Nga Xhelal Zejneli
Aristoteli (384-322 para K.) Është filozof grek më i gjithanshëm dhe teoricien i letërsisë i periudhës antike. Një nga figurat më të mëdha të të gjitha kohëve. Lindi në Stragirë, qytet në bregdetin trak të Greqisë. Një kohë të gjatë jetoi në Athinë. Ishte nxënës i filozofit të madh grek Platonit (427-347 para K.). Me fjalë të tjera, u edukua dhe mësimet e para të filozofisë i mori në Akademinë e themeluesit të idealizmit objektiv, Platonit.Shkollën filozofike të njohur si Akademi, Platoni e themeloi në një korie, vendi ku ra heroi grek Akademos.
Në vitin 342, Aristoteli shkoi në oborrin mbretëror të Maqedonisë, i ftuar nga mbreti Filip si mësues të djalit të tij Aleksandrit. Aty filozofi qëndroi shtatë vjet. Mësimet e Aristotelit ndikuan shumë në formimin e përgjithshëm të Aleksandrit. Mësimet që mori ai nga filozofi i madh mbështeteshin në arritjet e deriatëhershme të letërsisë, të filozofisë dhe të kulturës greke. Prijësi i ardhshëm luftarak mori mësime sidomos për poemat e Homerit. Për këtë qëllim Aristoteli përgatiti për nxënësit e tij një botim të veçantë të poemave homerike.
Në vitin 335 para K. u kthye në Athinë. Aty themeloi një shkollë e cila u quajt shkolla peripatetike. Mësimet në të mbaheshin në natyrë apo në sheshin pranë tempullit të Apolonit.
Athina e cila ndodhej nën hegjemoninë maqedonase, ngriti krye me shpresë se do të fitonte lirinë. Tani armiqtë e Aristotelit ndërmorën një fushatë kundër tij. E fajësonin për lidhjet që mbante me Maqedoninë. Për këtë arsye, Aristoteli u detyrua të largohej nga Athina. Vajti në Kalkidë, qytet dhe port i Greqisë në ishullin Eube. Vdiq aty në vitin 322 para K. në moshën 62-vjeçare.
Aristoteli, një nga mendjet më të ndritura dhe më të thella të të gjitha kohëve, shkroi për shumë çështje. Me përjashtim të matematikës, lëroi të gjitha fushat e dijes, duke lënë vepra me vlerë të jashtëzakonshme për filozofinë, etikën, logjikën, politikën, shkencat e natyrës, artin etj. Rreth 120 veprat e tij krijojnë një lloj enciklopedie. Në to përfshihen njohuri nga të gjitha fushat e dijes. Në çdo vepër të Aristotelit bie në sy dashuria për të mirën dhe për të vërtetën. Ndonëse e adhuronte dhe e nderonte shumë mësuesin e tij, Platonin, për çështje filozofike dhe estetike të caktuara kishin dallime në pikëpamje. Në një vepër të tij Aristoteli thotë se është e arsyeshme të kesh respekt për miqtë dhe të vërtetën, por midis miqve dhe të vërtetës, është gjë e shenjtë të duash më shumë të vërtetën. Nga kjo lindi shprehja latine. “Mik është Platoni, por mike më e madhe është e vërteta”.
Në disa vepra të tij, letërsinë dhe artet Aristoteli i konsideron si mjete me fuqi edukuese të madhe. Në veprën “Poetika” thotë se qytetarët duhet të merren me punë, të ruajnë paqen dhe të kryejnë vepra të dobishme e të bukura. Në këtë vështrim, filozofi i kushton rëndësi të madhe edukimit të njeriut me muzikë dhe me arte të tjera, të cilat ushqejnë shpirtërisht dhe në aspektin intelektual.
* * *
“POETIKA” – Pikëpamjet e tij për artin e veçanërisht për poezinë (epikën, lirikën dhe tragjedinë) Aristoteli i ka paraqitur në veprën e tij “Poetika” (Mbi artin poetik) e cila ka arritur në ditët tona në formë të cunguar. Por, edhe me kaq, mund të krijohet një ide e qartë mbi pikëpamjet estetike të filozofit dhe estetit të parë të madh të lashtësisë.
Çështjet letrare Aristoteli i ka shtjelluar në dy veprat e tij në prozë: “Retorika” si dhe “Poetika”. Nëveprën “Retorika” i paraqet rregullat e oratorisë dhe çështjet e stilit.
