Ballina Aktualitet Opinione Kohë fushate!

Kohë fushate!

A ka bërë ndonjë gjë të mirë BDI-ja gjatë gjithë këtyre viteve? Sigurisht që PO! Në BDI ka pasur dhe ka anëtarë e funksionarë të saj që janë të ndershëm e të sinqertë në qëllimet e tyre, por një grusht njerëzish të infektuar nga pushteti, kanë sëmurë rëndë gjithë partinë, e duke e kthyer në një subjekt politik që ka shkaktuar më shumë dëme se sa të mira! Ky popull nuk e meriton këtë!

Nga Dr. Arben TARAVARI

Është me të vërtetë interesant fakti që BDI-ja, si asnjë parti tjetër normale, shqetësohet edhe për mbarëvajtjen e fushatës tonë duke na këshilluar ku të fokusohemi, sugjeron p.sh të flasim për të arriturat e BDI-së… Në rregull, po e marrim në konsideratë: Gjatë mbretërimit të kësaj dinastie ka mbi 25 000 shqiptarë të cilëve e drejta e punësimit ju është shitur si nder partiak! 25 000 shqiptarë të mrekullueshëm, prindërit apo fëmijë të 25 000 mijë familjeve shqiptare janë mashtruar duke i thënë se: në punë i futi BDI-ja!

Këtë madje zyrtarisht e konfirmon vet BDI-ja, duke e cilësuar si arritjen e parë! Jo zotërinj, këta 25 000 shqiptarë i ka punësuar Aftësia e Tyre, e Drejta e Tyre për t’u punësuar! Asnjë Pushtet nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh, ndaj mjaft më me këtë situatën sa qesharake po aq edhe treguese për despotizmin tuaj, zotërinj të BDI-së: ju nuk jeni pronarë të Popullit! Ah po, dhe populli nuk është 50 000 shqiptarë në Maqedoni, dhe ju paskeni arritur të punësoni gjysmën! Asnjë statistikë zyrtare nuk mund të merret e besueshme sepse dihet që numërimet e popullsisë janë bërë këtu gjithnjë nën komplekse dhe presione etnike, por gjithsesi mund të bëjmë një llogaritje aproksimative, kështu nëse nga të dhënat e vitit 1981 ku rezultojnë 600 000 shqiptarë dhe duke llogaritur kulturën e natalitetit në rritje të paktën deri në vitet ‘90, pa rrezikuar dhe as abuzuar me indeks fiks të shtimit natyror në promila, shqiptarët që i faltë Zoti, sot janë sigurt 1 milion banorë!

Po ku janë?! Kanë ikur dhe ikin ditën dhe natën nga ky vend duke shënuar eksodin më të madh në historinë e këtij shteti ndonjëherë! Se këta qindra dhe mijëra shqiptarë sot nuk kanë as punë as para, ndërkohë që ju shqetësoheni për ngjyrën e kravatave dhe cilësinë e diamanteve! Shqiptarët që i përzutë dhe i përzini përditë rrugëve të botës, ata çfarë janë?! Nuk bëjnë pjesë në rrezen tuaj të konsideratës?! Çfarë janë gjithë ata shqiptarë që detyrohen të marrin çantën dhe të ikin sepse në vendin e tyre askush nuk i përkrah? Mish i huaj sipas logjikës tuaj?! Ata 25 000 shqiptarë të mirë që janë të punësuar, janë i njëjti gjak, e njëjta ADN me këta qindra mijëra të tjerët që përplasen vetëm në zyra partiake që me arrogancën e tyre ekstreme i detyrojnë të ngrenë shtëpi e katandi dhe të ikin!

Ata 25 000 shqiptarë të punësuar, kanë familje, fis e farefis që i kanë përcjellë ose bëhen gati t’i përcjellin në toka të tjera, e ata e dinë se si ndihen tek mbijetojnë në këtë kaos social! Mos i përdorni më ata 25 000 mijë shqiptarë të ndershëm se nuk ju kanë asnjë borxh, përkundrazi, ju i kini, se ju a keni kthy vendet e punës në kusht elektoral, se shumë prej tyre i mundoni deri në frustrim dhe shumë prej tyre që janë të punësuar duan po njësoj të ikin nga Maqedonia për shkak të çmendurisë të shefave partiakë, të përçmimit intelektual që ju bëhet nga palë të tjera! Ata 25 mijë shqiptarë të punësuar marrin rrogën e tyre, në të drejtë të tyre, në vendin e tyre! Mos i përdorni si maskotë të fushatës se janë 25 000 mijë njerëz që kanë dinjitet dhe qofshin të BDI-së apo mos qofshin të saj, nuk ka rëndësi, pasi ata janë punësuar për shkak të vlerave të tyre, e askush nuk duhet t’i shohë si pronë partie! Të jeni të sigurtë ju të BDI-së që kur do të ikni nga pushteti nuk ka asnjë shans që ata 25 mijë persona t’i merrni me vete! Ata nuk varen nga ju! Ata nuk jetojnë në tokat e baballarëve tuaj, ata jetojnë në tokat e tyre, nuk i heq dot njeri nga puna me ikjen tuaj, sepse po të ikni ju, nuk bie shteti, thjesht ndërron pushteti! Ndodh kjo në vendet demokratike, prandaj bëhen dhe fushatat, që të disa parti të ikin e disa të tjera të vijnë e të provohen!

Ndërkohë kalojmë tek një medalje tjetër që BDI-ja ja var vetes: Flamuri shqiptar apo zyrtarizimi i gjuhës shqip! Janë dy pika që ju kanë ndihmuar shumë në mbretërimin tuaj, sepse në emër të tyre merrnit vota por pikërisht ato i përdorët sa deshët në negociata politike me mbretëri të flamujve të tjerë! Një arritje tjetër që BDI-ja kërkon duartrokitje, janë dy universitete shqiptare…shkolla…spitale… Shkollat në gjuhën shqipe janë kthyer shpesh herë në arena boksi, janë një terren konstant i presionit psikologjik të shefave partiakë, dhe gjithashtu një vend ku materialet studimore janë në anemi të thellë, për shkak të abuzimit me fonde që janë të caktuar për to.

Ato spitalet që përmend partia e z.Ahmeti janë të frikshme se janë të mbushura me vjetërsira dhe po zbrazen çdo ditë e më shumë nga stafi mjekësor që po ikën jashtë! Kurse NATO dhe BE sinqerisht janë humor i zi dhe jeni bërë subjekt anektodash në popull… Ne e kuptojmë që ju nuk doni t’a shihni gjendjen realisht, por në një moment që po zbrazni vendin nga populli, na lind një pyetje logjike: mos ndoshta kjo parti mendon t’i dhurojë BE-së troje dhe prona që ajo t’i pranojë dhe prandaj po detyron njerëzit që të lirojnë tokat?!

BDI-ja duhet të kuptojë se nuk ka atë mentalitet Evropa institucionale, nuk bën pazare për pushtet, madje dënon nëse konstaton abuzime me pushtetin…

E tash për fund: A ka bërë ndonjë gjë të mirë BDI-ja gjatë gjithë këtyre viteve? Sigurisht që PO! Në BDI ka pasur dhe ka anëtarë e funksionarë të saj që janë të ndershëm e të sinqertë në qëllimet e tyre, por një grusht njerëzish të infektuar nga pushteti, kanë sëmurë rëndë gjithë partinë, e duke e kthyer në një subjekt politik që ka shkaktuar më shumë dëme se sa të mira! Ky popull nuk e meriton këtë! Fushata e vetme e BDI-së është ajo që duhet të bëjë ndaj vetes së saj?

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)