Presidenti amerikan, Donald Trump, të premten emëroi ligjvënësin John Ratcliffe në krye të komunitetit të shërbimeve amerikane të zbulimit.
“Johni është një njeri i jashtëzakonshëm dhe një talent i madh”, shkroi presidenti Trump në rrjetin social twitter të premten.
Presidenti Trump e kishte propozuar edhe më parë ligjvënësin Ratcliffe nga Teksasi për këtë post. Por në fillim të muajit gusht të vitit të kaluar ai tërhoqi papritmas emrin e tij mes debateve rreth kualifikimit të zotit Ratcliffe për vendin e punës. Demokratët dhe republikanët e kritikuan atë për mungesë përvoje në këtë fushë.
Nëse konfirmohet nga Senati, zoti Ratcliffe do të zëvendësojë ambasadorin Richard Grenell i cili më 20 shkurt u emërua nga presidenti Trump në krye të Shërbimeve të Zbulimit, ndërsa mban postin e ambasadorit në Gjermani dhe atë të të dërguarit të posaçëm të presidentit për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.
Ambasadori Grenell e përgëzoi të premten zotin Ratcliffe.
Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar shërben si mbikëqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e njohura prej të cilave është CIA.
Kjo zyrë u krijua pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, për të bashkërenduar punën e agjencive të zbulimit.