Etrit Berisha ka treguar për mediat italiane, dhe më konkretisht për “AdnKronos”, të gjithë situatën në Shqipëri, si po përjetohet kjo tragjedi dhe natyrisht edhe si po e përballojnë situatën të prekurit, që kanë vëmendjen e gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, por edhe shteteve të huaja.
“Tërmeti që ka goditur Shqipërinë është një tragjedi e madhe, sepse lëkundjet vetëm vazhdojnë, nuk ndalojnë. Populli është i frikësuar nga kjo situatë, dhe e keqja është se ato vazhdojnë.
Ndihma po vjen nga të gjitha anët, dhe në veçanti populli kosovar po ndihmon shumë. Ata kanë filluar të marrin në shtëpitë e tyre shumë shqiptarë që janë prekur nga tërmeti,” theksoi Berisha.
Por edhe në Itali, klubet e Serisë A kanë nisur solidarizimin, e para Lacio.
“Në këtë situatë kaq të vështirë, ky gjest është shumë i bukur. Gjithashtu edhe Lacio ka qenë gjithmonë afër këtyre situatave. Ata kanë filluar të mbledhin fonde dhe me këtë gjest kanë treguar se janë një klub i madh dhe një ekip që gjithmonë është i gatshëm të ndihmojë”.
Më pas, Berisha rrëfen sesi e kanë përjetuar të njohurit e tij tërmetin.
“Kam folur me miq në Durrës dhe më kanë thënë se kishte lëkundje për 30 sekonda, të cilat dukeshin se nuk do të mbaronin kurrë. Edhe familjarët e mi që ndodhen në Prishtinë i kanë ndjerë lëkundjet dhe dolën në rrugë natën duke qëndruar në makina, për të qenë më të sigurt”.