Nga Xhelal Zejneli
Gjuha mësohet nga nëna. Prandaj i thonë: gjuhë e nënës apo gjuhë amtare. Në raste të caktuara, fëmija e mëson gjuhën amtare, jo nga e ëma por nga gjyshja apo nga anëtarët e tjerë të familjes. Pas kësaj, fëmijët e mësojnë gjuhën amtare nga mjedisi ku jetojnë. Me një fjalë, e mësojnë gjuhën popullore. Në vitet e fundit, fëmijët e mësojnë gjuhën shqipe dhe e përdorin atë edhe nëpër çerdhe apo kopshte fëmijësh. Në moshën 6-vjeçare apo 7-vjeçare, fëmijët, tanimë nxënës shkolle, shqipen e përdorin në shkollë. Në çerdhe dhe në shkollë fëmijët dhe nxënësit komunikojnë dhe flasin në gjuhën letrare. Njëherazi, shkolla është vendi apo institucioni në të cilin nxënësit e mësojnë shqipen sipas normave dhe rregullave të caktuara. Në shkollë, nxënësi edhe i zgjeron njohuritë për gjuhën amtare. Për ta mësuar shqipen ndihmon me të madhe edhe të lexuarit e veprave letrare artistike – e romaneve, e vëllimeve poetike, e krijimeve dramaturgjike, e eseve – të autorëve shqiptarë, duke filluar që nga Meshari i Gjon Buzukut e këndej. Shqipen e mësojmë edhe kur i lexojmë veprat e autorëve të huaj, të përkthyera në shqip nga përkthyesit e Shqipërisë. Përkthyesit shqiptarë kanë përkthyer në shqip kryesisht nga frëngjishtja, nga gjermanishtja, nga anglishtja, nga italishtja, nga spanjishtja, nga rusishtja … Janë përkthyer vepra të klasikëve botërorë. Vitet e fundit vijnë në shqip edhe vepra të krijuesve bashkëkohorë.
Gjuha nuk mësohet prej mediumeve. Me fjalë të tjera, gjuha nuk mësohet prej gazetave, prej revistave, prej portaleve, prej emisioneve televizive apo prej filmave dhe serive televizive. Gjuhën e mësojmë në shtëpi, në mjedisin ku jeton si dhe në shkollë. S’ka dyshim se përdorimi i drejtë i shqipes në jetën publike, në mediume dhe në institucione ndikon pozitivisht në ngritjen e kulturës së komunikimit të qytetarëve. Gjuha nuk mësohet nëpër kurse. Ajo përvetësohet në shkollë dhe me ndihmën e teksteve shkollore – në shtëpi.
Shqiptarët shqipen e trashëgojnë prej të parëve të tyre – ilirëve. Shqipja është bijë e ilirishtes. Studiuesi gjerman Franc Bop (Franc Bopp, 1791-1867) është një nga themeluesit e linguistikës si shkencë e pavarur. Është autor i studimit “Gramatika krahasuese e gjuhëve indoevropiane” (1833-1852). Bopi është i pari dijetar i cili e argumentoi shkencërisht karakterin indoevropian të gjuhës shqipe. Sipas tij, shqipja bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane (indogjermane). Linguisti gjerman August Shllajer (August Schleicher, 1821-1867) është krijues i Trungut gjenealogjik të gjuhëve indoevropiane. Shqipen e ka vënë mu në rrënjën e kësaj peme.
Gjuha shqipe flitet: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi, ndër çamë. Shqipja flitet edhe në diasporën shqiptare: në Evropë dhe në ShBA. Shqipja flitet sot e gjithë ditën edhe tek arbëreshët e Sicilisë dhe të Kalabrisë. Flitet edhe në lagjen Arbanasi të Zarës. Shqipen e përdorin edhe shqiptarët nëpër ngulime sikundër janë ato në Bullgari, në Rumani, në Ukrainë. Shqiptarë ka edhe në Turqi.
Shqiptarët komunikojnë duke përdorur të folmet e tyre, nëndialektet apo dialektet të cilave u përkasin, si dhe duke zbatuar gjuhën letrare. Një pjesë e shqiptarëve në shtëpi e përdorin të folmen e zonës të cilës i përkasin ose nëndialektin apo dialektin të cilit i përkasin. Edhe jashtë shtëpisë e përdorin të folmen e zonës nga vijnë apo nëndialektin dhe dialektin të cilit i përkasin. Një pjesë e shqiptarëve gjuhën letrare shqipe e përdorin vetëm në shkollë, madje vetëm gjatë orës mësimore apo gjatë procesit mësimor. Sapo bie zilja e shkollës, nxënësit, përfshi edhe një pjesë të caktuar të studentëve, e lënë letraren për të vazhduar në të folmet, në nëndialektet dhe në dialektet e tyre.
