Tërmeti tragjik që tronditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit u mori jetën 51 personave dhe plagosi mbi 900 të tjerë, ka lënë të tronditur mijëra banorë dhe familjarë të traumatizuar.
Mes 51 viktima të tërmetit janë edhe dy anëtarët e familjes Cuka, nënë e bir Fatmira dhe Sardi Cuka duke lënë pas Bujarin, kryefamiljarin dhe vajzën Egi Cuka.
Bashkëshorti Bujar ishte në banesë në momentin që ndodhi tërmeti, por fatmirësisht arriti të shpëtonte.
Vajza e tij Egi ishte tek gjyshërit në Tiranë dhe mundi t’i shpëtonte termetit vrastar. Dhimbja është e papërshkrueshme për ta.
Bujari mes lotësh tregon momentet e fundit me gruan dhe djalin dhe si arriti të dilte i gjallë, pasi pallati u shemb mbi ta kur ai hapi derën për të dalë jashtë.
“Unë jam Bujar Cuka , ra tërmeti i parë djali dhe gruaja qëndroi me djalin.
Ne ishim zgjuar më pas, kam hapur televizorin tek News 24, pamë tërmetin e parë që ka rënë, e fika televizorin ika nga dhoma, u ula në krevat mora telefonin mbështetur, atje ra tërmeti i fuqishëm.
Hapa derën, ra paneli zuri gruan, djalin nuk e pashë, u shemb korridori, bërtisja emrat e fëmijëve.
Dera nuk u hap, ishte errësirë, kishte pirg tullash u hodha nga kati i dytë.
Unë nuk i kam parë as viktimat, nuk dua t’i kujtoj ashtu, dua t’i kujtoj të lumtur. Djalin tim e gjetën të përqafuar me gruan. Nuk kam forcë të flas, jam i shkatërruar.
Nuk ka ardhur njeri të na pyesi” thotë i tronditur Bujari i cili ka humbur djalin dhe gruan nën rrënoja.