Gazeta «Blic» e Beogradit shkruan se Flora Brovina e ka takuar Bin Ladenin në Tiranë në vitin 1995. Përse të mos shpifë fletushka serbe kur edhe vetë Hashim Thaçi vitin e kaluar e akuzonte Sali Berishën se e ka strehuar Bin Ladenin? «Blic» e plotëson rrenën e Thaçit duke thënë se edhe Hashim Thaçi ka qenë në takim me Bin Ladenin. Plus Ramush Haradinaj.
Nga Enver Robelli
Aksioni i marrë i deputetes së PDK-së, Flora Brovina, me fotografinë që gjoja tregonte dhunimin e një gruaje shqiptare nga pjesëtarë të forcave serbe, është pritur me duartrokitje nga mediat serbe, të cilat e kanë shfrytëzuar rastin të intensifikojnë propagandën e ndyrë antishqiptare. «Me gëzof humanitar, me tru të terroristes» – kështu e titullon gazeta «Blic» e Beogradit një shkrim mbi Flora Brovinën. Pastaj në titullin e gjatë paralajmërohet se gjurmët e saj shkojnë deri te Bin Ladeni. Emri i Bin Ladenit shkruhet me shkronja të mëdha.
«Para 24 vitesh, më 1995, Osama Bin Ladeni, atëbotë pothuaj i panjohur për opinionin botëror, qëndroi në Shqipëri, në rezidencën e kryetarit të atëhershëm, e më vonë kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha. Në takimin sekret morën pjesë atëbotë 27-vjeçari Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, më vonë njëri u bë luftëtar, tjetri lider politik i UÇK-së. Në atë takim mori pjesë edhe mjekia Flora Brovina», shkruan, pardon gënjen gazeta serbe «Blic».
Për këtë takim kjo paçavure gazetareske nuk ofron asnjë dëshmi. Shpifjen e rrumbullakon me këtë konstatim: «Sipas informatave të paverifikuara Osama Bin Laden solli një shumë të konsiderueshme të parave për luftën e islamit radikal në territorin e Europës». Kur një gazetë serbe shkruan në bazë të «informatave të paverifikuara», atëherë është e qartë se bëhet fjalë për një grumbull shkronjash të renditura në zyrat e shërbimeve sekrete.
Propaganda serbe nuk është edhe aq befasuese, fundja shtypi serb e ka bërë viktimë të shqiptarëve Gjorgje Martinoviqin, i cili si zyrtar i Shtëpisë së Armatës në Gjilan në vitin 1985 mori një shishe të birrës, shkoi te një arë në fshatin Shillovë, hoqi pantallonat dhe filloi një eksperiment homoseksual. Eksperimenti i dështoi, shishja u thye dhe ai u përgjak. Piktori nacionalist serb Miça Popoviq e ka krahasuar Martinoviqin me Jezu Krishtin. Piktura e Popoviqit mban titullin: «Raspeće Đorđa Martinovića».
Skandaloze është se propagandën serbe ende po e ndihmojnë politikanët injorantë shqiptarë në Prishtinë dhe në Tiranë. Për shembull në gusht të vitit të kaluar kur Sali Berisha kundërshtoi idetë e Hashim Thaçit për ndryshimin e kufijve të Kosovës, presidenti i Kosovës e humbi kontrollin dhe, mes tjerash, shkroi në Facebook: «Nuk i duhen (Kosovës) këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës». A kishte dëshmi për këtë Hashim Thaçi? Nuk i ka prezantuar kurrë. Por kush pyet për dëshmi.
Akuzat e tij kundër Berishës ishin të mirëseardhura për makinerinë propagandistike serbe. Në Tiranë ka jo pak politikanë socialistë që pretendojnë se pa naftën e kontrabanduar nga Shqipëria e Sali Berishës, nuk do të kishte ndodhur as masakra e Srebrenicës. Kjo mendësi s’ka si të quhet ndryshe pos idiotizëm. Por siç nuk zgjedh Sali Berisha mjete për të terrorizuar opinionin me gjuhën e tij polarizuese e urrejtëse, ashtu edhe kundërshtarët e tij nuk ngurrojnë që ta njollosin shtetin shqiptar për interesa të ngushta politike. Në vitet ’90 ka pasur kontrabandë gjithkund në Ballkan, edhe nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi, por për krimet serbe në Srebrenicë fajtorë të vetëm janë forcat serbe të Ratko Mlladiqit të përkrahur nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit.
Shpifja e fundit e gazetës «Blic» për takimin e Flora Brovinës, Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt me Bin Ladenin me gjasë do të kalojë pa asnjë reagim nga politikanët shqiptarë. Nëse nuk ka mundësi që kjo gazetë të paditet (ndonëse edhe kjo duhet të sqarohet nga juristët), së paku mund t’i dërgohet një letër proteste pronarëve të gazetave – shtëpisë mediale zvicerane Ringier (botuese e gazetës bulevardeske Blick) dhe asaj gjermane Alex Springer. Sepse me këso gazetash këto dy shtëpi mediale janë duke e helmuar opinionin publik në Ballkan.