Nga Ermal Mulosmani
Kjo bukuroshe që humbi sot jetën në krye të detyrës është tropojanja 32 vjeçare Zarife Hasanaj. Ajo shkoi në Lituani, atje ku e dërgoi shteti i saj për të pastruar territorin nga minat dhe po u vjen prindërve në arkivol.
Një Zot e di sesi do ta përballojë dhimbjen nëna e saj. Në ëndërrat e saj po numëronte ditët për ta takuar Zarifen, ndoshta edhe orët. Dita e kthimit nuk ishte e largët dhe mezi po e prisnin për t’u treguar për një vend të vogël atje, në Baltikun e largët ku e dërguan.
Por qeshja e saj që sillte dritë në shtëpi nuk do jetë më. Ajo ra në minë, këmba, dora ose trupi i saj preku të paprekshmen, preku vdekjen. Kurajozja, trimja Zarife, me mision heroik.
Minapastruesit janë trimat më të mëdhenj, ata luajnë përditë me vdekjen.
Që fëmijët e Lituanisë të mos rrezikojnë jetën shkoi Zarifja nga Tropoja.
Zarifja sot është krenari dhe dhimbje. Ishte kaq e bukur dhe kaq e re për të vdekur. E dhimbshme në palcë të shpirtit!
Nëpër filma flitet për Markon nga Tropoja.
Në gazeta shkruhet për grabitësin nga Tropoja.
Por dikush duhet të shkruajë për Zarifen nga Tropoja. Për Xipen e mirë…
Zarife, të qoftë i lehtë dheu! Prindërit e tu do të kujtojnë me dhimbje e dashuri për sa të jenë gjallë. E bashkë me ta e gjithë Shqipëria.