Në veprën “Poetika” (Peri poietikes – Mbi artin poetik, viti 334 para K.) Aristoteli është i pari i cili hap çështjen e llojeve dhe të gjinive poetike dhe i numëron ato: poezia epike, tragjedia, komedia, ditirambi, himni, parodiaetj., duke i theksuar edhe karakteristikat e tyre.
Thelbin e poezisë e përcakton si mimesis (greqisht: mimeomai – imitoj, përngjasoj), d.m.th. si veprimtari krijuese të artistit.
Aristoteli i përcakton kufijtë ndërmjet poezisë dhe jopoezisë (asaj që nuk është poezi), duke theksuar madhësinë, dinjitetin dhe rëndësinë njohëse të poezisë.
I përcakton nocionet themelore në strukturën e veprës artistike (fabula, peripecia, episodi, thurja (gërshetimi), shthurja (zgjidhja), personazhi, gjuha, ideja), duke e konsideruar atë si një tërësi të harmonishme të rrumbullakuar.
Teoria estetike e Aristotelit mbi poezinë në kuptimin e gjerë të fjalës, është përfundim i një studimi të veprave të letërsisë klasike greke dhe të mendimeve, që patën dhënë të tjerët para tij mbi të bukurën, por që kanë humbur në mjegullnajat e kohëve. “Poetika” mbetet monumenti më i rëndësishëm i mendimit estetik në periudhën klasike greke.
Aty trajtohen çështjet kryesore të estetikës dhe të teorisë së artit, si: kuptimi i së bukurës, prejardhja e gjinive letrare dhe klasifikimi i tyre, marrëdhëniet e letërsisë me realitetin, parimet e vlerësimit artistik (vlerësimi objektiv dhe vlerësimi subjektiv i veprës letrare artistike) etj.
A është arti reflektim i realitetit, apo ekziston i pavarur nga realja? A është arti imitim i realitetit apo është fushë e mëvetësishme që nuk varet nga realiteti? A do të ishte Niagara e bukur, sikur të mos kishte njerëz në këtë botë që do ta shijonin bukurinë e saj, apo ajo është e bukur vetëm po qe se ka njerëz në botë të cilët e konsiderojnë si të tillë, pra të bukur?
Platonithotë se bota është imitim, ndërsa arti është imitim i botës. Nga kjo del arti është imitim i imitimit. Kjo pikëpamje e Platonit u quajt teori e mimezisit. Platoni pyet: “Po qe se arti është imitim i botës apo i realitetit, atëherë si është e mundur që Homeri të shkruajë për luftën e Trojës, përderisa nuk ka marrë pjesë në të?!”
Aristoteli e ka quajtur veprën “Poetika” pasi aty trajton probleme që kanë të bëjnë me të gjitha gjinitë letrare që shkruhen në vargje siç janë eposi, poezia lirike dhe poezia dramatike. Por nuk është thjesht vargu ai që e ka shtyrë filozofin e madh ta emërtojë veprën kësisoj. Në radhë të parë është përmbajtja ajo që e dallon artin e fjalës nga llojet e tjera të shkrimit.
Duke e zbërthyer kuptimin dhe rëndësinë e artit, Aristoteli thotë se “detyra e poetit është të flasë jo vetëm për atë që ka ndodhur në të vërtetë, por edhe për atë që mund të ndodhë, për atë që është e mundshme dhe e domosdoshme të ndodhë”.
Duke e analizuar këtë mendim tejet të rëndësishëm që ndërthuret edhe me artin realist, del si përfundim ideja se poezia apo arti në përgjithësi i pasqyron vërtet anët më thelbësore të jetës, por nuk i paraqet ato thjesht ashtu siç janë, në formë të ngrirë dhe statike, por në mënyrë kreative, në lidhjet e tyre të brendshme, në lëvizje dhe në zhvillim të vazhdueshëm. Në këtë vështrim, Aristoteli e quan poezinë si diçka më filozofike dhe më universale, në krahasim me historinë që i tregon gjërat vetëm ashtu siç kanë ndodhur. Kështu duhet kuptuar mendimi shumë i rëndësishëm i autorit se “vepra artistike duhet ta tejkalojë modelin”. Me fjalë të tjera, poeti apo artisti nuk duhet ta riprodhojë realitetin në mënyrë dokumentuese, por duke i analizuar dituritë e veçanta, të zbulojë dhe të përgjithësojë kuptimin e shkaqeve të tyre.
