Lëvizja Vetëvendosje duket se ka zgjedhur të mos e respektojë afatin e 48 orëve të vendosur nga presidenti Hashim Thaci. Përmes një deklarate për shtyp, të dhënë fill pas mbledhjes së kryesisë, sqarohet se propozimi me emrin e personit të mandatuar për krijimin e qeverisë, Thaçit do t`i dërgohet në ditët ne vijim.
Burime pranë kësaj force politike shtojnë se propozimi do të përcillet përmes një shkrese zyrtare. “Në përputhje me Kushtetutën, Neni 95 pika 1, dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese presim që Presidenti t’ia përcjellë dekretin me propozimin tonë Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhej në deklaratë.
Afati i dhënë nga Thaçi është kundërshtuar edhe nga njohësit e çështjeve kushtetuese, të cilët pretendojnë se nuk ka kufizime kohore se kur VV duhet të propozojë të mandatuarin për krijimin e qeverisë. Rrjedhja e afateve kohore sipas tyre nis kur kjo lëvizje të dërgojë tek presidenti emrin e kandidatit për kryeministër, e nga ai moment për formimin e ekzekutivit janë 15 ditë në dispozicion.
Ndërkohë kanë nisur bisedimet me drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrëveshjen mbi koalicionin e ardhshëm qeverisës. Deputetja Arbërie Nagavci sqaroi se grupi i punës i kësaj partie do të vazhdojë takimet me LDK-në, për të cilat ajo vetë u shpreh mjaft pozitive.