Ballina Aktualitet ASh-ja ka disa propozime për parandalimin e shpërndarjes së koronavorisut

ASh-ja ka disa propozime për parandalimin e shpërndarjes së koronavorisut

Departamenti i Shëndetësisë i Aleancës për Shqiptarët thotë se më vëmendje e ka ndjekur dhe po e ndjek situatën e krijuar nga njëra anë dhe përgjigjen e autoriteteve qeveritare e sidomos atyre shëndetësore në aspekt të parandalimit, detektimit dhe ditëve të fundit edhe mjekimin e kësaj sëmundjeje ngjitëse, njofton Portalb.mk.

Në bashkëpunim edhe me ekspertët e fushës, Departamenti i Shëndetësisë ka konstatuar se në të gjitha këto segmente janë regjistruar lëshime, gjë që ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të rasteve të prekura nga virusi, 7 me ditën e djeshme.

  • caktimi i reparteve infektive në Shtip dhe Gostivar si qendra referente për izolimin e pacientëve me coronavirus ishte hapi i parë joadekuat duke ditur gjendjen e rëndë infrastrukturore të këtyre institucioneve si dhe kuadrin që posedojnë;
  • mos organizimi i brendshëm i Klinikave universitare që nuk janë në gjendje të sigurojnë mjetet e sigurisë për personelin mjekësor, gjë që shkaktuar pakënaqësi dhe refuzim të vizitave konziliare në Klinikën Universitare të Infektologjisë;
  • mos ndërprerja e vijave ajrore dhe trajtimi joadekuat i udhëtarëve nga vendet e krizës, sidomos nga veriu i Italisë,
  • shëtitja e lirë e shtetasve që udhëtonin nga rajonet e krizës dhe mjekimi shtëpiak i atyre që kishin simptome dhe shenja të sëmundjes.
  • Mungesa serioze e mjeteve elementare për higjienë dhe dezinfektim nëpër shkollat fillore e të mesme dhe
  • kulmi i papërgjegjësisë është sjellja jo etike, joprofesionale dhe johumane e drejtoreshës së Klinikës Universitare të Dermatologjisë, e cila ka qëndruar në veriun e Italisë disa ditë dhe me simptome e shenja të sëmundjes ka kryer detyrat e saj në punë, madje ka marr pjesë edhe në ligjërata të Shoqatës së dermatologëve në hapësirat e një restoranti në Shkup.

Aleanca për Shqiptarët kërkon që ministri i shëndetësisë, Drejtoria për Menaxhim me Kriza, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor si dhe Komisioni për Sëmundje Infektive të ndërmarrin hapa konkrete, si:

  • REKOMANDIMET të shndërrohen në NDALESA dhe çdo qytetar të ketë obligime dhe detyra konkrete;
  • Qendra Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup të mbyllet për dy javë dhe të trajtohen vetëm rastet urgjente si dhe të përgatitet plan për mjekim eventual të numrit më të madh të sëmurëve me këtë sëmundje;
  • Të sigurohen mjete mbrojtëse për punëtorët shëndetësor, pa përjashtim;
  • Kontroll i rreptë në çdo pike kufitare dhe angazhim më i madh i organeve kompetente;
  • Të anulohet procesi mësimor në të gjitha institucionet arsimore në dy javët e ardhshme.

Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi institucionale dhe morale nga ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe dhe i rekomandon atij që të del nga zona e rehatisë dhe t’i qaset me seriozitet më të lartë kësaj problematike. Njëkohësisht jemi të gatshëm që me të gjitha kapacitetet që posedojmë të ndihmojmë në tejkalimin e situatës, ndërsa nga qytetarët kërkojmë ta ruajnë qetësinë dhe të respektojnë maksimalisht rekomandimet dhe ndalesat nga organet kompetente të shtetit.