Ballina Aktualitet Lajme (VIDEO) Digjen dy shtëpi në Seravë, tre familje mbesin pa kulm mbi...

(VIDEO) Digjen dy shtëpi në Seravë, tre familje mbesin pa kulm mbi kokë

Për më pak se 15 minuta, gjithçka ishte bërë shkrumb e hi. Gjithçka që kishte ngelur ishin muret gjysmë të shembura dhe mbetjet e orendive shtëpiake dhe rrobave të djegura. Intensiteti i madh i zjarrit që kishte shpërthyer në lagjen Seravë të Çairit, kishte djegur 2 shtëpi në të cilat jetonin 3 familje me pronarët Muaz, Mursel dhe Mumin Memedi. Por, fatmirësisht, nuk kishte viktima. E tani gjithsej 15 anëtarët kanë ngelur pa kulm mbi kokë, ndërkaq përkohësisht do të strehohen tek familjarët e tyre. Përshkrimi nga vetë banorët për fatkeqësinë e cila kishte ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit, ishte shumë e trishtë. Mursel Memedi, pronari i njërës prej shtëpive tregon se të gjithë kanë qenë në gjumë kur zjarri ka filluar të përhapet dhe gjëja e parë që kanë bërë ka qenë shpëtimi i anëtarëve të tjerë.

Për familjarët, shkaqet e shpërthimit të zjarrit ende mbeten të panjohura, ndërkaq ekspertiza nga ana e policisë pritet të bëhet pas një ose dy ditësh.

Mursel Memedi, pronar i shtëpisë

“Ishte panikë e madhe, zjarr i madh…familja e përjetoi shumë keq, ishte trishtim i madh…Ata dolën më herët kur e pamë se zjarri e kishte kapur shtëpinë dhe i nxjerrëm menjëherë fëmijët jashtë. Ajo ishte, erdhën zjarrfikësat e fikën zjarrin…Dëmi është shumë i madh si për mua edhe për fqiun aty afër. Për dëmin nuk di çfarë të them, e patë edhe vetë…Kati lartë është krejtësisht i djegur, katet poshtë uji që ka hyrë prej zjarrfikësve, pra edhe aty janë dëmet e mëdha. Momentalisht jemi nëpër familje, por për pastaj nuk e dimë, nuk kemi as ujë as rrymë”.

Ata thonë se i kanë lajmëruar zjarrfikësit në kohë, por për shkak të rrugëve të ngushta dhe të mbi ngarkuara me vetura, ndihma u ka ardhur me vonesë.

Mejdi Fejzullahu, dëshmitar

“Ne i prisnim të gjithë zjarrfikësit, pastaj erdhën ata për 15 minuta, u fik zjarri dhe kështu. Mirëpo këtu është shumë ngushtë, zjarrfikësit kanë probleme, sidomos Serava dhe Gazibaba dhe Dizhon. Zjarrfikësit kanë mundur të vijnë edhe më herët, por i kanë rënë më shkurtë, por nuk kanë mundur të depërtojnë dhe pastaj kanë shkuar përmes një rruge tjetër…Kjo edhe ajo tjetra do të kishin shpëtuar nëse do kishin ardhur në kohë”.

Këto familje shpresojnë që të hasin në ndihmë nga të gjithë njerëzit human, për shkak se vatra ku ata kishin kaluar gjithë këto vite tashmë ishte e shkatërruar dhe ishte bërë e pabanueshme.

Emine Ismaili /SHENJA/

https://youtu.be/1IgOeY8uscs