Ish-deputetja e PD-së, Grida Duma vendosi t’i japë fund martesës 22-vjeçare me bashkëshortin, me të cilin ka edhe një djalë.
Sot Duma ishte e ftuar në “E Diell” në rubrikën “Këndi i së vërtetës” përballë Edi Manushit për të folur për disa detaje nga jeta e saj private, veçanërisht marrëdhënien me të birin.
Teksa sheh sesi djali i saj hedh shtat çdo ditë dhe ka hyrë në fazën e adoleshencës, Duma tregon se atij ka filluar t’i pëlqejë palestra dhe se nuk rri tërë kohës me iPad në dorë. Si çdo nënë, edhe Grida ka filluar ta përjetojë emocionalisht rritjen e tij.
“Më janë shtuar frikërat që po afrohen vitet që unë do të jem shumë më vetëm pa të”, ka rrëfyer me sinqeritet ajo.
Grida ka shtuar se nuk mund të jetë shoqe me të birin dhe kjo e ka një arsye të fortë:
“Nuk mund të jem shoqja e djalit tim sepse njeriu duhet të dijë distancën, ekuilibrin dhe rolet. Po e humbëm këtë, do të thotë se nuk mund ta guidoj. Unë shpresoj që të kem edhe ca vite që ta guidoj”, ka thënë ish-deputetja.
E pyetur për raportin që ka me paratë dhe jetën e luksit ajo u shpreh se familja e saj nuk e njeh jetën e luksit:
“Nuk bëj jetë luksi, të paktën im bir nuk e njeh çfarë do të thotë jetë luksi. Ai ka marrë gjithmonë dhe ka gëzuar teknologjinë që lë unë, nuk ka marrë njëherë një telefon të ri”.