1.Iu riktheve përkthimit? Dhe sidomos Kunderës. Mungesë apo ngushëllim prej politikës së ditës?
– Iu riktheva?! Me zemër dhe në nëndije s’e kam lënë kurrë përkthimin. Është një ushtrim mendor që të ndihmon në të gjitha profesionet dhe aktivitetet intelektuale. Përkthime për veten e me veten kam bërë gjithmonë, e reja tani është se kam marrë një angazhim profesional për një botim të ri në shqip të Milan Kunderës që titullohet “Ngadalësia”. S’kam arsye për ngushëllime! Por kam më shumë kohë për t’ia kushtuar njërit prej pasioneve të mia që është përkthimi letrar.
2.Çfarë po ndodh me intelektualët e politikës? Po bëhen si dinosaurët së shpejti?
– Intelektualët (me gjithë rezervat dhe abuzimet që mbart kjo fjalë jo vetëm në kontekstin shqiptar) nuk janë të politikës. Ata janë ose s’janë intelektualë. Pastaj është çështje tjetër nëse intelektuali zgjedh të jetë i angazhuar si qytetar i lirë dhe të kontribuojë me opinionet e veta politike apo profesionale në zhvillimin e shoqërisë, apo vendos që një ditë të kalojë Rubikonin, dhe me dijet dhe përvojat e veta të kontribuojë në një tjetër formë në zhvillimin e shoqërisë, në politikëbërje dhe në vendimmarrje, duke synuar që sa më shumë nga ëndrrat dhe aspiratat e tij dhe të komunitetit që përfaqëson t’i kthejë në realitet. Kjo nuk do të thotë që ai nuk është më intelektual, ama kjo do të thotë se ai nuk është më i pavarur.
3.A ke menduar se sikur në politikë të ishte një ligj që duhet të pranoheshin vetëm intelektualë, Shqipëria mund të ishte e avashtë por kurrë e mbrapshtë?
– Jo, sepse unë nuk mendoj se politika duhet të bëhet vetëm nga intelektualët, se Shqipëria nuk është vetëm e intelektualëve por edhe shumë grupeve e shtresave të ndryshme sociale, të cilat duhet të jenë demokratikisht dhe realisht të përfaqësuar në politikëbërje. Dhe as nuk mendoj se intelektualët janë më të mirët e një vendi, e as të Shqipërisë, për t’ua lënë vetëm atyre në dorë.
4.Pse janë shtuar mediokrit kudo?
– Nuk di të ketë ndonjë studim për këtë. Unë do të thoja se është shtuar komunikimi virtual, sipërfaqësor, pa sistem vlerash dhe pa filtra profesionalë të komunikimit, pasojë kjo e papërgatitur e rrymës së vrullshme të mediave sociale. Dhe për këtë Umberto Eco e ka një mendim kur thotë se “rrjetet sociale u mundësojnë njerëzve të komunikojnë mes tyre, por u japin mundësinë edhe skaljoneve të budallenjve të cilët më parë flisnin në kafene pasi kishin kthyer ndonjë gotë, ndërsa tani kanë të njëjtën të drejtë fjale si dhe ata që kanë marrë Çmimin Nobel”.
5.Çfarë kuptova kur ishe atje lart, ministre? Leksioni më i madh?
Që kur “je atje lart”, duhet të jesh gjithmonë me këmbët poshtë, mbi tokë. Se siç thotë Kundera “kush kërkon të “ngrihet” parreshtur duhet ta presë që një ditë t’i merren mendtë”; që asgjë nuk duhet të të bëjë të harrosh objektivat e mëdha për të cilët “je atje lart” dhe për të cilët të kanë besuar, por të cilët arrihen vetëm me punë në skuadër. Leksioni më i madh është të jesh e duruar se puna nuk të lë në baltë dhe se çdo punë duhet parapërgatitur dhe duhet komunikuar gjatë.
6.E bukura e pushtetit?
– Të bukurën e pushteti nuk e di. E bukura e detyrës që mora përsipër është sfida e projektimit, sfida e krijimit, arritja e rezultatit, mirënjohja e skuadrës, kënaqësia e jashtëzakonshme kur e sheh punën tënde të jetësuar në komunitet dhe kur komuniteti përfiton prej saj. Kjo s’ka të paguar!
