Ndërtimi i Teatrit të ri me fonde publike është bërë i mundur pas Konferencës së Donatorëve. Analisti Mustafa Nano, në një bisedë në studion e lajmeve në TemA TV, tha se një pjesë e totalit të donacioneve prej 1.15 miliardë eurosh do të përdoret për ndërtimin e Teatrit të ri, për të cilin dy vjet më parë qeveria dhe Bashkia e Tiranës u “dorëzuan” duke thënë se duhej një PPP.
“Kam përshtypjen se qeveria ka menduar të përdorë një pjesë të vogël të parave që do të merren si donacione. Ndihma ishte e madhe, ndërsa vlera e ndërtimit të teatrit të ri është një nënfish i vogël i saj, ndoshta shkon te 50 milionë euro. Atyre u ka shkuar mendja të përdorin një pjesë të fondit”, tha Nano.
Analisti Nano thotë se lajmi i mirë i heqjes së projektit nga duart e privatit qëndron te fakti se eliminohen kullat.
“E prita me gëzim sepse e di që na duhet një teatër i ri, por jo një kompleks kullash. I kam ndjekur opinionet dhe ideja se teatri i vjetër ka vlera kulturore dhe arkitektonike nuk më kanë bindur shumë. Ajo ndërtesë nuk ka ato vlera që ia atribuojnë. Nuk ndiej dhimbje nëse prishet për të ndërtuar një teatër modern”, tha ai.
Lidhur me vizitën e kryeministrit Rama në Rusi dhe deklaratat e tij, Nano tha se kreu i qeverisë shqiptare zgjodhi të ishte elegant në të shprehur.
“Unë mendoj se kjo është gjuha që duhej të përdorte atje. Unë e di që Rusia nuk bën pjesë te miqtë e Shqipërisë. Rusia ka ndihmuar popullsitë sllave. Shqipërinë e ka pasur si një etni për të cilën ka menduar se nuk duhet të ekzistojë. Rusia nuk bën pjesë te miqtë tanë, por gjuha jonë duhet të jetë elegante”, tha ai.
Por sipas Nanos, Rama nuk pati të njëjtën elegancë kur tha se Shqipëri ka gazetarë dhe politikanë që po bëjnë punën që do të donte Rusia.
“Sapo fola për elegancë. Një mënyrë e tillë të foluri bie ndesh me të. Debati publik në Shqipëri e lëndojnë eksponentët e rëndësishëm të politikës, sidomos Rama. Është një lloj gjuhe vulgare, në Tiranë e Prishtinë. Përdoret shumë patriotizmi. Është e vërtetë thënia që patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve”, tha ai.
Ndërsa në lidhje me dy nismat për shkarkimin e presidentëve, në Shqipëri dhe Kosovë, Nano zgjodhi të analizonte rastin e presidentit Meta, por i cilësoi të gabuara të dyja.
“Është e njëjtë situata. Në të dy rastet veprohet gabim. Këtu gabon maxhoranca dhe Rama që duan ta shkarkojnë presidentin. Është dicka pa precedent. Ai është i blinduar në mandatin e tij. Ai hiqet vetëm kur çmendet ose i provohet tradhtia ndaj atdheut. Në këtë kuptim, mendoj se është e gabuar sepse krijohet precedent. Nuk mendoj se situata e sotme e ka legjitimuar këtë ngut”, tha ai.