Nga Enver Robelli
Si sot para 85 vitesh, më 22 shkurt 1935, në Suboticë të Vojvodinës u lind Danillo Kishi. I ati i tij, Eduard Kish, ishte hebre hungarez, e ëma Milica Dragiçeviq, malazeze. Për ta shpëtuar nga shfarosja e nazistëve, prindërit e konvertuan Danillon në konfesionin e krishterë ortodoks në një kishë në Novi Sad. Po në këtë qytet filloi shkollën fillore, por pasi babanë ia deportuan në kampin nazist të shfarosjes në Auschwitz (Aushvic), Kish dhe e ëma e tij u vendosën në Cetinje të Malit të Zi, ku Kish kreu gjimnazin, mandej studimet në Beograd. Diplomoi në historinë e letërsisë botërore dhe filloi të shkruajë.
Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Enciklopedia e të vdekurve”, “Një varr për Boris Davidoviqin”, “Vuajtjet e hershme”, “Ora e anatomisë”, “Mansarda”, “Ora e zallit” etj. Në punimet e tij letrare dhe eseistike dominon trajtimi i së kaluarës familjare me dramat dhe tragjeditë e shekullit 20-të, ballafaqimi me nacionalizmin serb dhe polemikat e ashpra dhe të guximshme kundër intelektualëve shovinistë të Beogradit.
Në fund të viteve 70-të, kur e hetoi se nacionalizmi serb do të merrte hov, Kish emigroi në Francë. Me rastin e vdekjes së tij shkrimtarja amerikane Susan Sontag shkroi: “Vdekja e Danillo Kishit […] ishte fundi i dhimbshëm dhe i parakohshëm i një udhëtimi në letërsi – një udhëtim kaq të rëndësishëm nuk e kishte ndërmarrë pothuaj asnjë shkrimtar gjatë gjysmës së dytë të shekullit njëzet”.
Danillo Kishin e ka quajtur veten “raritet etnografik”, ndërsa biografi i tij Mark Thompson shkruan se Kish ishte “gjeni i një kohe të caktuar, i një përvoje dhe i një rajoni. Ai kishte respekt bestyt para fjalës së shtypur dhe fuqisë së saj për të ushqyer fantazinë dhe për të dëmtuar botën”. Me letërsinë e tij Danillo Kish u angazhua në demaskimin e keqpërdoruesve të fjalës dhe në mbrojtje të botës së lirë.
Në esenë e tij të famshme “Këshilla për shkrimtarët e rinj” ai shkruan: “Ushqeje dyshimin kundër ideologjive në pushtet dhe princave. Ruaju që të folurin tënd të mos e ndotësh me gjuhën e ideologjisë. Beso se je më i fuqishëm nga gjeneralët, por mos u mat me ta. Mos beso në projekte utopike, por në ato që i krijon vet. Bëhu njësoj fodull ndaj princave dhe ndaj masës. Ruaje ndërgjegjen e pastër në raport me privilegjet që t’i sjellë zanati yt prej shkrimtari”.
Danillo Kish ishte i paepur në betejën e tij kundër nacionalistëve. Pas botimit të romanit të tij antistalinist “Një varr për Boris Davidoviqin” qarqet letrare nacionaliste serbe nisën një fushatë kundër Kishit me akuzën e fabrikuar për plagjiat. Ky u kundërpërgjigj me veprën polemike “Ora e autonomisë”.
Në librin “Çlirimi i Serbisë prej Kosovës” (intervista me Ismail Kadarenë) gazetarja malazeze Branko Bogavac sjell detaje mbi një takim të shkrimtarit shqiptar me autorin jugosllav me origjinë hebraike dhe malazeze Danillo Kish. Kadare kështu e përshkruan njohjen me Kishin: “Danilo Kishin e kam njohur për herë të parë në takimet ndërkombëtare të shkrimtarëve në Athinë, më 1984. Më kujtohet, sapo kisha arritur në hotel me një shkrimtar shqiptar me origjinë greke, dikush m’u afrua dhe më foli: ‘Tungjatjeta, unë jam Danilo Kish, jugosllav. E di se ju jeni Kadare. Nëse doni, kam qejf të flas me juve, nëse nuk keni ndonjë paragjykim?’ Isha shumë i kënaqur dhe i thashë se nuk kisha kurrfarë paragjykimi karshi shkrimtarëve jugosllavë. Kështu që drekuam së bashku në një atmosferë të shkëlqyeshme. Më tha se i kishte lexuar disa nga librat e mi. Iu përgjigja se kisha lexuar edhe unë ‘Një varr për Boris Davidoviqin’ (libri është përkthyer në shqip nga Jusuf Gërvalla e botuar nga ‘Rilindja’, v.j.). Pastaj kemi biseduar edhe gjatë kohës së pauzës. Gjatë ekskursionit me anije rreth disa ishujve, Danillo dhe unë ishim gati tërë ditën bashkë, kështu që na ngacmonin shkrimtarët tjerë, sidomos ata që i njihnin raportet mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, posaçërisht francezët: ‘Si është e mundur që dy armiq për vdekje, shqiptari me jugosllavin, të rrinë gjithnjë së bashku?’
Kemi qeshur me këto pandehma. Ai ishte i vetmi përfaqësues nga Jugosllavia. Kemi folur për gjithçka, edhe për Kosovën, dhe për urrejtjen mes serbëve deh shqiptarëve.
Dhe ja çfarë më tha: ‘Mjerisht, jam grindur me miqtë e mi të mëdhenj për hatër të shqiptarëve, sepse u kam thënë se për ta (shqiptarët, v.j.) nuk mund të flitet ashtu në shtëpinë time. Kështu që për shkak tuajin jam zënë me miq që nuk e kuptojnë situatën në Kosovë”.
“Danilo e kuptonte qartë tërë atë situatë të pështjelluar” në Kosovë, shkruan Branka Bogavac. “Më tha se në ushtri ishte në shkollën e oficerëve rezervë dhe se kishte ushtarë shembullorë shqiptarë. Dhe që nga shërbimi ushtarak nisi të interesohej për shqiptarët. Më tha se edhe nëna e tij malazeze ishte nga trevat afër Shqipërisë, ku janë mjaft të fuqishme ndikimet e ndërsjella dhe ku fshatarët ndihen si përzierje e të dyja kombeve, çka është normale për fshatrat kufitare. Më tha edhe diçka shumë mirënjohëse për shqiptarët: ‘Nga nëna ime njëherë kam dëgjuar se njerëzit më të mirë në botë janë malazezët, porse shqiptarët mbase janë edhe më të mirë. Kjo vërtet ishte e habitshme dhe më vjen keq që nuk i kërkova më shumë shpjegime për atë konstatim, sepse kur ma kishte thënë këtë, unë isha ende fëmijë dhe nuk i kisha kushtuar kësaj shumë kujdes. Nga vdekja e saj shumë herë e kam pyetur vetën: a thua ishte kjo fjalë për shkak të lidhjeve farefisnore apo për shkak të ndonjë gjesti madhështor?’”
Danillo Kish ishte antinacionalist, antikomunist, antifashist, kozmopolit dhe përbuzës i cinizmit, “një njeri me ndjenja të fuqishme”, e ka quajtur Susan Sontag. Danillo Kish jetoi në shekullin e 20-të, në shekullin e poshtërsive. Sipas amanetit të fundit, u varros në Beograd sipas ritit ortodoks. Fundin e përgjakshëm të Jugosllavisë nuk e përjetoi, por e kishte paralajmëruar me aftësi profetike.