7.E keqja?
– Keqkuptimet dhe moskuptimet (nuk po flas për keqdashjet..) që vijnë nga paragjykimet që pëson kur je “në pushtet”, me të cilat duhet të përballesh duke qenë vetë mirëkuptues dhe duke e pranuar këtë pozicion me të gjitha kostot njerëzore që mbart. Në këtë punë ka dhe humbje marrëdhëniesh njerëzore që dhembin, sidomos kur nuk rikuperohen dot sepse mesa duket keqkuptimi ose moskuptimi ka qenë më i madh se sa koha që ke pasur në dispozicion për t’u shpjeguar reciprokisht.
8.E papërballueshmja?
– Hëmm… tani që kthej kokën pas, mendoj se asgjë nuk është e papërballueshme nëse futesh me pasion dhe me besimin tek ajo që bën. Pasioni dhe besimi të ndihmojnë të bësh skuadër dhe kur bën skuadër asgjë nuk është e papërballueshme.
9.Çfarë thotë Kundera për seksin dhe pushtetin? Nëse jo ai, kë thënie beson personalisht?
Kundera nuk para flet për seksin, e lë të ndodhë kur u duhet personazheve të tij. Ama Kundera flet për dashurinë. Dhe flet madhërishëm thjesht. Ka një pasazh te “Lehtësia e padurueshme e qenies” ku thotë: “Tomasi thoshte me vete: të shkosh në shtrat me një grua dhe të flesh me një grua, ja dy pasione jo vetëm të ndryshme por gati të kundërta. Dashuria nuk shfaqet thjesht me dëshirën për të bërë dashuri (kjo dëshirë të vjen për një numër të pafundëm grash) por me dëshirën për të ndarë gjumin me të (këtë dëshirë ta ngjall vetëm një grua)”.
Sa për pushtetin, nuk kam mëtuar të ndjek e të ngul në kokë se çfarë thonë mendjet e mëdha për të. Nuk e kam kërkuar ndonjëherë pushtetin që ta mësoj teorikisht. Siç e thashë pak më parë, edhe kur vendosa të futem në politikë nuk mendoj se mora pushtet por pranova një detyrë. Edhe bash për këtë Kundera thotë: “Problemi i pushtetit është njësoj kudo, si në Perëndim dhe në Lindje. Ne nuk duhet të zëvendësojmë një lloj pushteti me një tjetër, por ne duhet të mohojmë vetë PARIMIN e pushtetit, duhet ta mohojmë kudo”. Dhe unë këtë e besoj ndonëse e pranoj që është rrugë shumë e gjatë për ta arritur.
10.Si do e përshkruaje Instagramin? Po të më pyesje mua, i ke si mini-mini romane?
– Si një lehtësi të padurueshme të shkrimit të munguar. Por edhe si një ushtrim stili sfidues sepse e bën fotografinë të flasë dhe tekstit i jep ngjyrat e lëvizjet e imazhit.
11.Pushimet si koncept? Çfarë janë në vetvete? Kush i shpiku?
– Pushimet sipas meje janë nevoja e shpirtit dhe trupit njerëzor për të zëvendësuar përkohësisht një aktivitet prodhues për të tjerët dhe për detyrën që marrim përsipër me një aktivitet ushqyes për shpirtin, oksigjenues për trurin dhe relaksues për trupin. Është realizim i egoizmave të individit që detyra s’t’i lejon. Ështe koha për të realizuar ca ëndrra të vockla që duan një kohë e një përkushtim që nuk i ke gjatë vitit. Është çasti i frymëzimeve dhe i meditimeve që kërkojnë pak tjetërsim në kohë e në hapësirë. Por nga të gjitha këto përfiton koha e punës që vjen më pas. Kjo është pak po e sigurtë.
Kush i shpiku? – Po e gjeta, unë që kisha më shumë se 5 vjet që s’bëja pushime, do e puth në ballë! Njeri i mençur duhet të ketë qenë! /Tiranapost.al