Ballina Aktualitet Albin Kurti feston në Tiranë, fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje!

Albin Kurti feston në Tiranë, fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje!

Këtë të diel, Albin Kurti do të festojë në Tiranë, fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje! në zgjedhjet e 6 tetorit. Përmes një njoftimi, Lëvizja Vetëvendosje! fton të gjithë që t’i bashkohen kësaj festë.

“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri ju fton të na bashkoheni në Tiranë në mbrëmjen festive që organizojmë për të shënuar fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë. Në këtë aktivitet i ftuar nderi është Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili do të mbajë edhe një fjalë rasti.

Ju mirëpresim ditën e diel, më 20 tetor, ora 19:00, te Bar Kinema Millenium, pranë “pedonales” në qendër të Tiranës.”,- njofton Vetëvendosje!/K.C/dritare.net

Është paradite e 15 Tetorit dhe në zyrat e Vetëvendosjes në Tiranë, në rrugën e Barrikadave, na e hap derën një vajzë e re. Ajo është Megi Mustafaraj, 24 vjeç nga Skrapari. Gazeta Mapo shkoi në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje për të mësuar sa interes kanë shqiptarët këtej kufirit për këtë lëvizje pas fitores së zgjedhjeve në Kosovë më 6 Tetor.

“Sot është qetësi sepse mbrëmë ne aktivistët e lëvizjes në Tiranë kishim një takim deri vonë. Po në zyrat tona çdo ditë vijnë të rinj që kërkojnë të anëtarësohen në lëvizje dhe ky trend është më i madh pas fitores në Kosovë”– na thotë Megi.

Këtë gjë e konfirmojmë dhe nga fotot e hedhura në faqen e tyre në ‘Facebook’, ku shihen kryesisht të rinj që janë bërë pjesë e VV-së këto ditë. Sipas Mustafarajt deri më tani numërohen rreth 200 aktivistë nga Shqipëria.

Takimi i të martës në mbrëmje ka pasur si qëllim organizimin e një feste fitoreje në Tiranë vetëm 2 javë pasi fitorja u shënua në Prishtinë dhe kreu i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, do të jetë kryeministri i ri i Kosovës.

Festa e fitores në Tiranë do të mbahet të dielën më datë 20 Tetor në sheshin para kinema Milenium. “I pranishëm do të jetë dhe kryetari i saj Albin Kurti”, na pohon drejtori ekzekutiv i Vetëvendsojes në Tiranë, Bojken Abazi. Pra kryeministri i ri i Kosovës që është zgjedhur duke mbajtur në fushatë vetëm simbolet shqiptare, flamurin Kuq e zi dhe jo atë të Kosovës, do të festojë fitoren edhe në Shqipëri.

Siç mësoi Mapo, Kurti do të vijë në Tiranë me një agjendë të kufizuar vetëm në takimin e aktivistëve të lëvizjes së tij në Shqipëri dhe nuk ka parashikuar asnjë takim zyrtar. Theksojmë se që nga fitorja e tij në Kosovë ai nuk është takuar me asnjë politikan të lartë shqiptar.

Festa e fitores do të kufizohet me aktivistët e VV-së dhe qytetarët e Tiranës.

Duket se ambiciet politike të VV-së në Shqipëri janë jo fortë të qarta për momentin. Kjo lëvizje është regjistruar si OJF, dhe nuk ka hëpërhë plane për t’u regjistruar si parti politike dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet më të afërta.

Zyrat e tyre përbëhen nga 3 dhoma apartamenti, njëra funksionon si sallë mbledhjesh, po nuk mund të rrinë më shumë se 20 veta në këmbë.

“Takimet me Albinin i bëjmë në ambjente të tjera, ndonjë bar-kafe, dhe mblidhemi rreth 100 veta”, na thotë Megi.

Si lindi VV-ja në Tiranë, nga cilat shtresa vijnë aktivistët e saj dhe a do të kthehet ajo në një parti politike së shpejti, në gazetën Mapo Print nesër do të jetë intervista me drejtorin e zyrës së Vetëvendosjes në Tiranë, Bojken Abazi.

/Blerina Gjoka/ Mapo.al