Pa mbushur 24 orë të plota, janë vjedhur drunjtë e sapo mbjellë dekorativ në një zonë publike të Komunës së Çairit. Bëhet fjalë për dru të cilët mbillen për herë të parë tek ne e që janë importuar nga jashtë pasi të njëjtat nuk kultivohen në vend. Mbjellja e këtyre druve dekorativ është bërë në 8 zona të ndryshme të kryeqytetit, ndërkaq vjedhja e tyre ka ndodhur vetëm në zonën e Çairit. Rasti është paraqitur në polici. Ndërmarrja “Parqe dhe Gjelbërime” pret nga inspektimi i ekipeve të Qytetit të Shkupit të kuptojnë se sa ka kushtuar dëmi që më pas evidencën ta dërgojnë në polici.
Kemi punuar ditë natë, edhe të shtunën edhe të dielën edhe atë në shi me gjithë ndërmarrjen për ta rregulluar këtë vend, por fatkeqësisht vetëm tek ne në pjesën e Çairit ndodhi ky vandalizëm. Është e pamundur të vendosim kamera, nuk e di kujt mund t’i pengojë gjelbërimi që bëhet në pjesën tonë për së pari herë. Përpos apelit, asgjë tjetër nuk mund të bëjmë ne, nuk mund të vendosim rojtar 24 orë t’i ruaj këto, nëse ne nuk i ruajmë atëherë fatkeqësisht kjo do të na ndodhë – deklaroi Ardijan Muça, drejtor i Ndërmarrjes Publike “ Parqe dhe Gjelbërime.
Qytetarët e anketuar dënojnë këtë akti, por thonë se kjo ndodh për shkak të gjendjes ekonomike.
“Kjo ndodh se është shtet pa shtet, s’ka pushtet, të gjithë janë vjedhës. S’ka mekanizëm këtu, partitë politike vijnë në pushtet dhe vlen pushteti i partisë. Ai është ligji ai është çdo gjë. Unë po them se të gjithë janë në lidhje të përbashkët”.
“Kjo gjë sanksionohet me ligj, duhet policia t’i ndalon këto gjëra. Të bëj kontrolle dhe mendoj se do rregullohet, por kështu pasi i lënë t’i heqin, do i marrin, kjo ndodh si pasojë e krizës së standardit”.
“Nuk është mirë. Fenomen i keq. Niveli i ulët i qytetarëve, nuk kanë kuptim boll të shëndoshë, niveli i ulët. Mund edhe të bëjnë biznes, mund t’i shesin të bëjnë biznes, garant”.
Nga ndërmarrja publike “Parqe dhe Gjelbërime” thonë se shumë herë janë përballur me vjedhjen e drunjve dhe luleve të ndryshme që kanë mbjellë nëpër qytet, megjithatë vjedhjen e fundit e konsiderojnë si më të madhe, për shkak të kostos që kushtojnë drunjtë.
Vjollca Aliti
https://youtu.be/P7T0xwho6Nw
https://youtu.be/VGP8y3elyuI
https://youtu.be/aCxeZbYafnI