Duhet shtuar se studiues të ndryshëm Poetikën” e Aristotelit e kanë interpretuar në mënyra dhe në forma të ndryshme, si dhe nga këndvështrime të ndryshme.
Vendin kryesor në veprën “Poetika”e zë teoria mbi tragjedinë. Në të flitet për zanafillën dhe zhvillimin historik të saj, duke sjellë shembuj nga vepra të tragjikëve të mëdhenj grekë. Rëndësi të veçantë kanë mendimet e Aristotelit lidhur me ndikimin e tragjedisë në ndërgjegjen e njerëzve. Nëpërmjet tmerrit dhe dhembjes, ajo i bën njerëzit më të mirë duke i pastruar nga pasionet e liga. Në këtë mënyrë, spektatorët ose lexuesit, nëpërmjet kënaqësisë estetike që ndjejnë duke parë ose duke lexuar një tragjedi, lehtësohen dhe çlirohen shpirtërisht, ndërsa ndjenjat e tyre fisnikërohen.
Domethënë përjetojnë katarzë.(greqisht: kathairo – pastroj). Teoricieni i tragjedisë, Aristoteli, termin katarzë (katarzis)e futi në dramaturgji me kuptimin “pastrim nga pasionet”. Pastrimi i ndjenjave në një çast të rëndë, vendimtar dhe kulmor të tragjedisë dhe zbutje e gjendjes shpirtërore të nderë. Në çastin e kthesës në tragjedi, personazhi kryesor arrin qëllimin e vet të madh dhe njëherazi ia del të mësojë edhe të vërtetën e plotë apo lajthitjen për të cilën ishte i gatshëm të jepte edhe jetën.
Për të ushtruar tragjedia ndikim pastrues te spektatori nuk duhet të ketë në qendër të saj heronj të lartë që kalojnë nga lumturia në fatkeqësi dhe anasjelltas. Me një fjalë, heroi të jetë njeri i zakonshëm, jo i veçantë për nga virtyti dhe drejtësia dhe që bie në fatkeqësi, jo ngase është i lig dhe me vese, por për ndonjë gabim në një kohë kur gëzonte nder dhe lumturi, siç është për shembull Edipi ose personazhe të tjera të këtij lloji.
Në ndonjë kapitull të veprës, Aristoteli flet edhe për poezinë epike, për zanafillën e saj etj. Gjininë epike e krahason me atë tragjike, duke vënë në dukje se ç’është ajo që i bashkon apo që i dallon ato nga njëra-tjetra. Sipas mendimit të Aristotelit, “poezia epike është një gjini më e hershme dhe më pak e përsosur se tragjedia e cila është më e përqendruar dhe ka fuqi më të madhe veprimi”. Ai pohon se “të gjitha elementet që i ka epopeja, i ka edhe tragjedia, kurse të gjitha elementet e tragjedisë nuk i gjen në epope”. Përpos kësaj, tragjedia është më e ngjeshur në veprim. Epopeja “ka një unitet më të pakët dhe këtë e dëshmon edhe fakti se prej çdo imitimi epik mund të dalin shumë tragjedi”. Nga të gjitha vrojtimet që bën lidhur me këtë çështje, autori vjen në përfundim se tragjedia qëndron më lartë se epopeja.
Me “Poetikën” e tij, Aristoteli krijoi një vepër që shquhet për thellësinë e analizës. Ai i vuri themelet e mendimit estetik të mëvonshëm për shumë probleme teorike të letërsisë dhe veçanërisht të tragjedisë.
Aristoteli ndikoi fuqimisht në zhvillimin e estetikës dhe të teorisë së letërsisë apo të shkencës mbi letërsinë. Një pjesë e madhe e terminologjisë së tij themelore dhe burimore profesionale është pjesë e pandarë e çdo shkence të letërsisë.
* * *
PIKËPAMJET TEORIKO-LETRARE DHE ESTETIKE PAS ARISTOTELIT
HORACI (Kvint Horacije Flak,65-8 para K.) është poet romak. Bashkëkohës i epokës së Augustit. Shkroi letrën qarkore kushtuar familjes së Pizonëve “Epistula ad Pisones”. Më vonë kësajia shtuan titullin e veprës së Aristotelit, ndaj më tepër njihet me titullin “De arte poetica” ose “Ars poetica”.
