Ballina Aktualitet Opinione Halil Matoshi: Edi Rama, vafsh në ferr

Halil Matoshi: Edi Rama, vafsh në ferr

Këshilltari politik i Ramush Haradinajt, Halil Matoshi, ka reaguar ashpër rreth takimit të fundit në Tiranë në kuadër të projektit për Minishengen në të cilin po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic.

Matoshi i irrituar ka shkruar “Rama, vafsh n’ferr”, në një shkrim ku ka numëruar krimet e shtetit serb të kryera gjatë luftës në Kosovës kundër civilëve të pafajshëm.

Matoshi gjithashtu ka kujtuar edhe faktin se ka qenë i zënë rob në një kamp përqëndrimi të Serbisë, ndërkohë ka kritikuar edhe dy ministrat kosovar, Gent Cakaj e Besa Shahini, duke i cilësuar si servilë.

Shkrimi i plotë i Matoshit:

Rama, vafsh n’ferr!

Gjatë luftës në Kosovë, jam marrë peng lufte dhe kam qenë i mbajtun për nji vit në Kampet serbe të Përqëndrimit, në Kosovë (Lipjan) dhe Serbi (Zabela, Požarevac), pra në hapësira biopilitike, ku pushon e drejta burgore dhe si viktimë, fotografia e Kryeministrit serb Vučić në Durrës tej ‘vuen i mërzitun’ për sh’pitë e rrënueme nga tërmeti, më shkakton jo vetëm neveri por edhe zemrim.
Zotni Edi Ramës dhe ministrave të tij servilë, kosovarëve Besa Shahini e Gent Caka due me u rikujtu disa fakte:

Sipas të dhânave zyrtare në Kosovë ka mbi 130 mijë shtëpi të rrënueme e djeguna me temel, 11 mijë civilë të vramë dhe të masakruem, mbi 20 mijë vajza e gra të dhunueme e kësaj shifre duhet shtue edhe të zhdukunit, rreth 1300 nga ta ende nuk e kanë nji varr me u prehë në qetësi. Serbia, në kohën kur Aleksandar Vučić ishte ministër i propagandës, ka dëbuar nga shtëpitë e tyne, jashtë Kosove, me trenat e vdekjes 800 mijë veta dhe për këtë, askush nga ‘vladar-ët’ e Beogradi nuk ka kërku falje si satisfaksion moral për viktimat, për më zi, vet miku i Kryeministrit shqiptar Rama, Vučić, vetëm pak ditë para se të shprehte keqardhjen e tij për shtëpitë e dâmtueme nfa tërmeti në Durrës e rrethinë, mohoi masakrën botnisht të dokumentume të Reçakut!?

Vučić âsht bashkpjesëmarrës në Holokaustin kosovar dhe Kosova ka me e mbajtë përgjegjës atë përjetësisht.

Rama i përgjigjet trupit politik shqiptar dhe jo Kosovës, por ai për viktimat, nji ndër ta edhe unë, do të vlejë si kafshues shpirtnash dhe nuk e ka të drejtën me folë as për Kosovën e leje mâ në emën të saj!?

Pra, Rama kujdes, larg duert nga Kosova!?

https://youtu.be/gdDQ4Xr2QZs

https://youtu.be/t1AmvK4W7Ig