Ky libër tregon për Shqipërinë, por nuk është histori. Është një sprovë mbi një nga temat e saj qendrore, morale. Kam përdorur vetëm dy emra të vërtetë: atë të sovranit dhe të gruas së tij. Emrave të sundimtarëve nuk ke se si tu shmangesh.
Është një lloj haraçi që ata u paguajnë krijuesve, kur rrinë aq gjatë në krye të vendit. Për vërtetësinë e ngjarjeve unë vë dorën në zjarr dhe ndryshe nga të tjerët, unë e vë edhe sikur ai të jetë i ndezur! Vetë titulli i librit mund të shkaktojë diskutime, ngaqë ka gjithnjë e më shumë zëra që thonë se Enver Hoxha nuk ka vdekur ende.”
Pëllumb Kulla shënon këto rreshta në faqen e parë të romanit “Vdekja e Enver Hoxhës” botuar nga Geer më vitin 2013-të.
Në historinë e letrave shqipe të dy dekadave të fundit, ky roman shënjon një moment të rëndësishëm të prozës shqipe. Në historinë e letërsive të vendeve post-komuniste është i njohur fakti që shumë autorë janë marrë me figurën e sovranit, për të depërtuar në psiqikën e kohës, dhe për ti dhënë përgjigje shumë pikëpyetjeve apo dilemave që historia i mbart ende. Por Kulla është i pari që e bën këtë përballje në prozën shqipe, pa ndrojtje, duke e shënjuar që në titull emrin e diktatorit i bindur në rëndësinë e dueleve të vërteta.
Por kjo përballje e tij me diktatorin është një përballje jo e lehtë, e cila sjell një nga rastet kur letërsia del pararojë e historisë, dhe arrin të shpjegojë përmes mjeteve të saj sistemin.
Një roman i fortë, shkruar plot guxim, stil dhe humor e bën këtë libër të lexohet lehtë në çdo kohë. Romani nis me kreun e I që i dedikohet “Fytyrës të së vdekurit”, për të vijuar më pas në një rrëfim që duket kaq autobiografik e në të njëjtën kohë universal. Kulla arrin ta mbajë lexuesin të tërhequr përmes rrëfimit deri në fund të librit, duke e joshur me situata e të papritura shpesh edhe duke e tronditur përmes rrëfimit të tij.”
Në fakt, janë tre romane të shkurtra të lidhura mes njëri- tjetrin, që marrin jetë e dritë pikërisht nga vdekja e Enver Hoxhës. Këtu nuk ka një veprim klasik të linjës së një romani, është tema e cila e ngjiz këtë roman. Në asnjë prej kapitujve nuk përjashtohet vdekja e diktatorit. Në kapitullin e parë, kam zgjedhur të shfaq gjithë rutinën e njeriut që përgatiste homazhet e Enverit.
Ai përgatiste makijazhin e fytyrës së tij, për ta paraqitur para publikut. Ky rrëfen me vërtetësi të gjithë skenat dhe prapaskenat e kësaj paraqitjeje, të gjitha vonesat për dhënien e lajmit, të gjitha përgatitjet për të mos u ndodhur përballë ndonjë grushti shteti.
Kjo është edhe pjesa më thelbësore e romanit. Pjesa e dytë hedh një vështrim në jetën e burgjeve të Shqipërisë, ku në radion e madhe të kampit të të burgosurve dëgjohen vazhdimisht lajmet e sukseset dhe në momente vdekjeje dëgjohet muzikë funebër.
Të burgosurit presin të marrin lajmin se kush vdiq kësaj here. Kjo pjesë merret me gjëegjëzën se kush ka vdekur. Nuk pritet kurrsesi që ai të jetë Enver Hoxha, një figurë që në mendjen e të burgosurve ishte gati-gati i pavdekshëm. Pikërisht vdekja e Enverit, i jep jetë të përditshmes së të burgosurve. Në kapitullin e fundit, Enver Hoxha ka pesë vjet që ka vdekur”, do të shprehej Kulla për këtë libër. Ky roman është një nga veprat më të mira të shkruara mbi raportin me të shkuarën, i cili të fton të viziton ferrin pa e kuptuar se je në të. “
“Vdekja e Enver Hoxhës” nuk është një libër historik por që nuk mund t’i bënte bisht historisë. E kam cilësuar roman (bile “shumë romane në një”) dhe në kundërshtim me ç’u shkon menjëherë në mend shumë vetëve, nuk analizoj Enverin as si shenjt, as si djall.
Nuk e mallkoj dhe nuk e hyjnizoj. Në librin tim Enveri nuk ekziston. Unë merrem me vdekjen e tij.
Ai ka vdekur pa filluar libri dhe është i vdekur deri në faqen e fundit, pa u gjykuar në asnjë kapitull, në asnjë faqe e në asnjë paragraf”, shprehet Kulla për këtë libër. Ngjarjet zhvillohen në një qytet X, i cili më parë nuk dallohej për asgjë, ndërsa tani fillon të shquhet prej zisë së gjatë që mbante për vdekjen e diktatorit. Zia është elementi themelor i këtij qyteti.
Befas, ajo është kthyer në krenarinë e qytetit, por problemi qëndron se kush do ta marrë i pari guximin ta thyejë atë.
Ky qytet është një metaforë, ai në një farë mënyre përshkruan gjithë Shqipërinë. Jo më kot e kam vendosur pesë vjet mbajtjen e zisë në këtë qytet, pasi më vonë, pas vdekjes së diktatorit, në ‘85-ën erdhën edhe ndryshimet e viteve ‘90. Nga një faqe në tjetrën romani të tregon atë trishtimin e një kohë që ende ka lënë gjurmë tek ne.(liberale.al)