Shqiptarët vrasin e vriten brenda dhe jashtë familjes për një mori arsyesh, nga më të fortat e deri tek më të rëndomtat. Komiteti i Pajtimit Kombëtar ka publikuar një raport në përfundim të ekspeditës 2-vjeçare të misionarëve të pajtimit, që nisi më 28 shkurt të 2018 dhe u mbyll më 1 mars të këtij viti.
Nga këto ekspedita janë identifikuar edhe shkaqet kryesore që çojnë në konflikt shqiptarët, në fshat dhe qytet e më pas këto konflikte në disa raste degjenerojnë në krime të tmerrshme brenda dhe jashtë familjes. Mes shkaqeve të Komitetit të Pajtimit Kombëtar nuk përfshihen përplasjet për trafik droge, apo krime të tjera në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale.
Sipas kësaj tabele, në 30 vite tranzicion shqiptarët kanë trashëguar dhe prodhuar plot motive për konflikte mes njëri tjetrit. Konfliktet për pronat në fshat janë një plagë e hershme e thelluar nga ligji 7501, që sipas Komitetit të Pajtimit Kombëtar është bërë shkak për 265 mijë konflikte të ndezura.
Në përpjekje për të zgjidhur çështjen e pronësisë mbi tokën bujqësore, Parlamenti miratoi ditën e enjte ligjin e ri të marrjes së titujve të pronësisë. Sipas relacionit shoqërues të këtij ligji, akti redukton burokracitë, shmang zgjatjet pa arsye të dorëzimit të dokumentacionit dhe mbi të gjitha nuk kërkon dokumenta shtesë për persona që gëzojnë aktet e marrjes në pronësi të tokës.
Në një masë të madhe, burim konflikti janë edhe divorcet, ku shpesh gratë bëhen viktima të hakmarrjes së burrave, si në rastin e fundit tragjik të Rrëshenit, kur Fatmir Kolecaj ekzekutoi ish-bashkëshorten Esmeralda Filopati dhe vëllain e saj, Vledison Filopati. Vrasja e dyfishtë ndodhi edhe pse autori e kishte pranuar divorcin në gjykatë.
Kategoria tjetër përfshin konfliktet brenda familjes. Këtë pjesë, sociologët e kanë lidhur kryesisht me problemet financiare dhe ekonomike, apo me varësinë e personave ndaj alkoolit, apo drogërave, si shkak i burimit të tyre.
Numër i lartë konfliktesh të hapura janë identifikuar nga misionarët e Komitetit të Pajtimit Kombëtar edhe për shkak të përplasjeve për pronat nëpër qytete, ndërsa fyerja ndaj personave renditet më pas.
Një kategori e relativisht e re janë konfliktet e identifikuara brenda familjes për shkak të shfaqjes së prirjeve homoseksuale nga një, apo disa anëtarë të familjes.(gazeta SI)