e profesionit.
2-Rënie të pagesës së TVSH krahasuar më vitin paraardhës.
3-Qarkullim i lartë, pagesë e ulët e TVSH.
4-Humbje të vazhdueshme të fitimit.
5- Prirje për të barazuar blerjet dhe shitjet.
Po ashtu flitet edhe për disa komponentë të tjerë që kanë nxitur kontrollet. Nga 1285 tatimpagues të kasaj fushe sipas informacionit zyrtar, gjatë 4 vitevejanë ushtruar kontrolle në 11 deri ne 15 përqind të tyre çdo vit. Janë vendosur penalitete për kontributet shoqërore, tatim fitimin dhe TVSH.
Arkëtimet janë kryer në masën 90 përqind dhe pjesa tjeter po ndjek rrugën gjyqësore. Unioni i gazetarëve thotë se kontrollet duhet të jenë periodike dhe jo selektive. Por jo rrallë herë këto kontrolle interpretohen nga subjeket mediatike si sulme ndaj lirisë së fjalës që pasohen me presion mbi insitucionet.
“Për hir të së vërtetës ne kemi patur dhe situata të tilla. I është bërë e ditur subjektit që nuk është qëllimi në vetvete që ne të penalizojmë median, por është për të rregulluar një marrëdhënie punëdhënës-punëmarrës që bën pjesë tek ajo media. Se mund ta marrin sikur kemi diçka personale, ndërkohë që s’ka asgjë personale. Nuk kemi ne asgjë personale me asnjë subjekt”- shprehet Arben Seferi Drejtor i Inspektoriatit shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
“Këtu abuzohet me lirinë e medias. Se çfarë lidhje ka liria e medias me kontrollin për anën financiare, unë nuk e kam kuptuar dhe nuk do ta kuptoj kurrë. Vjen grupi i tatimorëve dheinstancave të tjera dhe tërhiqet sepse këta fillojnë dhe bëjnë zhurmë duke thënë se po dhunohet liria e medias. Ç’lidhje ka liria e medias me mospagesën e sigurimeve. Po tani liria e medias do ma japë mua pensionin?” – thotë Xhovani Shyti gazetar.
Spektri mediatik në Shqipëri është pasqyrë e krejt jetës ekonomike dhe shoqërore që gjithashtu vuan nga të njëjtat probleme ku më i rëndi është ai i informalitetit. Media nuk bën përjashtim, edhe pse në shumicën e rasteve godet disa probleme në sektorë të tjerë, prej të cilave vuan edhe ajo vetë.(VOA)