LSDM-ja vazhdon të besojë se ka kohë dhe mundësi për koalicione eventuale parazgjedhore me partitë politike shqiptare, edhe pse këto të fundit pothuajse e kanë hedhur poshtë këtë opsion. Nga partia e Zoran Zaevit thonë se nëse ka marrëveshje, opinioni do të njoftohet në kohë.
LSDM-ja ka program dhe koncept me të cilin do të dalë para qytetarëve. Në pjesën e koalicioneve parazgjedhore, nuk do të doja të flas. Mendoj se akoma është herët”-tha Kostadin Kostadinovski, zëdhënës i LSDM-së.
Partia e Hristijan Mickoskit në vazhdimësi ka deklaruar se komunikimi me të gjitha partitë, përfshirë edhe ata shqiptare, është i vazhdueshëm, megjithatë, për herë të parë pranon se nuk është e interesuar për koalicione parazgjedhore, përveç koalicionit tradicional.
Nuk besoj se cilido nga subjektet politike në vend është i interesuar për koalicion parazgjedhor mes vete me cilëndo parti tjetër por pas zgjedhjeve, absolutisht kapacitet për këtë kemi”-pohoi Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Kur Alternativa ka deklaruar hapur se heq dorë nga ideja e koalicionit trepalësh, dy partitë e tjera në këtë trekëndësh, ASH-ja dhe Besa vazhdojnë të mos e pranojnë hapur këtë fakt.
Ne besojmë se një iniciativë trepalëshe ka shansë dhe besojmë sinqerisht se mund të ndodhë bashkëpunimi i këtyre tre subjekteve sepse këto tre subjekte kanë një interes të përbashkët dhe platformë të përbashkët në drejtim të asaj se skena politike shqiptare duhet të ndryshojë”-pohoi Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.
Bisedimet vazhdojnë dhe unë besoj se do të përfundojnë me sukses”-tha Syrija Rashidi, deputet i Aleancës për Shqiptarët.
Alternativa beson se tashmë është afër një marrëveshje vetëm me Aleancën për Shqiptarët. E painteresuar për koalicion parazgjedhur është edhe BDI-ja. PDSH-ja, e cila kishte pranuar se shqyrton mundësinë e koalicionimit parazgjedhor me LSDM-në, një ditë më parë njoftoi se ka vendosur të garojë e vetme edhe në zgjedhjet e 12 prillit.