Ballina Aktualitet ALTERNATIVA: SA MË SHPEJTË TË SHPALLEN ZGJEDHJET E PARAKOHSHME PARLAMENTARE (VIDEO)

ALTERNATIVA: SA MË SHPEJTË TË SHPALLEN ZGJEDHJET E PARAKOHSHME PARLAMENTARE (VIDEO)

Pas refuzimit të Bashkimit Europian që Maqedonisë së Veriut t’i japë datë për fillimin e negociatave, duke dhënë mesazhin se BE-ja po i mbyllë dyert e integrimit europian, sot u takua Kryesia Qendrore e Alternativës, e cila konstatoi se për ne tashmë është shuar njëra nga arsyet për të cilën Alternativa u bë pjesë e kësaj qeverie. Këtu duhet të rikujtojmë se shkaku se pse ne iu bashkuam shumicës dhe u bëmë pjesë e pushtetit ekzekutiv ishte pikërisht integrimi euro-atlantik.

Dhe, në kohën kur anëtarësimi në NATO tashmë është evident, për çka ne kemi dhënë kontribut të pamohuar, sepse kanë mbetur vetëm edhe pak vende që ta ratifikojnë protokollin e anëtarësimit, me çka përmbushet edhe synimi ynë, ne jemi këtu të themi se Alternativa u bë partia model e qeverisjes së mirë, të pakorruptuar dhe transparente, që nuk është parë deri tash në skenën politike të vendit. Por, fakti që dera tjetër e integrimit – ajo në BE – është vënë para pengesës serioze, ne gjykojmë se kjo është e mjaftueshme që vendi detyrimisht të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Me këtë rast deklarojmë se edhe përkundër vendimit të BE-së për të na refuzuar, pra pavarësisht a bëhemi vend i BE-së apo jo, ne mbetemi të përkushtuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës, shtetit të zhvilluar dhe shtetit tipik europian. Ndërkaq në frymë të platformës “Vatra jonë”, pas kësaj për neve më i rëndësishëm se integrimi është pikërisht shteti i mirëqenies, drejtësisë dhe zhvillimit. Sipas Alternativës, është koha e fundit që qytetarët tanë ta kuptojnë se e mira nuk duhet të jetë diçka që vjen nga jashtë, por është diçka që do të duhet ta prodhojmë vet ne për të mirën tonë.

Nisur nga kjo Alternativa kërkon që sa më shpejt të shpallen zgjedhje të parakohshme dhe ta verifikojmë verdiktin e qytetarit për përfaqësuesit e dëshiruar. Për këto arsye, planifikojmë që së shpejti ta ftojmë Kuvendin Qendror të partisë për ta marrë vendimin përfundimtar përkitazi me qëndrimin dhe pozicionin tonë të mëtutjeshëm. Natyrisht, para kësaj kërkojmë të ridefinohet Kodi Zgjedhor dhe të pastrohet lista zgjedhore.