Gjuha shqipe është një. Ajo është e pandashme. Shqipja nuk është vetëm mjet komunikimi. Ajo është edhe komponentë e rëndësishme, në mos kryesore dhe vendimtare e identitetit kombëtar. Naimi dhe Fishta e quajtën shqipen gjuhë e Perëndisë. Nuk ka gjuhë shqipe dhe gjuhë kosovare. Kjo pikëpamje është thellësisht antikombëtare. Nuk ka dhe kurrë s’ka për të pasur gegërishte letrare që do të përdorej në Kosovë. Ekzistimin e një gegërishteje letrare dhe përdorimin e saj në jetën publike e mbështesin akademikët serbomëdhenj dhe antishqiptarët përreth.
Norma letrare e shqipes është përcaktuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Tiranë, prej 20 deri në 25 nëntor 1972. Gjuha është si një organizëm i gjallë që vazhdimisht zhvillohet. Megjithëkëtë, zhvillimi i shqipes s’ka të bëjë me parimet themelore të tubimit gjithëkombëtar të sipërthënë. Pikëpamjet se kongresi i drejtshkrimit u mbajt në kohën e komunizmit apo të diktaturës, janë kryekëput të pajustifikueshme. Gjuha nuk është politikë. As ideologji.
Gjuha letrare shqipe duhet të përdoret, si në jetën publike ashtu edhe në atë private. Letrarja duhet të përdoret në familje, në rrugë, pra kudo. Letrarja duhet të përdoret, jo vetëm kur jemi në detyrë zyrtare, por kur ndodhemi edhe jashtë saj. Ka raste kur shqipen letrare s’e përdorin ndër vete mësuesit, arsimtarët dhe profesorët. Ndodh që ndonjë mësues, arsimtar apo profesor gjuhën letrare të mos e përdorë edhe në klasë gjatë orës mësimore. Kjo është e tmerrshme, e palejueshme. Kjo sjellje meriton qortim dhe vërejtje. Në shumë raste, gjuha letrare nuk gjen zbatim edhe te bashkëshortët, ndonëse që të dy janë me arsimim universitar. Në shumë raste, prindër me formim universitar, me fëmijët e vet flasin në gjuhën popullore.
Midis të folurit shqip dhe të shkruarit në shqip, nuk duhet të ketë dallim. Ka që thonë se mënyra e përdorimit të gjuhës është pasqyrë e nivelit të kulturës të një individi. Sidoqoftë, kur njeriu flet, nuk lë gjurmë, por shkruan, në letër lë gjurmë. Tanimë duket sesi e ka thënë atë që ka dashur ta thotë. Gjurmëve s’u ik dot kush.
Gabime ndodhin, jo vetëm kur e flasim shqipen, por edhe kur e shkruajmë atë. Gabime në të shkruar hasen me të madhe, duke filluar prej te mësuesja deri tek anëtari shqiptar i Akademisë së Shkencave. Gjatë të shkruarit, gabimet që bëhen janë: drejtshkrimore, fonetike, morfologjike dhe sintaksore. Asnjë gabim nuk duhet të tolerohet. Megjithëkëtë, gabimi drejtshkrimor ka më pak peshë se ai sintaksor. Personi me njohuri të kufizuara të shkrimit të shqipes mendon se një shkrim apo një punim duhet të korrigjohet vetëm në aspektin drejtshkrimor. Korrigjimin e gabimeve drejtshkrimore ai e konsideron lektorim. Ai nuk e di se me lektorimin e një teksti nënkuptohet në radhë të parë kontrollimi i anës sintaksore të tij. Ai që s’i del zot anës sintaksore, s’është në gjendje t’i eliminojë si duhet as gabimet drejtshkrimore. Disa gabime drejtshkrimore detektohen edhe me vënien në veprim të programit kompjuterik. Por, ai që pandeh se korrigjimi i një teksti mund të bëhet nëpërmjet programit kompjuterik, është larg njohurive mbi gjuhën. Programi i lartpërmendur mund të ndihmojë jo më shumë se 20 për qind. Thelbi i një gjuhe është historia e saj dhe gramatika e saj.
Pjesë e gabimeve gjuhësore janë edhe ato terminologjike. Çdo fushë apo lëmë e ka terminologjinë e vet. Popujt me tradita shtetërore dhe me shkallë të lartë të zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe tekniko-teknologjik kanë terminologji të zhvilluar për lëmenj të ndryshëm. Popujt me shtetësi të vonuar dhe me shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik, shoqëror, tekniko-teknologjik terminologjinë e huazojnë prej të tjerëve, d.m.th. prej gjuhëve të tjera si anglishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja.
