Nga Shqiptar Oseku
Unë politikan nuk jam, por do të them mendimin tim shkurt megjithatë: vrasja e Kasim Sulejmanit në këtë mënyrë ishte marrëzi. Jo pse ai s’i bënte rixha plumbit (a raketës prej droni) bile përkundrazi, s’i kishte kush hak të dyja me fort se ai.
Kasim Sulejmani ishte vrasës profesional, xhelat i regjimit të imamëve, me mijëra vdekje në ndërgjegje të vet. Mirëpo, kam frikë se ky atentat fuqizon forcat më të errëta në Lindje te Mesme.
Si për shembull, forcat e errëta të imamëve në Teheran. Ata gjer dje kishin duart plot me trazira sociale nëpër rrugë e sheshe qytetesh. Mbi 160 të vrarë ishin raportuar gjer të enjten e shkuar, në manifestime kundër çmimeve të larta. Këto trazira s’u bënë lajm në botën shqiptare, por janë ndjekur me një anë në gjithë Lindjen e Mesme. Atentati mbi Sulejmanin vrau njëherit edhe këto protesta. Sot e dje rrugët dhe sheshet janë mbushur prapë dëng si në kohët e vjetra. Me manifestime kundër Shejtanit te Madh, emri i imamëve për Amerikën.
Teokracia e imamëve është një diktaturë. Dhe si shumë diktatura, edhe kjo forcohet nga një armik i jashtëm, e dobësohet nga mangësi sociale. Shumica e diktaturave moderne bien kur u mbarojnë justifikimet, si do të ndodhë një dite edhe me diktaturën e imamëve. Veçse vrasja e Sulejmanit ka ushqyer tash imamët me një justifikim të majmë, që do t’i mbajë të forte goxha ca kohë.
Edhe kur hedh sytë jashtë Iranit, ky atentat publik prapë më duket kundërproduktiv. Lindja e Mesme ka 200 milionë shiitë, të cilët kanë ndenjur më urtë (në masë relative) teksa amerikanët kane luftuar islamistë sunite. Tash kjo mund të ndryshojë, jo veç në Iran por edhe në Irak, në Liban, e ne Afganistan, ku ka shiite. Dhe kjo në kohen kur një luftë e re, qoftë direkt a me ndërmjetës, është gjëja absolutisht e fundit që i duhet Amerikës.
Në fakt unë do të thosha krejt të kundërtën. Se Washingtonit i duhet gjithmonë një Iran për të kundërpeshuar diktaturat arabe. Sikur Irani të mos ekzistonte do të duhej sajuar nga balta, për këtë mision. E mira e punës është që ky Iran të jetë demokratik, natyrisht, dhe politikat amerikane duhet të promovojnë kondita qe lehtësojnë lindjen e demokracisë atje. Sanksione ekonomike, media në gjuhën persisht, ndihma emigrantëve, etj.
Por Amerika s’e ka luksin të kërkojë qimet në vezë. Dhe absolutisht nuk ka se ç’të fitojë nga një lufte e armatosur kundër Iranit. Së pari pse Irani është arrë e fortë ushtarakisht. E së dyti, pse edhe në rast të fitores ushtarake, rrjedhoja e mundshme — copëtimi i Iranit — do të ishte katastrofë për regjionin. E pra, urtësia të thotë se kur fitorja s’të sjell leverdi, lufta nuk të duhet. Përsëris, amerikanëve u duhet Irani, sido qoftë ai, për të sajuar njëfarë ekuilibri në atë zgjua grerëzash ku i thonë Lindje e Mesme.
Sot ka rrjedhur intel se Kasim Sulejmani paska qenë prapa sulmeve me raketa që lanë disa amerikanë të vrarë në Irak dy javë më parë, pra se vrasja e tij ishte hakmarrje sy për sy. Dhe mua ky njoftim më duket i besueshëm. I shkon nevrikut Trump kjo, që të hakmerret menjëherë dhe të hakmerret fort, duke vrarë një gjeneral.
Presidenti Trump mund të ketë shënuar një pikë në fushatën zgjedhore. Por ka humbur çdo shanse për të futur në kosh një nga shtetet kyçe në Lindje të Mesme, e i ka krijuar Amerikës 200 milionë armiq të rinj. Dhe kjo konfirmon pohimet e kundërshtareve të tij dje dhe sot. Se një debil neurotik e sedërtar në post të presidentit mund t’i kushtojë shtrenjtë vetë Amerikës.