Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, sot përmes një shkrimi në Facebook, ka përkujtuar 21-vjetorin e rënies të dëshmorit Mujdin Aliu në betejën e Koshares. Kasami shkruan se Mujdin Aliu luftoi para 21 vitesh, por ideali dhe gjaku i tij është frymëzim akoma edhe sot për të gjithë popullin shqiptar, njofton Albanews24.
”Rënia e heroit tonë kombëtar, Mujdin Aliu shënon sakrificën për idealin më të lartë të kombit shqiptar. Ai ishte së pari i Porojit, por tani është edhe i Kosovës dhe mbarë popullit shqiptar. Ai ndoqi parimin e bashkimit, Besëlidhjes të të gjithë trojeve shqiptare, vetëm për t’i rezistuar armikut për hirë të lirisë”, shkruan Kasami.
Ai ndër të tjera shton se trimëria e tij e pashoq, aftësia e lartë ushtarake, prirja dhe gatishmëria për të vdekur për ideal, do të shkruhen me shkronja të arta që populli i përdor vetëm për ata njerëz që nuk do t’i harrojë kurrë.