Imami nga Peja, Drilon Gashi po kërkon nga imamet e disa xhamive në Kosovë, që të lexohen ajetet e Kuranit në shqip, në mënyrë që të i kuptoj edhe xhemati, e jo në arabisht.
Gashi, përmes një shkrimi në Facebook, thotë se Kurani ka zbritur që të meditohet, andaj edhe kërkon që të studiohet, të soditet dhe të përsëritet rreth një kaptine të vetme të Kuranit, pasi thotë se është më e lëvdueshme te Zoti, sesa recitimi i tërë Kuranit pa vëmendje.
“Është bërë traditë në disa xhami të vendit tonë që gjatë Ramazanit të bëhet “khatme” i gjithë Kurani. Shumë imamë nëpër xhamitë tona, çdo ditë e lexojnë nga një “xhuz” (1/30 pjesë e Kuranit) para namazit të sabahut, pas tij ose para drekes, në gjuhën arabe. Mirëpo, shumica dërrmuese e atyre që dëgjojnë, nuk po kuptojnë asgjë prej recitimit!
Kurani i Shenjtë ka zbritur që të meditohen ajetet e tij dhe të punohet me të, prandaj mendoj unë, ma sevap është tua lexojnë xhematit në gjuhën shqipe, sesa arabisht.
Studimi, soditja dhe përsiatja rreth një kaptine të vetme të Kuranit, është më e lëvdueshme të Zotit sesa recitimi i tërë kuranit pa vëmendje gjithashtu”, shkruan imami Drilon Gashi në Facebook.