Një familje katëranëtarëshe nga Durrësi s’e ka pranuar askush në Prishtinë. Kryefamiljarja Nagjinushe Zyla po kërkon strehim.
Po thotë se për në Kosovë u nisën me idenë se do të gjenin një vend për të jetuar përkohësisht. Mirëpo, përkatësia etnike duket se u bë problem pse askush s’i mori në Prishtinë.
Familja rome nga Durrësi ende po shpreson se dikush do t’ua çelë shtëpinë për banim.
Vergjinushe Zyla, e ardhur nga Durrësi, lagjja ‘17’, prej të enjtes ndodhet në Prishtinë dhe askush s’e ka pranuar në shtëpi. Ajo thotë se njëra prej arsyeve pse s’po gjen strehim në qytetin më të madh të Kosovës lidhet me përkatësinë etnike të saj.
‘Pritjet tona janë që Kosova të shtrijë dorën për neve. Të na ndihmojnë. Ka plot robër të mirë. Zot të na ndihmojnë’, ka thënë Zyla në një bisedë për Gazetën Express.
‘Kemi ardhë në Kosovë, askush s’na ka kthyer përgjigje’, thotë ajo.
Qindra familja kosovare kanë shpërndarë njoftime se janë të gatshme të strehojnë banorët e Durrësit, të cilët u ballafaquan me tërmet që shkatërroi shtëpi e banesa derisa la 51 të vdekur.
Në Prishtinë dhe qytete tjera janë strehuar familjet e ardhura nga Shqipëria.
Por, jo edhe familja e Vangjushe Zylës.
Gruaja që banonte në lagjen ‘17’ të Durrësit u bën thirrje kosovarëve t’i pranojnë në shtëpi për strehim. Thotë se posa gjendja të përmirësohet pak në Shqipëri, do të kthehen për të vazhduar jetën.
‘Kam ardhë në Kosovë. Jam nisur natën kur ra tërmeti i fundit. Rrugëve, lokaleve kemi fjetur qe katër ditë. Kërkojmë strehim sa të qetësohet gjendja jonë’, ka shtuar ajo.
Vajza e Vangjushes, Esmeralda, thotë se janë nisur për në Kosovë me shpresë së do të gjenin strehim duke parë e dëgjuar se kosovarët kanë hapur dyert e shtëpive për të pastrehët e Durrësit.
‘Kemi ardhur për më mirë. Na kanë thënë se kosovarët na ndihmojnë’, tha ajo. Kemi ardhur me atë shpresë’, ka thënë Esmeralda, e cila ka strehuar foshnjën e saj te një grua në Prishtinë.
‘Kemi përjetuar torturë, jemi bërë copë-copë, nuk jam në gjendje çka të them’, thotë Esmeralda.
Qytetarët e Kosovës kanë dërguar ndihma për banorët e prekur nga tërmeti derisa në Prizren është hapur një kamp për t’i pranuar të larguarit.
Janë raportuar edhe raste kur banorët edhe te pjesëve tjera të Shqipërisë ia kanë mësyrë Kosovës për t’u strehuar pasi s’kanë pasur kushte të mira në vendlindje, por jo për shkak të tërmetit.
Familja Zyla nga Durrësi thonë se ka mbetur pa shtëpi dhe s’po guxojnë të kthehen njëherë në vendlindje për shkak të fatkeqësisë që përfshiu pjesët e Thumanës, Durrësit dhe disa vendbanimeve tjera./Express/