BUALO (Nicolas Boileau-Despreaux, 1636-1711), është poet dhe kritik francez. Autor i veprës “L’art poétique (Arti poetik, 1674) që është një poemë didaktike në katër këndime. Bualo është përfaqësues i shoqërisë oborrtare të shekullit XVII dhe i racionalizmit borgjez që do të zhvillohet në mënyrë më të plotë në shekullin XVIII. Kërkon që poetët, krahas talentit të tyre të natyrshëm, të çmojnë edhe arsyen (racion) dhe që me ndihmën e saj të fitojnë famë dhe vlerësim, ngase ideja dhe përmbajtja ideore janë shenja thelbësore të veprës poetike. Flet gjerësisht për format poetike duke i paraqitur karakteristika e hollësishme të tyre. Në lëmin e dramës mbron me vendosmëri parimin e tri njësive (vendit, kohës, veprimit).
Në shekullin XVIII, në rrethana shoqërore dhe kulturore të reja, paraqiten kundërshtarët e parimeve të poetikave të hershme. Kundërshtohen sidomos idetë themelore të harmonisë, të rendit, të rregullave dhe të qetësisë së arsyes. Ideja e gjeniut poetik,e gjeniut të krijuesit dhe besimi në gjenialitetin e poetit u bënë nocione vendimtare dhe themelore të poetikës të cilat i zgjerojnë pikëpamjet e hershme, duke hapur pikëpamje të reja mbi krijimtarinë poetike.
Romantizmi evropian nuk solli ndonjë vepër teorike të sistematizuar mbi poetikën, por paraqiti pikëpamje të reja të rëndësishme. Poezinë e theksoi si formë dhe si shkallë të njohjes, që është më e thellë, më përfshirëse dhe më e rëndësishme se filozofia, shkenca dhe religjioni. Gjeniu i poetit nuk mund të pengohet nga kurrfarë rregulli poetik, pra as nga ligjshmëritë e llojeve poetike, për arsye se poeti, pjesën më të rëndësishme të krijimtarisë së vet e ka gjetur në veprimtarinë instinktive të nënvetëdijshme, në frymëzimin që ka pasuar, ndaj të cilit nuk ka pasur pushtet.
Modelet e antikës dhe poetika e antikës nuk janë më burime të vetme. Madje, një pjesë e madhe e tyre lihen mënjanë dhe nuk përfillen. Shikimet drejtohen tanimë kah studimi i letërsive evropiane dhe përtej evropiane. Përvetësohen dhe vihen në përdorim format e letërsive të ndryshme popullore gojore, të letërsive të Lindjes dhe të së kaluarës së hershme. Shikimet u drejtuan kah letërsia e tërë botës. Problemet e poetikës tani do të ndriçohen nga pikëpamja botërore dhe mbarë njerëzore.
Realizmi letrar evropian jetën shoqërore konkrete dhe aktuale e përcakton me objektin e drejtpërdrejtë dhe qendror të veprës letrare. Nocion themelor dhe thelbësor bëhet e vërteta e cila pasqyrohet me përshkrimin e plotë dhe të hollësishëm të jetës së përditshme dhe të figurave të njerëzve të vegjël, që nga bota fshatare deri te mjediset borgjeze. Botën dhe gjërat duhet paraqitur ashtu siç janë. Frymëzimin poetik romantik tani do ta zëvendësojë puna intensive e shkrimtarit, vrojtimi i tij i vetëdijshëm dhe pasqyrimi i njerëzve dhe i sendeve rreth tij. Shkrimtari është vëzhgues dhe dëshmitar i asaj që ka parë.
Poeti lirik i simbolizmit francez Pol Verlen (Paul Verlaine, 1844-1896) shkruan veprën “Art poétique” (Arti poetik, 1874). E ka shkruar në formën e një poezie lirike të shkurtër, me gjithsej 36 vargje. Ndonëse nuk ka krijuar një vepër teorike të gjerë të poetikës, ngase kryesisht flet për poezinë lirike, megjithëkëtë, në formë të thuktë ka përcaktuar disa premisa teorike të cilat janë bërë ide themelore të poetikë së re. Verleni kërkon në poezi, në radhë të parë muzikë.
Poetika do të paraqiten deri në ditët tona në të katër anët e botës. Me kalimin e kohës, termi “poetikë” dalëngadalë u hoq nga përdorimi. Në vend të tij u vu në përdorim termi estetikë. Sido që të jetë, në qendër të studimit mbete vepra poetike, e parë nga determini i saj historik dhe shoqëror.