Ballina Aktualitet Opinione “Më fal që s‘të fola shqip…”

“Më fal që s‘të fola shqip…”

Nga Enver Robelli

1.

Jeta është plot e përplot me rrëfime. Merr trenin në Zürich për të shkuar në Basel, futesh në vagonin me restorant dhe shikon në horizont. Është verë dhe vjeshta duket në prag, së paku në Zvicër. Befas, me këmbë të lehtë, erdhi kamerieri dhe e mori porosinë shpejt, ishte pak i stresuar. Kur e solli kafenë i fola shqip dhe s’ia mora kusurin. «Më fal që s’të fola shqip… », tha kamerieri.

Pastaj tregoi se është nga një fshat i Kamenicës, se këtë punë e bën qe rrafsh 18 vjet, tani me këtë tren do të shkojë deri në Hamburg. Në metropolin verior gjerman do të mbërrijë rreth orës 22:00, do të ngutet të fle dhe nesër në orën 07:20 do të niset nga Hamburgu në Zürich.

Do të shërbejë qindra kafe, birra, gota me verë, ushqim, do të dëgjojë rrëfime të pritura e të papritura nga njerëz të panjohur, ndonjë bakshish do marrë me siguri dhe do të falënderohet me përzemërsi. Rruga e mbarë, kamerier Naim Canaj! Pa gjuhën shqipe mund të humbni rrugën edhe në trenat e Zvicrës.

2.
Jeta është plot e përplot me rrëfime. Në trenin Chur-Tirano (qytet në Italinë veriore) takova së fundi një burrë nga Kosova. Viteve të fundit kishte punuar taksist në St. Moritz, vend i të pasurve, vend i shampanjës dhe milionave. Vend i qetësisë alpine dhe mrekullive të natyrës. «Erdha në këtë vend më 1973», tha mërgimtari, që s’është më mërgimtar, por qytetar i botës së lirë.

«Erdha me tren. Nga Bujanovci në Zürich», shpjegoi ai. Tregoi pastaj se si u «integrua» në Zvicër: fillimisht punëtor në ndërtimtari, në mbrëmje pas heqjes së pluhurit nën currilat e dushit, përgatiti shpejt e shpejt ushqimin dhe e afroi te veshi tranzistorin, atë radion e vogël, e cila e sillte në çdo dhomë shqiptare «BBC» dhe «Zërin e Amerikës». Me trup në Zvicër, me mendje në Kosovë.

Nganjëherë në fundjavë merrte pjesë në demonstrata, nuk pyeste kush i organizonte, me rëndësi të protestohej kundër terrorit serb në Kosovë. Në demonstrata vishte një «maicë» (fanellë) me shqiponjë. Në fund të vitit shkonte në zyrën e Behgjet Sallahut në Zürich dhe blinte një biletë treni – herë për Bujanovc, herë për Fushë-Kosovë. Shkonte te familja në një fshat të Vitisë. Sillte dhurata. Biçikleta për fëmijë, çokollata e para për të gjithë dhe rrëfime për gjithë katundin. Gati gjysmë shekulli ka kaluar nga ajo kohë.

«Tash jam i lumtur për veten dhe i pikëlluar për Kosovën», tha ai që erdhi me tren në Zvicër më 1973. I lumtur, sepse është pensionist i Zvicrës. I lumtur, sepse për çdo hall me shëndet mund të shtrohet në spitalet më të mira. I lumtur që pa frikë mund të vijë në Kosovë. Njëkohësisht ky njeri, ky mërgimtar e qytetar i botës është i pikëlluar – i pikëlluar për gjendjen e Kosovës.

E kishte menduar ndryshe… shumë më ndryshe… Kosovën… «Kur hanim darkë, lugët tona shpesh mbusheshin me lot… ‘Kur ta ktheva Kosovë shpinën…’. Është një këngë, ti e di… se ty po të njoh, të kam lexuar shpesh…». Pastaj zbriti nga treni duke luftuar kundër lotëve dhe në kujtesën time mbetën dy duar në ajrin alpin zviceran. Dy duar që më shumë se lamtumirë thoshin mirupafshim…