Përfundoi faza ndërtimore, ndërsa në qershor të vitit të ardhshëm do të funksionojë Qendra e parë dhe e vetme për rikuperim nga katastrofat dhe sigurimi i punës në vazhdimësi (TIK-Qendra) e cila po ndërtohet me mjete nga Bashkimi Evropian dhe është projekti i parë kapital i Ministrisë pas 20 viteve, i rëndësishëm për sigurinë e qytetarëve. Këtë e theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski para përfaqësuesve të Ministrisë dhe të autoriteteve lokale të Prilepit.
Sipas Spasovskit, me ndërtimin e këtij objekti do të jemi të gatshëm në rast të paaftësimit të sistemeve primare gjatë fatkeqësive.
“Qëllimi i ndërtimit të Qendrës për rikuperim nga katastrofat deh sigurimi i punës së vazhdueshme, është ajo të sigurojë vazhdimësi në punë dhe kryerjen e aktiviteteve të nevojshme dhe ruajtjen e të dhënave në rast të katastrofave të mundshme natyrore apo atyre të shkaktuara nga ana e faktorit njeri. Me ndërtimin e këtij objekti, i cili është me rëndësi të jashtëzakonshme si për Ministrinë e Punëve të Brendshme, ashtu edhe për institucionet e tjera shtetërore, dëshirojmë të jemi të përgatitur të sigurojmë funksionim të sistemeve vitale informative në rast të paaftësimit të sistemit primar informativ për shkak të katastrofave natyrore apo katastrofave të tjera të shkaktuara nga ana e faktorit njeri. Në punën e kësaj qendre, krahas MPB-së mund të marrin pjesë të gjitha institucionet shtetërore të cilat kanë nevojë të tillë, në pajtim me kompetencat ligjore”, tha Spasovski, duke iu drejtuar të pranishmëve.
Ndërtimi një Qendre të këtillë është rasti i parë në rajonin më gjerë, ku një institucion shtetëror ndërton objekt modern për nevojat e veta. Faza e parë, ndërtimore, e cila përfundoi, kushton 3,4 milionë euro, ndërsa në tërësi, qendra e cila ndërtohet në tre faza, është në vlerë prej mbi 11 milionë eurove. Spasovski theksoi se për momentin në MPB, në rrjedhë janë dy IPA projekte.
“Në kuadër të MPB-së, për momentin, në rrjedhë janë dy IPA-projekte, të cilët kanë qëllim përfundimtar: funksionalitet të plotë dhe operacionalizim të Qendrës për rikuperim nga katastrofat dhe sigurim i punës së vazhdueshme. Në kuadër të programit IPA për vitin 2014, në rrjedhë është projekti për ‘Furnizim të pajisjes për implementim të Sistemit për rikuperim nga katastrofat dhe sigurim i vazhdueshëm i punës dhe modernizimi i infrastrukturës TI në selinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme-Lot1’. Ndërkaq në kuadër të IPA-programit nacional për vitin 2015, filloi me implementimin e projektit kornizë ‘Implementimi i sistemit për rikuperim nga katastrofat dhe sigurimi i punës së vazhdueshme – faza 2’, që ka për qëllim t’i vendosë procedurat për funksionim të Qendrës dhe, gjithsesi, të sigurojë trajnim për të punësuarit”, tha Spasovski.
Qendra pritet të funksionojë në tërësi në qershor të vitit 2020. .