Gabime gjuhësore hasen në gazetat ditore dhe në revista. Dikur shkrimet që u janë dërguar gazetave ditore, para se të ishin botuar, kanë kaluar nëpër duart e lektorëve dhe të redaktorëve. Një gjë e tillë, sot praktikohet më pak. Gabime hasen edhe në shkrimet e disa autorëve që botohen në mediumet elektronike, nëpër portale të caktuara. Përgjegjësia në këtë mes, më parë se mbi kryeredaktorët, redaktorët, lektorët e gazetave, të revistave, të mediumeve elektronike, të portaleve – bie mbi autorët e artikujve. Përse?! Për arsye se gati të gjithë ata që shkruajnë, janë persona me arsimim universitar. Madje, midis tyre ka edhe të profilit të gjuhës shqipe apo të gjuhëve të huaja – anglishtes, gjermanishtes, frëngjishtes. Personi me përgatitje universitare, pavarësisht se ç’degë ka studiuar, duhet të posedojë njohuri solide në të shkruarit e gjuhës shqipe. Kurrë s’mund të jesh avokat, noter apo gjyqtar i mirë po qe se nuk ke njohuri solide për gjuhën amtare. Ai që s’ka njohuri të mirëfillta për gjuhën amtare kurrë nuk mund të bëhet pedagog, mësues, arsimtar apo profesor i mirë. Njohja e gjuhës amtare është conditio sine qua non për arritjen e suksesit në një fushë të caktuar.
Shkrime me gabime gjuhësore botojnë edhe persona me tituj akademikë, magjistar dhe doktorë të dijes. Personat që shkruajnë, sidomos këta me tituj akademikë, para se t’i dërgojnë shkrimet e veta për botim, është mirë që paraprakisht t’i dërgojnë në lektorim. Ndryshe, komprometohen dhe e diskreditojnë veten.
Në hapësirat shqiptare gabime gjuhësore hasen edhe në emisionet radio-televizive. Gabime gjuhësore, ku më shumë e ku më pak, hasen në të gjitha studiot televizive, përfshi edhe ato të Shqipërisë. Shtëpitë televizive, materialet e emisioneve informative i sigurojnë prej agjencive të lajmeve. Disa shtëpi televizive informatat i sigurojnë apo i përkthejnë vetë. Shumë përkthyes të agjencive informative apo të studiove televizive nuk e njohin sa duhet punën e përkthimit, ndonëse me vite merren me këtë punë. Për të përkthyer në shqip nga një gjuhë tjetër, në radhë të parë duhet ta dish mirë gjuhën amtare, d.m.th. shqipen. Ai që s’e di mirë gjuhën amtare, nuk mund ta njohë mirë asnjë gjuhë tjetër. Tjetër është të komunikosh në anglisht apo në gjermanisht, krejt tjetër është t’i njohësh si duhet këto gjuhë. Shqiptarët që punojnë në Hamburg, komunikojnë në gjermanisht, por s’mund ta përkthejnë Gëten, Kafkën apo Fridrih Niçen.
Punimet e magjistraturave apo tezat e doktoratave të disa universiteteve shqiptare, që kanë kaluar pa iu nënshtruar lektorimit, kanë pasur një mori gabimesh gjuhësore. Detyrimi i lektorimit të tyre ka qenë zgjidhje e drejtë. Gabime gjuhësore hasen edhe në aktet administrative të pushtetit vendor, të organeve të gjyqësisë, të njësive rajonale etj. Gabime gjejmë nëpër mbishkrime të ndryshme si dhe nëpër emërtimet e institucione. Gabime gjuhësore dhe terminologjike hasen edhe në materialet bankare, financiare, postare …
Gabimet gjuhësore bëhen edhe kur shkruajmë shqip, ngase nuk kemi njohuri të duhura për gjuhën, por edhe kur përkthejmë në shqip, ngase nuk kemi njohuri të mjaftueshme në lëmin e përkthimit. Po qe se çdo gjë shndërrohet në biznes, atëherë gabimet gjuhësore do të jenë të pashmangshme. Ka të tillë të cilët të shkruarit e shndërrojnë në zanat. Ai i cili nga shkrimi krijon zanat, ai nuk shkruan. Ai është kalemxhi.
Duhet shtuar se në hapësirat shqiptare, në jetën publike është në përdorim gjuha letrare shqipe dhe norma letrare e saj. Çdo familje shqiptare në bibliotekën familjare duhet ta ketë Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe, Gramatikën e gjuhës shqipe – fonetikën, morfologjinë dhe sintaksën, Historinë e gjuhës shqipe, Fjalorin e fjalëve të huaja etj. Ata që shkruajnë, librat apo tekstet e sipërthëna duhet t’i vënë në zbatim.
Në shkollat shqipe, gramatika e gjuhës shqipe duhet të ligjërohet si lëndë e veçantë dhe jo sikur tani, gjuhë e letërsi bashkë.
Historia e një gjuhe është historia e atij populli!